• e diel, 25 gusht 2024
MIA Flesh

15:00/22 gusht/2024

 

Shkup - Nga Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska - Davkova për MIA-n konfirmojnë se ka mbërritur dorëheqje me shkrim nga Lubomir Fërçkoski, i cili e kryente funksionin ambasador dhe përfaqësues i përhershëm në Kombet e Bashkuara. Dorëheqja, siç bënë të ditur një pjesë e mediave, është dorëzuar edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Fërçkoski në pozitën e ambasadorit në Nju Jork ishte emëruar në vitin 2022. Dekretin për emërimin e tij e nënshkroi shefi i atëhershëm i shtetit Stevo Pendarovski. 

Shkup - Koalicioni qeverozar funksionon në mënyrë të përkryer dhe ambienti brenda është konstruktiv, thotë kryeministri Hristian Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas kundërshtimeve mes partnerëve qeveritarë ZNAM dhe VLEN. Sipas Mickoskit, është logjike që të ketë qëndrime të ndryshme rreth disa çështjeve, por është me rëndësi që gjithmonë të gjendet një zgjidhje. Është me rëndësi, thotë Mickoski që të përmendet se kjo Qeveri ka mbështetje nga më shumë se dy të tretat e deputetëve në Kuvend, edhe atë sipas tij, është me rëndësi për shkak se qytetarët presin rezultate.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot kishte takim lamtumire me ambasadorin Siril Bomgartner. Në takim, siç informon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregisë së Jashtme, Mucunski e ka falënderuar për kontributin e ambasadorit Bomgartner në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të tij diplomatik në vend."Bashkërisht është konfirmuar kënaqësia për dialogun politik dinamik dhe të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve dhe u theksua nevoja për vënien e një fokusi të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar në periudhën e ardhshme", thuhet në komunikatë.

Shkup - Në Qytetin e Shkupit filloi takimi koordinues i përfaqësuesve të grupeve të këshilltarëve me kryetaren Danella Arsovska në të cilin pritet që ajo ta prezantojë planin për dalje nga kriza në kryeqytet.  Takimi është i mbyllur për publikun, ndërsa pak para fillimit, koordinatorët e grupeve të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së shprehën optimizëm lidhur me mbledhjen.  Martin Stojanovski, koordinator i grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, shfaqi shpresë se këto takime në të ardhmen do të jenë të hapura për qytetarët. 

Shkup - Zbatimi efektiv i sistemit të kontrollit të sëmundjeve të kafshëve me dhjetë aktivitete të ndryshme, forcimi i kapaciteteve të sigurisë ushqimore me katër aktivitete, përmirësimi i sistemit të kontrollit zyrtar me katër aktivitete dhe përmirësimi i sistemit të mbledhjes së të dhënave dhe vlerësimit të rrezikut me katër aktivitete, është rezultat i projektit “Përmirësimi i kontrollit e sëmundjeve të kafshëve dhe zbatimi i sistemit të sigurisë ushqimore” që është zbatuar që nga prilli 2022 dhe përfitues kryesor i të cilit është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Në kuadër të projektit, të financuar nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 868 mijë euro, ndërsa i zbatuar nga konsorciumi KAPA, ngjarja përfundimtare që u mbajt sot në Shkup, ishin realizuar një numër i madh i aktiviteteve të cilët i avancuan sistemet institucionale për shëndet të kafshëve dhe shëndetit publik përmes qasjes së integruar multidisplinare. 

Shkup - Deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçuleski sot në konferencën për media akuzoi se arratisja e Blerim Ramadanit është organizuar nga strukturat e MPB-së dhe punonjës të institucioneve dhe i bëri thirrje qeverisë dhe MPB-së që të publikojnë se kush e ka organizuar dhe mundësuar arratisjen. Trajçuleski tha se nëse qeveria dhe MPB-ja në 24 orët e ardhshme nuk zbardhin publikisht të vërtetën për të gjithë organizimin e arratisjes së Ramadanit, LSDM-ja do t'i publikojë të gjitha informatat nga informatori që kanë marrë.

Shkup - Komisioni i Letrave me Vlerë (KLV) i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në mbledhjen e saj solli vendim ku Bankës Komerciale SHA Shkup i jepet leje për dhënie të ofertës për marrjen e Stopanska bankës SHA Manastir. Oferta u referohet 390.977 aksioneve të zakonshme me të drejtë vote nga Stopanska banka SHA Manastir, të cilat paraqesin 100 për qind të principalit themelor të bankës. Marrja e letrave me vlerë do kryhet me një çmim prej 3.200 denarë për aksion.  

Dibër - Në gjimnazin "28 Nëntori" në Dibër dhe "ATA" në Qendër Zhupë, pas dy afateve të regjistrimit nuk është plotësuar kuota për regjistrim në vitin e parë. Siç konfirmojnë për MIA-n nga të dy shkollat, janë plotësuar vetëm 103 nga 340 vendet e planifikuara për nxënës që është rreth 24 për qind. "Në aplikimin e dytë janë regjistruar 35 nxënës të klasës së nëntë, prej të cilëve 10 kanë realizuar mësim në gjuhën maqedone dhe 25 në gjuhën shqipe. Në të dy regjistrimet në periudhën e parë të regjistrimit janë regjistruar 46 nxënës, 13 për paralele për mësime në gjuhën maqedone dhe 33 për paralele për mësime në gjuhën shqipe. . Kjo do të thotë se të paplotësuara janë 79 vende për mësim në gjuhën maqedone dhe 112 për mësim në gjuhën shqipe", tha për MIA-n, Afrona Lleshi, kryetare e Komisionit për regjistrim.

Prishtinë - Policia e Kosovës njoftoi se dje ka arrestuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut te e cili janë gjetur mbi gjashtë kilogram drogë heroinë e cila ishte e dedikuar për shitje, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në kumtesën e sotme të policisë bëhet e ditur se Drejtoria për Hetime të Tregtisë së Narkotikëve në kuadër të policisë në Prishtinë, në bashkëpunim me institucionet lokale të sigurisë, "më 21.08.2024, pas punës intensive hetuese në teren, ka ndërmarrë masa operative, me çka është identifikuar një person shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se posedonte, të gatshme për shitje, substancë narkotike të llojit heroinë". 

Sofje - Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev përsëri ka propozuar Dimitar Gllavçevin për kandidat dhe kryeministër të përkohshëm, kumtoi Pres shërbimi i shefit të shtetit bullgar. Në orën 12, presidenti ka pritur kandidatin për kryeministër të përkohshëm në ndërtesën presidenciale. Radev e udhëzoi Dimitar Gllavçevin para së gjithash që të propozojë "ndryshime të shqyrtuara me kujdes në përbërjen e qeverisë". "Insistoj që qeveria juaj të vendos si prioritet parandalimin e blerjes së votës... Ky është një kusht i domosdoshëm për suksesin e këtij mandati. Shpresoj se kam qenë plotësisht i qartë", theksoi presidenti bullgar.

Romë - Trupi i manjatit britanik të teknologjisë Majk Linç u gjet sot pasi jahti i tij luksoz u fundos në brigjet e Sicilisë. Trupat e katër viktimave të tjera që u zhdukën kur anija u përmbyt u gjetën dje dhe trupi i pestë u gjet nga jahti i fundosur mëngjesin e sotëm. Me këtë numri gjithsej i viktimave arrin në gjashtë, pasi të hënën ishte gjetur trupi i shefit të kuzhinierit Rekaldo Tomas. Ende është në kërkim vajza 18 vjeçare e Linçit. Jahti britanik "Bejzhn" (Bayesian) 56 metra i gjatë me 22 pasagjerë dhe ekuipazh ishte ankoruar në afërsi të Palermos dhe më 18 gusht u fundos pak minuta pasi u godit nga një stuhi.

Moskë - Autoritetet në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë kanë filluar ngritjen e strehimoreve modulare prej betoni për të mbrojtur civilët nga një invazion i mundshëm ukrainas, njoftoi sot guvernatori rajonal. Forcat ruse nga 6 gushti po luftojnë me ushtarët ukrainas në rajonin kufitar të Kurskut. Mijëra ushtarë ukrainas më pas kaluan kufirin, duke shkaktuar evakuimin e qindra mijëra qytetarëve rusë. "Sipas udhëzimeve të mia, autoritetet e qytetit të Kurskut kanë identifikuar lokacionet kyçe për instalimin e strehimoreve modulare të betonit në zonat me trafik në vende të frekuentuara", ka shkruar guvernatori i Kurskut, Aleksej Smirnov në aplikacionin Telegram. 

Apija- Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh paralajmëroi sot se disa ishuj në Oqeanin Paqësor rrezikohen të shkatërrohen nga ciklonet, vala e të nxehtit dhe rritja e nivelit të detit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. "Niveli i lartë dhe rritja e detit përbën një kërcënim të madh për Samoan, Paqësorin dhe shtetet e tjera të vogla të ishullit në zhvillim dhe këto fenomene kërkojnë aksion vendimtar ndërkombëtar", theksoi Guteresh gjatë një vizite në kryeqytetin e Samoas, Apija.

Uashington - SHBA-ja po përballet me kërcënime në rritje nga shumë vende në të njëjtën kohë, deklaroi drejtori i FBI-së, Kristofer Vrej.  "Po shqetësohem për kombinimin e kaq shumë kërcënimeve që shfaqen menjëherë, me sfidat me të cilat përballen burrat dhe gratë në zbatimin e ligjit. Dhe e vetmja gjë, sipas meje, që ndihmon për të tejkaluar këto dy sfida është partneriteti. Kjo është mënyra me të cilën përballemi, duke punuar së bashku", theksoi Vrej.  Ai menjëherë pas sulmit të vitit të kaluar nga Hamasi ndaj Izraelit paralajmëroi se mund të shërbejë si frymëzim për militantët, "siç nuk i kemi parë që kur Shteti Islamik filloi të ashtuquajturin kalifat të tij vite më parë".

Berlin - Ish mbrojtësi i reprezentacionit të Gjermanisë, Mats Humels është në bisedime me Majorkën, bën të ditur gazetari Florian Platenberg në llogarinë e tij në X. Futbollisti 35-vjeçar është lojtar i lirë pas largimit nga Borusia Dortmundi. Në fund të korrikut ai ishte afër transferimit te Bolonja, por pas kontrolleve mjekësore i duhej kohë për të menduar. U bë e ditur se gjatë verës për Humelsin ishin të interesuar Bajer Leverkuzeni dhe Real Madridi.

QËNDRONI TË LIDHUR