• e enjte, 15 gusht 2024

Gjermania: Mbështetja për Ukrainën nuk varet nga hetimi i "Rrjedhës veriore"

Gjermania: Mbështetja për Ukrainën nuk varet nga hetimi i

Berlin, 14 gusht 2024 (MIA) - Gjermania sot kumtoi se mbështetja e saj për Ukrainën do të vazhdojë të jetë e palëkundur, pavarësisht nga rezultatet e hetimit për sabotimin e tubacioneve të gazit "Rrjedha veriore" në shtator 2022.

Zëvendës zëdhënësi i qeverisë gjermane, Volfgang Bunher, deklaroi para gazetarëve në Berlin se hetimi, në kuadër të të cilit sot Polonisë i është dorëzuar një urdhër-arrest evropian për një shtetas ukrainas, nuk do të ndryshojë "faktin që Rusia është duke zhvilluar një luftë të paligjshme kundër Ukrainës."

“Hetimi është kryer në përputhje me ligjin, i pavarur nga personi dhe plotësisht i paanshëm”, tha Bunher. Ai shtoi se hetimi është "i prioritetit më të lartë".

I dyshuari në këtë rast është Volodimir Z, një shtetas ukrainas, i cili, sipas autoriteteve polake, u pa për herë të fundit në Poloni pasi kishte hyrë në vend nga Ukraina në korrik.

Tubacionet "Rrjedha veriore" 1 dhe 2 u dëmtuan nga disa shpërthime më 26 shtator 2022. Shpërthimet ndodhën pranë ishullit danez Bornholm në Detin Baltik dhe pak më vonë u zbuluan katër rrjedhje në tre nga katër tubacionet.

Hetimi për shpërthimet e vitit 2022 në tubacionet ruse të gazit "Rrjedha veriore" në Detin Baltik po ndjek një gjurmë ukrainase pasi u bë e ditur se një urdhër gjerman ishte lëshuar për një zhytës ukrainas të dyshuar për përfshirje në sabotim së bashku me dy ukrainas të tjerë.

Ky zhvillim i fundit në rastin misterioz, i cili është nën hetim prej gati dy vitesh, u zbulua sot nga mediat gjermane – kanali televiziv publik AER De dhe gazetat prestigjioze “Cajt" dhe "Zidojçe cajtung".

Prokurorët polakë konfirmuan se në qershor ata morën një urdhër arresti evropian të lëshuar nga zyra e prokurorisë federale gjermane për një ukrainas që jetonte në Poloni në atë kohë, i identifikuar si Volodimir Z. Sipas rregullave evropiane për ndihmën e ndërsjellë juridike, autoritetet polake kishin 60 ditë për t'iu përgjigjur kërkesës gjermane dhe për të arrestuar të dyshuarin.

Sipas mediave gjermane, instruktori ukrainas i zhytjes Volodimir Z.,  jetonte jo larg Varshavës. Ai dyshohet nga gjyqësori gjerman se së bashku me dy zhytës të tjerë ukrainas, të paraqitur nga mediat gjermane si Evgen U. dhe Svetlana U., morën pjesë në sabotimin e tubacionit të gazit në thellësi të Detit Baltik.

Autoritetet gjermane janë shumë të befasuar nga mosbashkëpunimi i Polonisë në këtë hetim, raportojnë mediat gjermane, duke përmendur bashkëpunëtorët e mundshëm të treshes ukrainase në Poloni.

Sipas mediave gjermane, megjithatë, në këtë fazë nuk ka prova që sugjerojnë se të dyshuarit ukrainas po vepronin me urdhër të autoriteteve ukrainase, shërbimeve sekrete ose forcave të armatosura të vendit të tyre.

Kievi mohon çdo përgjegjësi për sabotimin. "Unë kurrë nuk do ta bëja këtë," deklaroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski për gazetën gjermane "Bild" në qershor 2023.

Në mars të vitit 2023, Njujork Tajms publikoi, bazuar në informacionin e marrë nga inteligjenca amerikane, se një "grup pro-ukrainas" qëndronte pas sabotazhit, por pa përfshirjen e autoriteteve ukrainase.

Më 26 shtator 2022, katër rrjedhje masive gazi, të paraprira nga shpërthime nënujore, ndodhën brenda disa orësh nga njëra-tjetra përgjatë "Rrjedha veriore" 1 dhe 2, tubacione që lidhin Rusinë me Gjermaninë dhe transportojnë pjesën më të madhe të gazit rus në Evropë. Në momentin e shpërthimeve, gazsjellësit nuk ishin në funksion. ls/

Foto: Arkiv 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR