• e premte, 16 gusht 2024

Osmani: Deklaratat e Stanos për urën e Ibrit janë raciste, dialogu me Serbinë për këtë është antikushtetues

Osmani: Deklaratat e Stanos për urën e Ibrit janë raciste, dialogu me Serbinë për këtë është antikushtetues

Prishtinë, 15 gusht 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, për hapjen e urës në lumin Ibër, janë raciste dhe nëse veprohet ashtu siç kërkon ai, gjegjësisht çështja për të biseduar me Serbinë, do të jetë kundër Kushtetutës dhe kundër sovranitetit të Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Stano këto ditë deklaroi nëse autoritetet në Prishtinë ndërmarrin veprime të njëanshme për hapjen e urës që ndan qytetin e Mitrovicës në një pjesë jugore, të banuar me shumicë shqiptarë dhe një pjesë veriore, me shumicë serbe, Bashkimi Evropian mund të marrë sanksione shtesë kundër Kosovës.

Presidentja e Kosovës gjatë qëndrimit të sotëm në Lipjan, para gazetarëve deklaroi se sllovaku Stano nuk i pyet shtetet fqinje kur e kalon një urë në shtetin e tij. Kështu, ajo tha se dhe Serbia nuk duhet të pyetet për një urë në territorin e Kosovës.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështu që nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste, gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel, nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi, më duket është nga Sllovakia, që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës", tha Osmani.

Ajo tha se askush në Kosovë "nuk duhet të pranojë dialog me Serbinë për këtë temë", ndërsa koordinimi me aleatët është para së gjithash në interes të Kosovës.

"Ky (dialogu me Beogradin) do të ishte kundër kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës, por dialogu me shpëtimtarët tanë, jo vetëm që është e nevojshme dhe domosdoshme, por është në interesin tonë mbi të gjitha”, tha Osmani. ls/ 

QËNDRONI TË LIDHUR