• e shtunë, 24 gusht 2024
MIA Flesh

15:00/21 gusht/2024

Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski pret që kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska sot ose nesër të organizojë koordinimin me grupin e këshilltarëve në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe ta prezantojë planin për përmirësimin e gjendjes me higjienën dhe transportin publik në kryeqytet.  Në pyetjen e gazetarëve çka sikur plani të jetë i papranueshëm, Mickoski sot tha se duhet parë planin së pari, duke theksuar se do të bëhet gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Shkupit. Sipas Mickoski, Arsovska në mbledhjen e djeshme në Qeveri nuk kishte plan dhe iu dhanë disa ide.

Shkup - Nuk kemi ndër mend të merremi me "skenarë të errët", por dëshirojmë progres, porositi sot kryeministri Hristian Mickoski në pyetjen e gazetarëve për akuzat nga ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi se BDI është përgjuar me urdhër të pushtetit. Mickoski deklaroi se është joserioze të komentojë deklarata të individëve, ish-politikanëve dhe kërkoi që përgjigjet të kërkohen nga institucionet.

Negotinë – VMRO-DPMNE-ja nuk do të mbështesë interpelancën për kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, konfirmoi sot nga Negotina lideri i partisë Hristian Mickoski. Duke u përgjigjur në pyetjet pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e tregut të qytetit në Negotinë, ai tha se partia nuk sheh arsye për interpelancën e spikerit Gashi. “Mënyra se si sillet si kryetar i Kuvendit, si i udhëheq seancat dhe gjithçka që ndodh atje paraqet sjellje seriozisht të ndryshme nga ajo që ka bërë paraardhësi i tij", tha Mickoski.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari konfirmoi se është rritur numri i rasteve pozitive me koronavirus në vend dhe tha se duhet të respektohen rregullat anti-kovid për ventilim dhe higjienë. Për pacientët e hospitalizuar tek të cilët do të zbulohet virusi, tha se duhet të vazhdojnë të trajtohen në të njëjtën klinikë. "Ka rritje të numrit të regjistruar me koronavirus në vend, kishte takim edhe Komisioni për sëmundje ngjitëse dhe kemi konkluzion prej tyre se si duhet të trajtohen - duhet t'i përmbahemi rregullave - ambiente të hapura, jo më njerëz në të njëjtin vend, të ruhet higjiena. Megjithatë, pacientët që trajtohen në klinika për një sëmundje të caktuar dhe ndërkohë infektohen me kovid, rekomandimet janë që të vazhdojnë trajtimin në të njëjtën klinikë, infektologu konsullor të japë rekomandim për terapi shtesë nëse është e nevojshme. Shumica e pacientëve me sa duket e kalojnë atë në mënyrë asimptomatike ose me një formë shumë të lehtë simptomash", tha Taravari në konferencën për mediat në të cilën u promovuan nëntë barna të reja gjenerike të cilat vendosen në Listën pozitive. 

Shkup - Përveç teksteve për gjuhë të huaja, në fillim të vitit shkollor në shkolla do të ketë edhe tekste për të gjitha lëndët tjera, përsëriti sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Lidhur me kontrollin në arsimin e lartë, për të cilin me vendim të Qeverisë do të krijohet organ i veçantë, Janevska informoi se është duke u formuar dhe se tashmë nga Inspektorati i arsimit është kërkuar që të inspektojë punën e disa universiteteve.

Shkup - Marrëdhëniet tradicionalisht të fuqishme dhe miqësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë u konfirmuan sot në takimin mes ministrit për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani dhe ambasadorit të Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoj. Në takim, siç informon MÇE, u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer i projekteve bilaterale që zhvillohet përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Shkup - Neto - paga mesatare mujore e paguar për një të punësuar në qershor të këtij viti është 41.939 denarë dhe është për 14,8 për qind më e lartë se sa në muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Veprimtaritë financiare dhe të sigurimit (24.6%), Shërbime administrative dhe mbështetëse (22.9%) dhe Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm (19.6%).

Kavadar - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska sot është në vizitë në komunën e Kavadarit ku së bashku me kryetarin Mitko Jançev kryen mbikëqyrjen e  aktiviteteve për rikonstruimin e çatisë së shkollës fillore "Tosho Vellkov - Pepeto". "Bëhet fjalë për investim në vlerë prej 9 milionë denarë të siguruar nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili do të realizohet në tërësi deri në fund të vitit 2024. Kemi disa investime aktuale në infrastrukturë dhe në të ardhmen numri i tyre do të rritet dukshëm, duke marrë parasysh synimet e Qeverisë për vazhdimin e rritjes së buxhetit të dedikuar për arsim”, tha Janevska.

Prishtinë - Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për vazhdimin e afatit për ndërrimin e patentë shoferëve serbë të lëshuara për qytetarët në Kosovë, shoferët të cilët nuk do t'i ndërrojnë lejet deri të premten do të përballen me dënime nga 500 deri 1.500 euro. Zëvendëskomandanti i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani deklaroi se patentë shoferët serbë pas skadimit të këtij afati do të konsiderohen të pavlefshëm, ndërsa shoferët me dokumente të tilla do të dënohen sikur të mos kishin patentë shoferë.

Prishtinë - Në ceremoninë e rastit në Prishtinë, sot u nënshkrua marrëveshje për grant në vlerë prej 34,5 milionë dollarëve për objektiva zhvillimore mes Kosovës dhe Agjencisë së Sheteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillim ndërkombëtar, USAID, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Siç kumtoi shërbimi për informim i Presidencës së Kosovës, amandamentin numër 6 të marrëveshjes për grant për objektiva zhvillimore e nënhskruan presidentja Vjosa Osmani, në emër të Republikës së Kosovës, dhe Meri Elien Devit, në emër të USAID-it.

Nikozi - U larguam nga Maqedonia e Veriut me ndjenja pozitive, patëm bashkëpunim të shkëlqyeshëm, jemi të kënaqur që ndihmuam dhe ishim të dobishëm për njerëzit, theksoi Andreas Antoniu, shef dhe koordinator i misionit qipriot që mori pjesë në shuarjen e zjarreve tek ne, dhe në të njëjtën kohë shprehu shpresën se atmosfera e krijuar pozitive do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina. Në periudhën prej 7 deri më 14 gusht, dy avionë të tipit “Air tractor” me katër anëtarë ekuipazhi dhe pesë personel mbështetës tokësor nga Qiproja, në kuadër të asistencës nga mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile, morën pjesë në përballjen me zjarrin në Maqedoninë e Veriut.

Sanski Most – Dy persona kanë mbetur të vrarë, ndërsa një është plagosur rëndë nga të shtënat në një gjimnaz në Sanski Most, bëhet e ditur nga informacionet fillestare të mediave boshnjake. Siç konfirmohet nga MPB e BeH-së, një i punësuar i shkollës së mesme lokale ka qëlluar drejtorin, sekretaren dhe profesorin e kësaj shkolle.

Paris - Legjenda e kinemasë Alen Delon i cili vdiq më 18 gusht në moshën 88 vjeçare do të varroset të shtunën. Këtë për mediat franceze e ka konfirmuar prifti katolik i cili duhet të mbajë komemoracionin. Zhan-Mishel Di Falko, ish peshkop në qytetin juglindor francez të Gapit tha se aktori i kishte kërkuar atij të kryente shërbimin funeral. Por Delon, nuk donte një varrim para syve të gjithë kombit dhe publikut botëror, por vetëm një mbledhje të njerëzve më të afërt.

Mogadishu - Dhjetë persona, mes të cilëve shtatë anëtarë të forcave të sigurisë, dy civilë dhe autori, kanë humbur jetën në një shpërthim të automjetit- bombë në një pikë kontrolli në Mogadishu, njoftoi sot policia somaleze, transmeton DPA. "Personeli i sigurisë ka tentuar të ndalojë veturën pasi po afrohej deri te pika e kontrollit me shpejtësi të madhe", deklaroi zëdhënësi i policisë. DPA njofton se përgjegjësinë për sulmin e mori grupi terrorist islamik "Al-Shabab".

QËNDRONI TË LIDHUR