• e shtunë, 17 gusht 2024
MIA Flesh

9:00/ 8 gusht/ 2024

Shkup - Pa rrymë sot do të mbeten disa pjesë të komunave Gazi Babë, Zelenikovë dhe Aerodrom në Shkup. Siç kumtuan nga QRMK-Shkup, në periudhën prej orës 08:00 deri ora 14:00, pa rrymë do të jenë shfrytëzuesit nga Kampi për stërvitje Vardar dhe Ndërtesat banesore te Kampi për stërvitje Vardar. Nga ora 09:00 deri ora 15:00 pa energji elektrike do të jenë shfrytëzuesit nga fshtrat Taor, Studeniçan, Moranë, Novosellë. Gradovc, Gumalevë, Oreshan, Smesnicë, Tisovicë, Dejkovc, Dobrinë, Zelenikovë, ndërsa në periudhën prej orës 08:00 deri ora 16:00, shfrytëzuesit e rrugës 2 në Lisiçe të Poshtme.

Shkup - Moti do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Pasdite kryesisht në pjesët perëndimore do të ketë paraqitje lokale të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Do të fryejë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 10 deri 21, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 32 deri 38 gradë. Indeksi UV do të jetë 8. Në Shkup mot me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryejë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie deri në 17, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 37 gradë.

Bruksel - Muaji i kaluar ishte korriku i dytë më i ngrohtë në histori, duke i dhënë fund një serie 13 mujore në të cilën çdo muaj ishte më i ngrohti, pjesërisht i nxitur nga ngrohja globale për shkak të fenomenit klimatik El Nino, publikoi sot Shërbimi evropian për ndryshime klimatike, Kopernikus. Sipas raportit mujor, korriku ishte 1.48 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale nga 1850-1990, ndërsa 12 muajt e fundit ishin 1.64 gradë mbi mesataren para-industriale për shkak të ndryshimeve klimatike. Në korrik të këtij viti janë shënuar edhe dy ditët më të ngrohta në historinë e matjeve

Bruksel - Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel, deklaroi se pret që qeveria izraelite të distancohet nga ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotriç i cili dje deklaroi se beson se bllokimi i ndihmës humanitare për Rripin e Gazës është i "arsyeshëm dhe moral" madje edhe nëse dy milionë civilë vdesin nga uria.  "Uria e qëllimshme e civilëve është një krim lufte: ministri Smotriç që e mbron atë është më se i turpshëm”, shkroi Borrell në platformën X.

Vjenë - Situata e sigurisë rreth sulmit të planifikuar në koncertet e Tejlor Suift në Vjenë ishte shumë serioze dhe është shmangur tragjedia, deklaroi kancelari austriak Karl Nehamer pasi janë anuluar tre koncerte të pop këngëtares. Shërbimet e sigurisë njoftuan se ishte planifikuar sulm terrorist në stadium. Nehamer në rrjetin X ka shkruar se falë bashkëpunimit intensiv të policisë austriake me shërbimet e huaja, kërcënimi është identifkuar herët dhe është penguar tragjedi.

Londër - Një numër rekord prej afro 2000 incidentesh antisemite kanë ndodhur në Britaninë e Madhe në gjysmën e parë të këtij viti, ka bërë të ditur një organizatë joqeveritare. Fondacioni për siguri të komunitetit (CST) kumtoi se 1.978 incidente nga janari deri në qershor janë dyfishi i numrit për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (964) dhe totali më i lartë i raportuar në gjysmën e parë të vitit. Ministrja e Punëve të Brendshme, Ivet Kuper i quajti nivelet e urrejtjes "me të vërtetë të tmerrshme", njoftoi DPA. Organizata, e cila e ndjek antisemitizmin dhe është përgjegjëse për sigurinë e komunitetit hebre të Britanisë, tha se retorika ose imazhet e lidhura me Izraelin, Gazën, sulmin ose luftën e Hamasit janë shfaqur në më shumë se gjysmën e incidenteve të regjistruara - 1.026.

Bruksel - Forcat e sigurisë në Gjermani janë vënë në gjendje gatishmërie për shkak të tensioneve në Lindjen e Afërt, njoftoi ministrja e punëve të brendshme Nensi Feser, informon DPA. "Me kujdes ndjekim si përshkallëzimi i ardhshëm eventual do të ndikojë në situatën e sigurisë në Gjermani", deklaroi Feser për gazetën "Rajnishe post".  Ajo theksoi se rreziku nga përshkallëzimi i ardhshëm në Lindjen e Afërt është i lartë dhe e përshkroi situatën si "jashtëzakonisht të rrezikshme". Qeveria gjermane, bashkë me partnerët e saj ndërkombërtarë, punon shumë për qetësim të situatës, shtoi Feser.

Otavë - Qeveria kanadeze kumtoi se ka vendosur t'i tërheq fëmijët e diplomatëve të saj nga Izraeli për shkak të druarjes nga eskalimi i konfliktit në Lindjen e Afërt. Në kumtesë të Ministrisë kanadeze të Punëve të Jashtme, thuhet se reparti ka miratuar transfer të fëmijëve të diplomatëve dhe kujdestarëve të tyre në vend të tretë të sigurtë.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden deklaroi se nuk është i sigurt se në SHBA do të ketë një transferim të qetë të pushtetit në janar të vitit 2025, nëse ish presidenti Donald Tramp humb në zgjedhje. "Ai mendon atë që thotë. Ne nuk e marrim seriozisht. Ai mendon kështu. Të gjitha ato fjalë për 'nëse humbasim, do të derdhet gjak, [zgjedhjet] do të vidhen'", deklaroi Bajden në një intervistë për "Si-Bi-Es Njuz" që do të transmetohet të dielën, më 11 gusht. Kjo është intervista e tij e parë që kur paralajmëroi se do të tërhiqet nga gara presidenciale në vitin 2024 dhe se e përkrah nënpresidenten Kamala Haris për kandidat presidencial nga Partia Demokratike.

Meksiko Siti - Ambasada e Ukrainës në Meksikë i bëri thirrje qeverisë meksikane që të arrestojë presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), nëse ai arrin në Meksikë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentes së sapozgjedhur Klaudia Shejnbaum. "Ne kemi besim në qeverinë meksikane që të respektojë urdhërarrestin ndërkombëtar" për Putinin dhe "ta dorëzojë atë në gjykatën e OKB-së në Hagë" nëse ai arrin për inaugurimin e Shejnbaum më 1 tetor, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane.

Karakas - Autoritetet venezueliane akuzuan katër gazetarë për "terrorizëm" pasi ishin arrestuar gjatë kohës së trazirave paszgjedhore në vend, njoftoi sindikata lokale e gazetarëve. Protestat shpërthyen në Venezuelë disa orë pasi presidenti Nikollas Maduro ishte shpallur fitues në zgjedhjet e 28 korrikut.  "E dënojmë përdorimin e jashtëligjshëm dhe arbitrar të ligjeve antiterroriste në Venezuelë, veçanërisht kundër gazetarëve dhe fotoreporterëve gjatë kohës së protestave paszgjedhore në vend", thuhet në kumtesën e sindikatës venezueliane të punëtorëve medialë.

QËNDRONI TË LIDHUR