• e shtunë, 24 gusht 2024
MIA Flesh

15:00/23 gusht/2024

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari së bashku me drejtorin e sapoemëruar Bashkim Bakiu e kanë vizituar sot Klinikën e urologjisë ku biseduan për nevojën e përmirësimit të kushteve për trajtimin dhe shtrimin e pacientëve në këtë klinikë. Kjo, siç thuhet në kumtesën e MSH-së, do të jetë një nga prioritetet e ministrisë në periudhën e ardhshme. Ministri ka vizituar po ashtu edhe Klinikën e hematologjisë, ku me drejtoreshën Sonja Genadieva-Stavrik vizituan klinikën dhe diskutuan për planet e ardhshme për fuqizimin infrastrukturor të këtij institucioni.

Shtip - Studentët këtë vit do të kenë më shumë para për shujtën studentore. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska gjatë vizitës së sotme në Komunën e Shtipit paralajmëroi se është planifikuar rritja e shujtave studentore, por për momentin nuk mund të tregojë se sa do të rritet, sepse siç thotë ajo çdo gjë varet nga mjetet e buxhetit të cilat do të vendosen në dispozicion.

Shkup - Ministria e Ekonomisë dhe Punës shpalli sot dy thirrje publike në përputhje me Programin për mbështetjen e konkurrentësisë së industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore për vitin 2024. Siç publikoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sivjet për këtë program janë siguruar gjithsej 32.500.000 denarë ose 530.000 euro subvencione për kompanitë.

Shkup – Koalicioni “Vlen” në Prokurorinë Themelore Publike sot ka ngritur kallëzim penal për përhapje të gjuhës së urrejtjes në rrjetin social Fejsbuk. Kallëzimi penal ishte parashtruar nga ana e avokatit të Koalicionit Abidin Abduli. “Sot kemi parashtruar kallëzim penal kundër personit Petar Bogojeski për përhapje të gjuhës së urrejtjes në rrjetin social Fejsbuk, me atë se ai me atë gjuhë urrejtjeje ka kryer vepër penale të dënueshme sipas nenit 319 dhe 398 të Kodit Penal. Inkurajojmë Prokurorinë Publike që në të ardhmen t'i ndjekë këto krime sipas detyrës zyrtare pas zërave sepse të njëjtat janë publike dhe jepen në çdo media, në rrjetet sociale”, tha Abduli.

Shkup - LSDM dhe sot kërkoi përgjegjësi nga MPB-ja dhe ministri Pançe Toshkovski për arratisjen e ish pjesëtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga arresti shtëpiak duke pretenduar se punonjësit e policisë e kanë ndihmuar atë të arratiset gjegjësisht është bërë e mundur një "skemë e organizuar partiako-policore". Deputeti i LSDM-së Mitko Trajçuleski sot në një konferencë për media kumtoi se kanë dëshmi nga "informatorët" se Ramadani e ka lëshuar vendin dhe ka shkuar në Kosovë – me 10 gusht me Naim Ramukën, kryeshefin e kufirit verior me Kosovën, ndërsa me 14 gusht, kur dhe u arratis nga vendi, është transportuar nga një punonjës i komunës së Çairit me urdhër të Ramukës. Dhe në të dyja rastet kufirin e Bllacës e kanë kaluar nëpër korsinë e mallrave pa asnjë kontroll.

Shkup - Në periudhën prej 16 deri më 22 gusht janë raportuar dhjetë raste të reja me kollë të mirë, 52,4 për qind më pak në krahasim me javën e kaluar, informojnë nga Instituti për Shëndet Publik. Shumica e rasteve janë raportuar në Shkup - katër, ndërsa janë raportuar edhe dy raste nga Kumanova dhe nga një rast në Dibër, Manastir, Kërçovë dhe Tetovë. Dy nga personat e sapo regjistruar janë shtruar në spital. Mosha e pacientëve varion nga 2 muaj deri në 43 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë të grupmoshës nën një vjeç. Sa i përket statusit të vaksinimit të të sëmurëve, gjashtë persona nuk janë të vaksinuar komplet, të pavaksinuar ose me status të panjohur vaksinimi, dy janë plotësisht të vaksinuar dhe dy janë të vaksinuar sipas moshës.

Shkup – Deri kur LSD do ta mbrojë gjykatësin Pajazit Pajaziti dhe do ta fshehë se nga burgu u ikën të burgosurit për vrasjen te Mavrovasja? Pajaziti është fajtori i vetëm pse Blerim Ramadani iku. Po të shqiptonte Pajaziti paraburgim efektiv me burg, tani Ramadani do të ishte në Shutkë, deklaroi sot në konferencë për media në selinë e partisë deputeti i VMRO-DPMNE-së Brane Petrushevski. “Pajaziti duhej të shkarkohet menjëherë, është vetëm gjykatës për të mbrojtur LSD-në dhe BDI-në përmes instalimeve të tyre në gjyqësor. LSD gënjen dhe manipulon me ditë të tëra, vetëm që ky ekzekutor i BDI-së të mbetet gjykatës”, tha Petrushevski.

Shkup - Zhivko Mitreski, ish-kryetar i Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë, sot në konferencë për shtyp foli për kërkesën e Lidhjes së sindikatave për rritje të rrogave duke pohuar se kryetari aktual i LSM-së, Sllobodan Trendafillov po e mashtron opinionin. Trendafillov, ndërkaq, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencën për shtyp, tha se LSM është sindikatë përfaqësuese dhe se mbeten në kërkesën për rritje të rrogave. Pohon se është ndërruar në mënyrë jolegjitime nga funksioni me vendim të nënshkruar nga ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.

Shkup - Në 24 orët e fundit në territorin e mbarë vendit kanë rënë gjithsej 10 zjarre në ambiente të hapura, prej të cilave nën kontroll është vënë një vatër zjarri, ndërsa janë shuar nëntë, njoftuan sot nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Nën kontroll është vënë zjarri në Komunën e Demir Hisarit, afër malit Plaken mbi fshatin Virovë. Në zjarrin, siç thekson QMK-ja është përfshi bimësi e ulët dhe bar i thatë.

Shkup - Shërbimet e doganës në vendkalimin kufitar Bogorodicë kanë konfiskuar 110,2 gramë stoli ari dhe 1.7 kilogramë stoli argjendi me vlerë të përgjithshme prej 563.735 denarë. Kjo është zbuluar te një udhëtar që udhëtonte në linjën Stamboll-Gostivar. Drejtoria e doganave kumtoi se me këtë është penguar tentimi për të shmangur detyrimet në import në shumë prej 148.308 denarë. Ndaj personit do të ngritët padi penal.

Shkup - Strumica do të jetë qyteti i parë i Ballkanit me transport publik urban të elektrizuar në korrelacion me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, bëri të ditur sot kryetari i Komunës së Strumicës, Kostandin Kostandinov me rastin e marrjes së çelësave të dhjetë autobusëve elektrikë në rrethin "AutoMaqedonia" në Shkup. Autobusët aktualisht janë në fazën e procedurës për doganim, regjistrim dhe sigurim dhe pritet që nga 1 deri 6 shtatori të dërgohen në Strumicë, ndërsa nga 11 shtatori të vihen në provë për të paktën një muaj, periudhë kur do të ketë transport publik falas për qytetarët me qëllim që të eliminohen mangësitë e mundshme.

Prishtinë - Një ditë pas takimit me shefin e Agjencisë së Inteligjencës Amerikane CIA, Uiliam Bërns, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është garancë për siguri, paqe dhe sukses në Kosovë, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Osmani sot në faqen e saj në Fejsbuk publikoi edhe disa fotografi nga takimi i cili u mbajt të enjten.

Beograd – Ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO_s për çështje politike dhe politikë të sigurisë Boris Ruge gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor theksoi se rajoni është me “rëndësi strategjike për Aleancën” dhe e përsëriti “përkushtimin e fuqishëm të aleatëve të NATO-s për siguri të përhershme”, njoftoi Aleanca Veriatlantike. Ruge nga 16 deri 22 gusht kishte konsultime në nivel të lartë në Sarajevë, në Prishtinë dhe në Beograd. “Ai foli për bashkëpunimin e vazhdueshëm afatgjat ndërmjet NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për fuqizimin e stabilitetit rajonal”, bëhet e ditur në kumtesën e NATO-s.

Gazë - Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (KB) rreth 90 për qind nga gjithsej 2.1 milionë banorë të Rripit të Gazës janë zhvendosur pas urdhrave për evakuim të cilat Izraeli i dha 12 herë vetëm në gusht. Lufta në Rripin e Gazës filloi më 7 tetor kur Hamasi dhe grupet e tjera radikale sulmuan Izraelin dhe vranë rreth 1.200 persona shumica prej të cilëve ishin civilë, ndërsa morën rreth 250 pengje. Rreth 110 prej tyre janë ende të robëruar, ndërsa supozohet se një e treta tashmë kanë vdekur.

Uashington – Këshilltari për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhejk Salivan, javën e ardhshme do ta vizitojë Kinën që të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Vang Ji, njoftoi sot portali Aksios, duke iu referuar tre burimeve. Pritet që Salivan dhe Ji të bisedojnë për takimin potencial mes presidentit amerikan Xhozef Bajden dhe presidentin kinez Si Xhinping më vonë këtë vit.

Mançester - Ilkaj Gundogan kthehet në Mançester Siti. Mesfushori ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me "qytetarët" me opsion për vazhdimin edhe për një vit. Gjermani kaloi shtatë sezone shumë të suksesshme në "Etihad" përpara se të transferohej në La Liga në qershor të vitit 2023, vetëm 16 ditë pasi ishte kapiten i një skuadre të Sitit që pretendoi një kurorë të trefishtë historike duke mposhtur Interin në finalen e Ligës së kampionëve në Stamboll.

 

QËNDRONI TË LIDHUR