• четврток, 09 април 2026

ASH: Ligji për arsimin e lartë nuk sjell reformë, por legalizon pabarazinë ndaj shqiptarëve

ASH: Ligji për arsimin e lartë nuk sjell reformë, por legalizon pabarazinë ndaj shqiptarëve

Shkup, 4 prill 2026

Ligj për arsimin e lartë, në vend që të garantojë barazi, hap rrugë për diskriminim të mëtejshëm ndaj universiteteve shqiptare.

Kur një ligj nuk e garanton qartë gjuhën shqipe në dokumentet universitare dhe nuk e garanton financimin e barabartë, atëherë ai nuk është ligj reformues. Ai është ligj i pabarazisë.

Ky ligj jo vetëm që nuk i zgjidh problemet e ligjit aktual, por krijon edhe padrejtësi të reja.

Universitetet shqiptare nuk janë universitete të dorës së dytë.

Studentët shqiptarë nuk janë qytetarë të dorës së dytë. 

Gjuha shqipe nuk është privilegj. Është e drejtë.

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se barazi e drejtësi. 

Barazi në gjuhë. Diplomat në gjuhën shqipe duhet t’u garantohen studentëve edhe në UKM, UGD dhe në të gjitha universitetet e tjera, ashtu siç garantohen në UT dhe UNT.

Drejtësi në punësim. Universitetet shqiptare vazhdojnë të funksionojnë me një raport pothuajse 50 me 50 mes stafit të rregullt dhe stafit me angazhim të pjesshëm. Me qindra asistentë dhe dhjetëra të doktoruar presin punësim prej 10, 12 e madje edhe më shumë vitesh.

Barazi në financim. Në vitin 2025, nga 5 milionë euro për projekte, vetëm 2.5% kanë përfunduar te universitetet shqiptare. Kjo nuk është barazi. Kjo është grabitje institucionale.

Propozim-ligji aktual, edhe në versionin e fundit të para dy ditëve, nuk ndryshon asgjë në realitetin e universiteteve shqiptare. Prandaj kërkojmë që ky ligj të tërhiqet menjëherë.

I bëjmë thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar, në pushtet dhe në opozitë, që dora shqiptare të mos bëhet dora që voton dhe legalizon këtë padrejtësi të kamufluar si ligj.

Nuk do të lejojmë që diskriminimi të legalizohet me ligj.

Aleanca për Shqiptarët 

_______________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан