• e shtunë, 23 nëntor 2024

Aeroplanët qipriotë me sukses e përfunduan misionin në Maqedoninë e Veriut për shuarjen e zjarreve

Aeroplanët qipriotë me sukses e përfunduan misionin në Maqedoninë e Veriut për shuarjen e zjarreve

Nikozia, 14 gusht 2024 (MIA) – Misioni i Qipros për ndihmë ndaj Maqedonisë së Veriut në përballjen me zjarret pyjore ka përfunduar, duke lënë përshtypjet më të mira operative dhe duke u kthyer në Qipro, deklaroi drejtori i sektorit të pylltarisë në Ministrinë e Bujqësisë, zhvillimit rural dhe mjedisit jetësor të Republikës së Qipros, Savas Iezekil për agjencinë qipriote të lajmeve KIPE, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Dy aeroplanë të tipit “Er traktor” me katër anëtarë të ekuipazhit dhe pesë persona për mbështetje tokësore nga Republika e Qipros kanë arrit në Shkup javën e kaluar, në kuadër të ndihmës nga mekanizmi i BE-së për mbrojtje civile, ndërsa ditët e kaluara kanë ndihmuar në shuarjen e zjarreve në lokacione të ndryshme në vendin tonë.

Drejtori i sektorit kompetent e ka karakterizuar misionin si shumë të suksesshëm, duke theksuar se “përmirësuam sistemet dhe ndihmuam Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë pesë ditëve të kërkuara nga BE-ja dhe sot (14 gusht) pasdite kthehen në Qipro bashkë me ekuipazhin”.

"Për pesë ditë kanë intervenuar në zona të ndryshme, kanë shuar shumë fronte të zjarrit", ka thënë Iezekil për Agjencinë e lajmeve të Qipros.

Lidhur me atë nëse zjarret në Maqedoninë e Veriut janë shuar, tha se ka ende, “sepse kanë shpërthyer në pyje me ah dhe dushk ku shuarja është shumë e vështirë dhe kërkon shumë forca tokësore, jo mjete ajrore”.

Nga Departamenti i pyjeve pranë Ministrisë së Bujqësisë, zhvillim rural dhe mjedis jetësor të Republikës së Qipros në rrjetet sociale dje publikuan fotografi të ndërhyrjeve të aeroplanëve qipriotë në komunën e Pehçevës dhe në Rabetino.

Aeroplanët e tipit "Er traktor" janë të pajisur me pajisje të përshtatshme për shuarjen e zjarrit si dhe pajisje të përshtatshme telekomunikuese për komunikim me Njësinë ajrore në Larnaka dhe transmetim të informacioneve dhe materialeve fotografike.

Që nga mesi i qershorit 2024, të dy aeroplanët janë pjesë e mekanizmit rescEU dhe misioni në vendin tonë ishte misioni i tyre i parë.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angellov, mëngjesin e sotëm ka përcjellë pilotët dhe personelin tjetër të aviacionit të dy aeroplanëve PP "Er traktor" nga Qipro, njofton QMK.

Siç thuhet në komunikatë, sipas mundësive teknike të aeroplanit dhe personelit, dy aeroplanët “Er traktor” dhanë maksimumin e tyre në përballjen me zjarret në vend.

Angellov shprehu mirënjohje të madhe për ndihmën ndaj tyre personalisht dhe vendit të tyre.

Foto: Ministria e Bujqësisë e Republikës së Qipros

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR