• e hënë, 07 tetor 2024

Po merren në pyetje dëshmitarët të cilët kanë përgatitur superekspertizën për Llaskarcën

Po merren në pyetje dëshmitarët të cilët kanë përgatitur superekspertizën për Llaskarcën

Shkup, 30 maj 2023 (MIA) - Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot janë duke u marrë në pyetje dëshmitarët të cilët kanë përgatitur superekspertizën për aksidentin e autobusit në afërsi të Llaskarcës ku jetën e humbën 16 persona dhe rreth 30 të tjerë u lënduan. Prokurori publik Darko Jakimovski ka marrë në pyetje ekspertin Jakup Mamuti lidhur me superekspertizën, për të cilin eksperti ka deklaruar se kanë punuar për më pak se një vit.

“Po dëgjohen dëshmitarë të cilët kanë përgatitur superekspertizën lidhur me aksidentin në Llaskarcë. Ditën që vizituam vendin ku ndodhet autobusi, për ne, nuk kishte shumë elemente të nevojshme dhe rrethana të rëndësishme lidhur me ekspertizën. Ndërsa ditën që vizituam vendin e fatkeqësisë, kryem inspektim në një zonë më të gjerë në vendin e aksidentit. Bëmë disa matje që ishin të nevojshme për përpilim të ekspertizës dhe disa gjëra të tjera më të imëta”, tha eksperti Jakupi.

I pyetur se cilët persona kanë qenë të pranishëm gjatë këtyre aktiviteteve, ai u përgjigj se nuk kanë qenë të gjithë, duke shtuar se ata shpesh shkonin atje me iniciativë të tyre.

Jakupi deklaroi se nga kolegët që kanë përgatitur superekspertizën kanë mësuar se autobusi nuk ka qenë shkaktar i aksidentit dhe nuk është përgjigjur konkretisht në pyetjen nëse ka shenja se nuk ka pasur aktivizim të sistemit për frenimin e autobusit.

Superekspertizën të cilën Gjykata e urdhëroi në dhjetor të vitit 2021 është refuzuar nga fakultetet në shtet me shpjegimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme ose nuk janë kompetentë për të njëjtën. Pasi fakultetet kanë refuzuar, lënda është dërguar në Byronë e ekspertizës ligjore e cila ka mundësi të formojë ekipin e ekspertëve të licencuar të cilët do të bëjnë superekspertizën.

Superekspertiza ka arritur në Gjykatën penale në dhjetor. Më pas ka pasur fillim formal të procesit e cila nisi me dëgjimin e personave ekspertë të cilët kanë përgatitur superekspertizën, që sipas ekspertëve është konstatuar se aksidenti i autobusit nuk ka qenë i karakterit mekanik.

Të akuzuar në rastin për aksidentin në Llaskarcë që ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019 janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë "Durmo Turs", përgjegjësi për transport në firmë, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski të cilët akuzohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion. Ndërsa, tre të punësuarit në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëpjesëmarrje në veprën e njëjtë. 

Procesin gjyqësor për aksidentin që filloi në shtator të vitit 2019 e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik, Darko Jakimovski.

 

QËNDRONI TË LIDHUR