• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski nuk pret turbulenca në FSPIM me rritjen lineare të pensioneve

Mickoski nuk pret turbulenca në FSPIM me rritjen lineare të pensioneve

Shkup, 7 tetor 2024 (MIA) - Propozim- buxheti për vitin e ardhshëm do të duhet të gjendet në seancën qeveritare më 16 tetor. Në të do të shihet të mos rritet deficiti buxhetor, ndërsa aktivitet ekonomik ndër të tjera pritet me kredinë hungareze dhe fillimin e punës së “Fenit”, paralajmëroi sonte kryeministri Hristian Mickoski.

Mickoski nuk pret ndonjë çrregullim në stabilitetin e Fondit për sigurim pensional dhe invalidor me rritjen lineare të pensioneve. Ai thotë se paratë janë siguruar. Si do të jetë nivelimi i mëtutjeshëm i pensioneve nga shtatori i vitit të ardhshëm, si dhe në vitin 2026 dhe 2027, sipas Mickoskit, do të varet si do të jenë të ardhurat dhe si do të funksionojë ekonomia e Maqedonisë.

"Prandaj flasim me shumë kujdes dhe premtojmë me shumë kujdes. Nuk duam të themi diçka që nuk do ta përmbushim. Ajo që ishim të sigurt se do ta realizonim, e bëmë. Do të doja që kjo traditë e rritjes lineare të vazhdojë, por kjo do të varet nga të hyrat që do të vijnë në buxhet ku thellësisht jam i bindur se do të jenë edhe më pozitive se këto supozime fillestare që do të përmbahen në buxhet në shkallën e të hyrave", ka thënë Mickoski në intervistën për Studio e Hapur- “100 ditët e qeverisë” në RTVM.

Lidhur me mundësinë për goditje të re çmimesh për rrymën, kryeministri tha se është optimist dhe se nuk pret rritje të çmimit të energjisë elektrike pavarësisht situatës me Ukrainën ku sistemi elektroenergjetik është i shkatërruar dhe se ajo do të tërheqë energji elektrike nga tregu evropian.

"Kemi plan dhe hapa të qartë. Unë jam optimist, nuk pres goditje çmimesh", tha Mickoski.

Foto: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR