• среда, 18 март 2026

Hulumtim: Gjithsej 13,6 për qind e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën në vendin tonë përdorin produkte të duhanit, mbi gjysma e tyre kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi

Hulumtim: Gjithsej 13,6 për qind e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën në vendin tonë përdorin produkte të duhanit, mbi gjysma e tyre kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi

Shkup, 27 shkurt 2026 (MIA) – Gjithsej 13,6 për qind e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën, më së shpeshti të moshës 13 deri në 15 vjeç, përdorin ndonjë produkt të duhanit - tregojnë rezultatet e një hulumtimi të realizuar në 75 shkolla në vend gjatë vitit 2024.Të dhëna këto të publikuara në konferencën e sotme për shtyp në Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë temë u prononcuan ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe shefi i zyrës së OBSH-së në vend, Akim Ali, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, si dhe dr. Sanja Prosheva nga Instituti i Shëndetit Publik.

"Gjithsej 12,3 për qind aktualisht përdorin duhan. Gjithsej 5,3 për qind për momentin pinë cigare. Gjithsej 4,9 për qind e nxënësve aktualisht përdorin produkte të duhanit të ngrohura (5,1 për qind djem dhe 4,4 për qind vajza). Gjithsej 3,6 për qind aktualisht përdorin duhan pa djegie. Nga nxënësit, nëntë për qind për momentin përdorin cigare elektronike – 8,2 për qind djem dhe 9,6 për qind vajza. Nga duhanpirësit aktualë, 66,1 për qind janë përpjekur të heqin dorë nga duhanpirja në 12 muajt e fundit, ndërsa 56,5 për qind duan ta lënë duhanin tani", informoi Prosheva.

Sipas gjetjeve kyçe të raportit, të prezantuara sot, pirja e duhanit në hapësirat shkollore mbetet shqetësim. Në vitin 2024, 45,1 për qind e nxënësve kanë parë dikë duke pirë duhan brenda objekteve shkollore ose në pronën e shkollës.

Ministri Aliu sqaroi se hulumtimi është realizuar me nxënës të moshës 13 deri në 15 vjeç. Me mbështetjen e OBSH-së, në fazën e parë janë përzgjedhur 75 shkolla dhe janë përfshirë 4.670 nxënës.

"Hulumtimi është pjesë e sistemit global të mbikëqyrjes së duhanit dhe paraqet një studim përfaqësues në nivel kombëtar, që realizohet për herë të katërt në shkollat e vendit tonë. Të dhënat tregojnë se 13,6 për qind e nxënësve të moshës 13 deri në 15 vjeç aktualisht përdorin ndonjë produkt të duhanit, dhe kjo është përhapshmëria më e lartë e regjistruar deri më tani", theksoi ministri.

Gjithsej nëntë për qind përdorin cigare elektronike, që sipas të dhënave të ndara nga ministri përbën më shumë se dyfishim krahasuar me vitin 2016.

"Veçanërisht shqetësuese janë të dhënat se 57 për qind e të rinjve kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi, ndërsa 55,4 për qind ndaj tymit në hapësira të mbyllura publike. Sa i përket qasjes në produkte të duhanit, 73,2 për qind e duhanpirësve të rinj nuk janë penguar të blejnë cigare për shkak të moshës së tyre. Për ne si hartues të politikave shëndetësore është me rëndësi se një pjesë dërrmuese e nxënësve e mbështesin ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura publike. Gjithsej 86,9 për qind e të anketuarve e mbështesin këtë masë", nënvizoi Aliu.

Pikërisht për këtë arsye, theksoi ai, projektligji i ri për mbrojtje nga pirja e duhanit do të sillet si ligj për gjeneratat e reja, me mesazhin se shteti më në fund po qëndron në anën e tyre. Qëllimi thelbësor është denormalizimi i duhanpirjes, i cili do të arrihet përmes katër shtyllave të ligjit.

"Së pari, mbrojtje e plotë nga duhanpirja pasive – pa tym dhe pa aerosol në hapësira të mbyllura dhe vende pune. Mbrojtja përfshin edhe aerosolët nga cigaret elektronike, siguria e të cilëve në ekspozim pasiv ende nuk është vërtetuar. Së dyti, zvogëlimi i atraktivitetit – ndalohet shitja e produkteve me aroma karakteristike që krijojnë shije apo efekt sensorik të ndryshëm nga profili natyror i duhanit. Shijet frutore, të ëmbla, mentol dhe të tjera që maskojnë dëmshmërinë dhe lehtësojnë proven fillestare nuk do të lejohen. Së treti, kufizimi i marketingut dhe ekspozimit – do të ndalet targetimi i të rinjve përmes rrjeteve sociale, influencuesve, lojërave dhe platformave digjitale. Produktet e duhanit dhe nikotinës nuk do të ekspozohen publikisht, por do të ruhen në dollapë të mbyllur. Së katërti, kufizimi i qasjes dhe forcimi i kontrollit të shitjes ndaj të miturve", shtoi Aliu.

Ministri theksoi se për shëndetin e të rinjve nuk ka kompromis dhe se interesi publik do të jetë më i fortë se çdo presion komercial.

"Në këtë drejtim, së bashku me Institutin e Shëndetit Publik, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet kompetente, vazhdojmë me vendosmëri të zhvillojmë kapacitete sistemore për kontrollin e duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve, e veçanërisht të të rinjve", deklaroi Aliu.

Përfaqësuesi i OBSH-së, Ali, tha se sot është një ditë e rëndësishme, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se pirja e duhanit nuk është e mirë për shëndetin e të rinjve dhe se varësia nuk duhet të fillojë në moshë të hershme. Ai rikujtoi se prindërit, kur i dërgojnë fëmijët në shkollë, presin mjedis të shëndetshëm dhe të pastër, ndërsa disa nxënës janë ekspozuar ndaj duhanit në shkolla.

Ali nënvizoi se me ligjin e ri mbrohen joduhanpirësit, veçanërisht fëmijët.

Është koha t’i mbrojmë fëmijët, – theksoi përfaqësuesi i OBSH-së.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Andonovska, deklaroi se produktet me nikotinë po marrin gjithnjë e më shumë hov. Ajo shtoi se këto hulumtime duhet të dalin në dritë, pasiqë na shërbejnë si bazë për hartimin e politikave që synojnë përmirësimin e shëndetit publik për të gjithë.

Foto: MIA 

Остани поврзан