Pesë vjet pas epidemisë, miliona njerëz edhe më tej vuajnë nga Kovidi i zgjatur
- Tre vjet më parë, Andrea Vanek studioi për t'u bërë mësuese arti, por marramendja dhe takikardia filluan ta bënin të pamundur që të bënte edhe shëtitje të shkurtra. Pasi bëri disa vizita tek mjekë të ndryshëm, ajo u diagnostikua me Kovid të zgjatur dhe deri në këto momente ajo e kalon pjesën më të madhe të kohës në dhomën e vogël të ndenjes së apartamentit të saj në katin e tretë në Vjenë, duke parë botën që nga dritarja.
Zëri i Amerikës
Tre vjet më parë, Andrea Vanek studioi për t'u bërë mësuese arti, por marramendja dhe takikardia filluan ta bënin të pamundur që të bënte edhe shëtitje të shkurtra. Pasi bëri disa vizita tek mjekë të ndryshëm, ajo u diagnostikua me Kovid të zgjatur dhe deri në këto momente ajo e kalon pjesën më të madhe të kohës në dhomën e vogël të ndenjes së apartamentit të saj në katin e tretë në Vjenë, duke parë botën që nga dritarja.
“Nuk mund të planifikoj asgjë sepse thjesht nuk e di se sa do të zgjasë kjo sëmundje”, tha 33-vjeçarja Vanek për AFP-në.
Rastet e para të Kovidit u zbuluan në Kinë në dhjetor të vitit 2019, duke shkaktuar një pandemi globale dhe më shumë se shtatë milionë vdekje të raportuara deri më sot, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Por, miliona të tjerë kanë Kovid të zgjatur, disa duke luftuar për t'u rikuperuar nga faza akute e Kovidit, duke përjetuar simptoma të tilla si lodhje, memorie të dobët dhe vështirësi në frymëmarrje.
Vanek përpiqet të jetë e kujdesshme, që të mos e llodhë veten, për të shmangur komplikimet e reja që herën e fundit shkaktuan dobësi të muskujve, gjendje kjo që mund të zgjasë me muaj, aq sa edhe hapja e një shishe me ujë është e vështirë.
"Ne e dimë se Kovid-i i zgjatur është një problem i madh," tha Anita Xhain nga Programi i Emergjencave të OBSH-së.
Rreth gjashtë për qind e njerëzve të infektuar me koronavirus kanë KOVID-19 të zgjatur, informon OBSH-ja, e cila deri më tani ka regjistruar rreth 777 milionë raste.
Ndërsa normat e Kovid-it të zgjatur pas infeksionit fillestar janë në rënie, rritet rreziku i riinfeksionit, shton Xhain.
"Kam dhimbje kudo," thotë Shantal Brit, e cila jeton në Bernë, Zvicër, e cila u infektua me Kovid në mars të vitit 2020
“Dikur kam qenë njeri që zgjohej herët, tani më duhen të paktën dy orë të zgjohem në mëngjes sepse kam dhimbje kudo. Nuk kam më shpresë se do të jem mirë në mëngjes”, thotë Shantal, e cila është 56 vjeçare dhe një ish-maratoniste.
Sipas OBSH-së, rreth 15 për qind e atyre me KOVID-19 të zgjatur kanë simptoma për më shumë se një vit, ndërsa gratë priren të kenë një rrezik më të lartë të zhvillimit të kësaj gjendje sesa burrat.
Brit thotë se dikur ishte tamaqare e punës por tani punon me orar të shkurtuar si studiuese universitare për gjendjet e Kovidit të zgjatur dhe çështje të tjera. Ajo humbi punën e saj në komunikim në vitin 2022 pasi kërkoi t'i reduktoheshin orët e punës.
Asaj i mungon sporti, që dikur ishte si terapi për të dhe tani i duhet të planifikojë më shumë aktivitetet e saj të përditshme, si të mendojë për një vend ku mund të ulet dhe të pushojë kur shkon në pazar. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur nuk ka mirëkuptim nga të tjerët që e rrethojnë.
“Është një sëmundje e padukshme që mbart një stigmë. Madje edhe njerëzit që janë vërtet të prekur keq, që janë në shtëpi, në një dhomë të errët, ku çdo prekje i dhemb, çdo zhurmë i pengon, nuk duken sikur janë të sëmurë”, tha ajo.
Xhain i OBSH-së tha se mund të jetë e vështirë për punonjësit e shëndetësisë që të diagnostikojnë këtë gjendje shëndetësore dhe se dallimi i kësaj gjendjeje është thelbësore. Më shumë se 200 simptoma janë renditur përveç atyre të zakonshme si lodhja, vështirësia në frymëmarrje dhe mosfunksionimi kognitiv.
"Fokusi i madh tani është të ndihmojmë pacientët, të ndihmojmë mjekët me mjetet për të diagnostikuar me saktësi Kividin e zgjatur dhe zbulimin e hershëm," tha ajo.
Pacientët si Vanek gjithashtu kanë edhe probleme financiare. Ajo ka nisur dy procedura ligjore për të marrë ndihma suplementare, por të dyja nuk kanë filluar ende. Ajo tha se më pak se 840 dollarë që merr si ndihmë nuk mund të mbulojnë shpenzimet e saj, të cilat përfshijnë fatura të larta mjekësore për një numër ilaçesh që ndihmojnë mbajtjen nën kontroll të simptomave të saj.
“Është shumë e vështirë për studentët që kanë një Kovid të zgjatur. Po fundosemi në të çarat e sistemit social, të paaftë për të punuar”, tha ajo.
Brit gjithashtu dëshiron kërkime më të mira dhe më rrënjlsore për gjendje shëndetësore si Kovidi i zgjatur.
“Duhet t’i kuptojmë më mirë sepse do të ketë më shumë pandemi dhe ne do të jemi injorantë siç ndodh gjithmonë”, tha ajo