• e shtunë, 17 gusht 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 9 gusht/ 2024

Kumanovë - Në hapësirat e Qendrës rajonale për arsim dhe aftësim profesional “Kiro Burnaz” në Kumanovë sot do të mbahet prezantimi i objekteve të rikonstruktuara dhe rinovuara të kësaj qendre arsimore. Rikonstruimi i këtij objekti, siç njoftojnë organizatorët e këtij aktivitetit është realizuar me ndihmën e Bashkimit Evropian përmes projektit “BE për të rinjtë”. Është paralajmëruar që në prezantim fjalim të mbajnë zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës prof. dr. Lulzim Aliu, si dhe  shefi i departamentit në Delegacionin e BE-së Aleksandru Albu, lideri i ekipit të projektit të Asistencës teknike të Marrëveshjes për zbatimin e reformave në sektorin "BE për të rinjtë" Galia Bojanova dhe drejtoresha e QRAAP "Kiro Burnaz” Vesna Trajkovska.

Shkup - Në VK Tabanoc për hyrje dhe VL Bogorodicë për dalje nga shteti, ka frekuencë të rritur të automjeteve, gjë që është karakteristike për periudhën verore, por njëjtë si dhe në vendkalimet tjera, nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka ndalesa më të gjata, kumtoi LAMM. Komunikacioni në rrugët tjera shtetërore po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Pasdite në disa vende do të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fuqishme. Lokalisht do të ketë kushte për mot të ligë me shi më të rrëmbyeshëm intensiv, erë të fuqishme dhe paraqitje të breshrit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 10 deri 20, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 30 deri 38 gradë. Indeksi UV do të jetë 7. Në Shkup mot me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryejë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie deri në 16, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 37 gradë.

Sofje - Kryeministri teknik bullgar Dimitar Glavçev tërhiqet nga gatishmëria e shprehur për të pranuar postin e ushtruesit të detyrës së kryeministrit për herë të dytë me qëllim të uljes së tensionit politik, njoftoi Këshilli i Ministrave në ueb faqen e saj, transmeton BTA.Glavçev falënderoi ekipin e tij për punën e tyre. Ai do të vazhdojë të mbajë detyrën derisa të emërohet një ushtrues i ri i detyrës së kryministrit. Në konferencën e mbajtur më 5 gusht në Këshillin e Ministrave, Dimitar Gllavçev deklaroi se do ta pranonte postin e kryeministrit të përkohshëm nëse ia ofron sërish presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Moskë  - Një bazë ajrore ushtarake po digjet në rajonin rus Lipeck, pothuajse 300 kilometra larg kufirit me Ukrainën, në një zonë të goditur mbrëmë nga sulmet e dronëve ukrainas, njoftuan mediat ruse. “Një zjarr shpërtheu në aeroportin ushtarak në rajonin Lipeck”, kumtoi Ministria rajonale për situata të jashtëzakonshme, pa specifikuar nëse zjarri ishte shkaktuar nga sulmi ukrainas. Natën e kaluar, një sulm "i madh" me dron ndodhi në rajonin Lipeck, i cili nuk kufizohet me Ukrainën, ku një termocentral u dëmtua, deklaroi më herët guvernatori rajonal.

Uashington - Departamenti i Shtetit vëzhgon se si autoritetet ruse vazhdimisht po bëjnë përpjekje ta kufizojnë qasjen e qytetarëve në informacione, dhe lajmi se Kremlini e konteston dhe bllokon punën e Jutjubit është edhe një konfirmim për këtë, deklaroi mbrëmë zëdhënësi Methju Miler. Deklarata vjen pasi shfrytëzuesit në Rusi u ankuan për pengesa dhe mungesë të qasjes në Jutjub në atë vend. Miler theksoi se autoritetet ruse po bëjnë përpjekje të mëdha që ta kufizojnë qasjen e njerëzve në informacione të pavarura. 

Karakas - Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, publikoi se rrjeti social X është “pezulluar” për dhjetë ditë. Agjencia përgjegjëse për telekomunikacionet "vendosi të pezullojë qasjen në rrjetin social X për një periudhë prej 10 ditësh", tha Maduro, duke theksuar se kjo është me sugjerimin e tij. “Askush nuk do të më heshtë, unë do t’i rezistoj spiunazhit të perandorisë teknologjike”. Elon Musk është pronar i X dhe ka thyer të gjitha rregullat e rrjetit social duke nxitur urrejtje dhe fashizëm”, vazhdoi Maduro, i cili e akuzon rregullisht miliarderin amerikan për komplot kundër tij.

Tokio- Japonia për herë të parë ka lëshuar paralajmërim për rrezik të shtuar të një tërmeti të fuqishëm në të ardhmen e afërt. Paralajmërimi është lëshuar mbrëmë duke u bërë thirrje njerëzve të jenë të kujdesshëm, por të mos evakuohen. Poashtu është theksuar se paralajmërimi nuk do të thotë se është i pashmangshëm një tërmet i madh, por se ka më shumë gjasa që të ndodhë. Paralajmërimi vjen vetëm disa orë pasi një tërmet me magnitudë 7.1 ballë të shkallës së Rihterit goditi ishullin jugor Kjushu, por nuk ka shkaktuar dëme të mëdha.

Uashington - SHBA-ja, Katari dhe Egjipti i bënë thirrje Izraelit dhe grupit palestinez Hamas që t'i vazhdojnë bisedimet për armëpushim në Gazë dhe për marrëveshje për lirimin e pengjeve më 15 gusht, informon DPA. "Është koha që të sigurohet lehtësim urgjent edhe për popullin e shumëvuajtur në Gazë dhe i pengjeve të shumëvuajtura dhe familjeve të tyre", theksuan liderët e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit në një deklaratë të përbashkët. 

Los Anxhelos - Senatorja demokrate nga Kalifornia njoftoi mbrëmë se po kalon në Partinë Republikane, duke kritikuar lidershipin dhe politikat e ish-partisë së saj. Mari Alvarado-Hill tha se gjatë kohë është një demokrate, por ajo dhe Partia Demokratike nuk ndajnë më të njëjtat vlera pasi u zgjodh në 2022. "Për dy vitet e fundit që kur kam qenë në Senat, nuk e njoh partinë ku i përkas," tha Alvarado-Hill. "Partia Demokratike nuk është partia që kam nënshkruar për dekada më parë."

Nju Jork - Vendet anëtare të KB-së kanë miratuar dokumentin e parë për luftë kundër krimit kibernetik, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të mbrojtësve të të drejtave të njeriut të cilët paralajmëruan kundër aspektit global të mbikëqyrjes. Pas tre vitesh negociata dhe një sesion dyjavor në Nju Jork, "Konventa e KB-së kundër krimit kibernetik" u miratua me konsensus dhe do t'i dorëzohet Asamblesë së përgjithshme të Organizatës botërore për miratim zyrtar. Konventa e re e cila mund të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga 40 vende ka për qëllim "të luftojë krimin kibernetik në mënyrë më efektive" dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë, veçanërisht në lidhje me luftën kundër pornografisë së fëmijëve ose pastrimit të parave.

Nagasaki - Nagasaki sot e shënoi 79-vjetorin e bombardimit amerikan me bombë atomike mbi qytet në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa kryetari Shiro Suzuki në ngjarjen përkujtimore bëri thirrje për heqje të armës bërthamore për shkak të shqetësimit të rritur për përdorim të tij të mundshëm. Në ngjarjen përkujtimore të këtij viti, disa ambasadorë e anuluan pjesëmarrjen e tyre pasi qyteti në Japoninë jugperëndimore vendosi që të mos i ftojë përfaqësuesit e Izraelit në ngjarjen përkujtimore.

QËNDRONI TË LIDHUR