• e enjte, 15 gusht 2024

Në betejën me zjarret në Shqipëri janë përfshirë dy aeroplanë rumunë

Në betejën me zjarret në Shqipëri janë përfshirë dy aeroplanë rumunë

Tiranë, 14 gusht 2024 (MIA) - Dy aeroplanë të Forcave të Armatosura të Rumanisë mbërritën sot në Shqipëri, duke iu bashkuar përpjekjeve të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona problematike të vendit.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, sipas së cilës dy aeroplanët vijnë si mbështetje nga Mekanizmi Evropian për Mbrojtjen Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.

"Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t’u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Piro Vengu ishte i pranishëm në mbërritjen e dy aeroplanëve nga Rumania, me ekuipazhin e tij, dhe i falenderoi autoritetet rumune për ndihmë në këto momente të rënda për vendin. 

Njëri aeroplan është model C-27J (Spartan), që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve, si dhe tjetri C-130 (Hercules), i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është gjashtë ton ujë për çdo fluturim.

Në Shqipëri, ku janë ndezur një numër i madh zjarresh, situata është më kritike në Parkun Kombëtar “Prespa”, pranë Pustecit.

Pavarësisht përfshirjes maksimale të njësive zjarrfikëse nga disa bashki të qarkut të Korçës, ku bën pjesë edhe Pusteci territorialisht, forcat e ushtrisë dhe policisë dhe popullatës vendase, zjarri ka qenë aktiv prej tetë ditësh, gjatë të cilave janë djegur më shumë se 200 hektarë. qa

Foto: MM Shqipëri

 

QËNDRONI TË LIDHUR