• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bislimi: BE kërcënon me masa të reja ndaj Kosovës nëse zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel

Bislimi: BE kërcënon me masa të reja ndaj Kosovës nëse zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel

Prishtinë, 14 gusht 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se hapja e urës në lumin Ibër, e cila lidh pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës, të banuar me shumicë shqiptare, dhe pjesën veriore, me shumicë serbe, nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë apo çështje e pazgjidhur nga dialogu, por që është kërkesë kryesore e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2015 dhe 2016, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Përmes një publikimi në platformën "X", Bislimi kujton se plani implementues i BE-së i 5 gushtit 2016 e konsideron hapjen e urës si “simbol të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera”.

Negociatori kryesor i Kosovës në dialogun me Serbinë përmend edhe Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2020, ku thuhet se “ura duhet të jetë e hapur për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa shtesë”.

“Hapja e urës Ibër në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës, as çështje e vonuar apo e pazgjidhur nga procesi i dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur përmes ndërmjetësimit të BE-së në vitin 2015 dhe 2016. Për më tepër, plani i zbatimit i BE-së i 5 gushtit 2016  e konsideron hapjen e urës si 'Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera'. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë", ka shkruar Bislimi.
 

Zëvendëskryeministri i Kosovës po ashtu ka theksuar se më 19 qershor të këtij viti, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka rekomanduar që të ketë një diskutim të brendshëm me serbët vendas në veri dhe që “partneri i Kuintës” , grupi i misioneve diplomatike i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, kërkuan rishikime teknike. 

“Gjatë vizitës së fundit të emisarit Lajçak në Kosovë më 19 qershor, gjatë takimit që patëm për urën e Ibrit, ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë sërish këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij është që të zhvillohen diskutime të brendshme me serbët lokalë në veri për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje. Ndërkohë një partner i Kuinta-s ka shtuar kërkesën për kontroll teknik”, ka shkruar Bislimi.

Ai tha se Qeveria në Prishtinë i ka ndjekur këto dy rekomandime dhe ka theksuar se BE-ja kërcënon Kosovën nëse e zbaton marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e BE-së dhe rekomandimet shtesë.

"Ne i kemi ndjekur të dyja këto rekomandime. Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë. Qeveria e Republikës së Kosovës beson fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive", ka shkruar Bislimi në platformën "X". ls/ 

 

QËNDRONI TË LIDHUR