• e diel, 25 gusht 2024
MIA Flesh

09:00 / 21 gusht / 2024

Shkup - Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, së bashku me përfaqësuesit e Komisionit për listën pozitive sot do të mbajë konferencë për media me rastin e vendosjes së barnave të reja në listën pozitive, informojnë nga ministria përkatëse.

Shkup - Komunikacioni nëpër rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerje dhe nëpër rrugë të thata. Intensiteti në komunikacion dhe drejtimet rrugore jashtë mjediseve urbane është shtuar. Në VK Tabanoc për hyrje dhe dalje vërehet frekuentim i shtuar i automjeteve. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e vendit tonë nuk ka vonesa të gjata.

Shkup - Për shkak të ndërhyrjeve të planifikuara teknike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të EVN-së sot pa rrymë do të mbeten shfrytëzuesit e disa vendbanimeve të Shkupit. Në periudhën prej orës 05:00 deri në orën 12:00 pa rrymë do të jenë vendbanimet Studeniçan dhe Moranë të komunës së Studeniçanit, pastaj Oreshani, Taor, Novosellë, Pakoshevë, Gumalevë, Tisovicë, Smesnicë, Dejkovec, Dobrinë të gjitha nën komunën e Zelenikovës..., njoftojnë nga QRMK.

Shkup - Moti paradite me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite do të ketë paraqitje lokale të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave, veçanërisht në rajonet malore. Do të fryejë erë mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 13 deri 20, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 27 deri 34 gradë. Indeksi UV do të jetë 7. 

Çikago - Demokratët amerikanë zyrtarisht konfirmuan se Kamalla Harris është kandidati i tyre për zgjedhjet presidenciale më 5 nëntor gjatë konventës kombëtare të partisë mbrëmë në Çikago. Delegacione nga të gjitha shtetet dhe territoret amerikane përsëri e dhanë votën e tyre për Harrisin në votimin e pastër ceremonial të shoqëruar me muzikë, efekte ndriquese, fjalime të shkurta dhe shumë brohoritje në sallën e ngjarjeve. Harrisi tashmë zyrtarisht e mori mbështetjen e më shumë se 4.500 delegatëve të partisë më parë këtë muaj.

Çikago - Protestues ishin arrestuar mbrëmë në përleshjet mes policisë dhe pjesëmarrësve në marshin propaletstinez para konsullatës izraelite në Çikago. Kjo ka ndodhur në natën e dytë të Konventës Kombëtare Demokratike, që u mbajt në atë qytet amerikan. Përleshjet shpërthyen pasi protestuesit bënë përpjekje që të arrijnë te rrokaqielli në të cilin gjendet misioni diplomatik. Ata brohoritnin slogane para ndërtesës dhe bënë përpjekje që të thyjenë kordonin e policisë që e rrethonte, për çka policia përdori dhunë kundër protestuesve. 

Uashington – Kandidatja e partisë nga radhët e demokratëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, Kamalla Haris ka tubuar rreth gjysmë miliardë dollarë donacione për fushatën që kur ajo u bë kandidate. Sipas disa burimeve anonime, Haris vetëm në javën e parë pas zgjedhjes si kandidate mblodhi 200 milionë dollarë, ndërsa në korrik gjithsej 310 milionë dollarë.

Uashington - SHBA vazhdon bisedat me Kievin zyrtar për qëllimet e operacionit ushtarak ukrainas në rajonin Kursk të Rusisë, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Rajder. "E keni dëgjuar presidentin Zelenski si thotë se kjo krijon një zonë tampon, kështu që ne po vazhdojmë diskutimin për të mësuar më shumë rreth qëllimeve të Ukrainës. Fokusi jonë do të vazhdojë që t'i ndihmojmë Ukrainës të jetë një vend i lirë dhe sovran i aftë për të ndalur agresionin rus në të ardhmen", tha Rajder gjatë një brifingu. I pyetur nga gazetarët nëse SHBA-ja po shqyrtonte heqjen e kufizimeve ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus, Rajder tha se politika e SHBA-së për sulmet me rreze të gjatë veprimi nuk ka ndryshuar.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden së fundmi miratoi një plan të klasifikuar për strategji bërthamore e cila përshkruan parandalimin bërthamor të Kinës në mënyrë që të pengohet zgjerimi i arsenalit bërthamor të Pekinit, kumtoi mbrëmë gazeta "Njujork tajms". Bajden gjithashtu urdhëroi forcat amerikane të jenë gati për sulme të mundshme bërthamore të koordinuara nga Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut.

Moskë - Ukraina ka kryer një nga sulmet më të mëdha me fluturake pa pilot ndaj Moskës, me çka njësitë ruse për mbrojtje kundërajrore shkatërruan të paktën 10 fluturake pa pilot të cilat fluturuan drejt kryeqytetit, deklaroi kryetari Sergej Sobjanin. Disa nga fluturaket pa pilot janë shkatërruar mbi qytetin Podolsk, saktësoi ai. Qyteti gjendet rreth 38 kilometra në jug të Kremlinit.

Barcelonë - Barcelona është e interesuar për nënshkrimin e sulmuesit të krahut nga radhët e Milanit, Rafael Leao, bën të ditur "Mundo Deportivo". Sipas portalit sportiv spanjoll, katalunasit kanë drejtuar sytë te 25 vjeçari portugez pas mossuksesit për ta transferuar Niko Uiliamsin nga Atletik Bilbao.

Majami - Futbollisti i Inter Majamit, Lionel Mesi do të kthehet në teren në shtator, njoftoi gazetari Hernan Klaus. Argjentinasi 37-vjeçar, po shërohet nga lëndimi në kyçin e këmbës dhe së shpejti do të kthehet në stërvitjet me ekipin. 

QËNDRONI TË LIDHUR