• e diel, 27 tetor 2024

Mishel për ENR/MIA: Me përforcimin e Ukrainës, edhe ne bëhemi më të fuqishëm

Mishel për ENR/MIA: Me përforcimin e Ukrainës, edhe ne bëhemi më të fuqishëm

Bruksel, 25 tetor 2024 (MIA) - Duke e bërë Ukrainën më të fortë edhe ne bëhemi më të fortë, sepse beteja për të mbështetur Ukrainën është gjithashtu një betejë për idetë, parimet dhe vlerat evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare, porositi Presidenti i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel, në intervistë për Redaksinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.

Ai kujtoi se BE ishte në gjendje të dërgonte ndihmë në Ukrainë që nga fundjava e parë pas fillimit të pushtimit rus, falë Mekanizmit Evropian të Paqes, duke ofruar kështu për herë të parë mbështetje ushtarake për një vend të tretë që nuk është anëtar i bllokut.

"Një lider atëherë luajti rol shumë të rëndësishëm, do të habiteshit kush, sepse ai shumë shpejt e kuptoi seriozitetin e situatës dhe organizoi urgjentisht dërgimin e armëve në Ukrainë," tha Mishel.

Sipas tij, BE-ja ka dy sfida në lidhje me Ukrainën - ushtarake, për ta bërë vendin sa më të fortë, dhe politike, për të siguruar paqen të bazuar në Kartën e OKB-së dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.

"Isha gjithmonë ndër ata që mendonin se duhet të bënim ma shumë e më shpejt. Ndonjëherë kishte debate, sepse disa kishin dilema nëse duhet të dërgonim tanke, avionë luftarakë, etj në Ukrainë... Por unë isha gjithmonë në anën e atyre që mendonin se duhej ta bënim shpejt dhe nuk ndryshova mendim", theksoi Mishel.

Ai theksoi se Plani i paqes i Presidentit ukrainas Vollodomir Zelenski është gjithashtu një thirrje për partnerët ukrainas që t'i japin vendit atë që i duhet që të jetë më i fortë. Prandaj, sipas Mishel, mbështetja financiare dhe shpërndarja e municioneve janë të rëndësishme, në mënyrë që ta bëjnë Ukrainën më të fortë,

"Duke e bërë Ukrainën më të fortë, edhe ne bëhemi më të fortë", konkludoi Mishel.

Beteja për të mbështetur Ukrainën, sipas tij, është gjithashtu një betejë për idetë, parimet dhe vlerat evropiane, për të drejtën ndërkombëtare dhe për të mos lejuar që narrativa ruse të përhapet në pjesën më të madhe të botës.

"Kjo është arsyeja pse angazhimi në pjesën tjetër të botës është i rëndësishëm, sepse nëse lejoni dikë tjetër të mbushë boshllëkun për ju, dikush tjetër mund të mos mbrojë vlerat dhe idetë e njëjta si ju", shtoi Mishel.

Në këtë kontekst, Mishel veçoi Korenë e Veriut, duke theksuar se nëse konfirmohej informacioni se vendi po dërgon trupat e tij në Rusi, kjo do të kontribuonte vetëm në një përshkallëzim shtesë.

"Kjo do të ishte një arsye tjetër për të bërë atë që po bëjmë – më shumë mbështetje për Ukrainën, mbështetje ushtarake dhe mbështetje financiare," përfundoi Mishel.

I pyetur nëse mund të mos ketë standarde të dyfishta në lidhje me Ukrainën dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, Mishel kujtoi se menjëherë pas "sulmeve të Hamasit ndaj popullit izraelit" më 7 tetor, BE dënoi një akt të tillë dhe shprehu mbështetje për të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e reciprocitetit.

"Si Këshill Evropian, ne jemi sistematikisht të qartë sa herë që flasim për këtë temë se e drejta ndërkombëtare duhet të respektohet gjithmonë dhe kudo. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të sjellim në situatë atë që e bën Kremlinin të pranueshëm dhe do të humbasim bazën tonë për mbështetjen e Ukrainës", tha Mishel.

Sipas tij, praktika e standardeve të dyfishta është e papranueshme dhe nëse BE-ja ka ambicie për të qenë më e fuqishme, më sovrane dhe të ketë ndikim më të madh, ajo nuk duhet të zbatojë standarde të dyfishta.

"Nëse zbatojmë standarde të dyfishta, do të humbasim autoritetin dhe besueshmërinë tonë," shtoi Mishel.

I pyetur nëse përshkallëzimi i fundit i tensioneve në Lindjen e Mesme mund të inkurajojë një fluks shtesë të emigrantëve në BE, Mishel theksoi se në përballjen me migrimin duhet të shqyrtohen edhe arsyet që e kanë shkaktuar dhe të gjenden mënyrat për tejkalimin e tyre.

"Ajo që po ndodh në Gaza është e frikshme, thjeshtë e frikshme. Kam frikë se çfarë do të zbulojmë kur të "hapim" Gazën. Prandaj, nëse duam të promovojmë vlerat dhe parimet tona demokratike, kemi përgjegjësi të jemi më të përkushtuar në trajtimin e asaj që po ndodh, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, do të kemi më shumë migrim të paligjshëm, më shumë fluks (të emigrantëve) dhe kjo do të polarizojë më shumë shoqëritë tona. Nuk ka dyshim se drama dhe tragjedia në rajon do të sjellë rreziqe më të mëdha të sigurisë në të gjithë botën", shtoi Mishel.

Migrimi, siç theksuat, është një nga sfidat më të mëdha të Evropës, sepse përveç fluksit të njerëzve, ai ka edhe një dimension politik kur emigrantët përdoren ose abuzohen për qëllime politike.

"Nëse ne si udhëheqës nuk arrijmë ta adresojmë këtë sfidë, atëherë pse do të na besonin njerëzit për të trajtuar sfida të tjera që duhet të zgjidhim," theksoi Mishel.

Ai kujtoi se për të trajtuar problemin e emigrantëve, BE miratoi Paktin e migracionit, i cili do të zbatohet në muajt e ardhshëm dhe duhet të zbatohet plotësisht deri në vitin 2026. Sipas tij, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës është veçanërisht e rëndësishme, sepse nuk duhet të lejojmë që trafikantët të vendosin se kush duhet dhe kush nuk duhet të hyjë në BE. "Kjo na takon ne të vendosim," tha Mishel.

Presidenti i Këshillit Evropian shtoi se e gjithë paketa e migracionit duhet të përfshijë gjithashtu rregulla për dëbimin e personave që nuk plotësojnë kushtet për qëndrim dhe azil në BE dhe gjithashtu duhet të krijohet mundësia e migrimit të ligjshëm.

"Ne nuk duhet të kemi frikë të kërkojmë mënyra operative për të qenë më efektivë në trajtimin e migracionit, nga njëra anë, e nga ana tjetër, për t'u siguruar që do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare," shprehet Mishel. Nga kjo pikëpamje, sipas tij, nuk është çështja nëse krijimi i qendrave të pranimit të emigrantëve në Shqipëri, në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe me Italinë, është një zgjidhje e mirë apo e keqe, por nëse është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 

Foto: MIA/ENER

 

QËNDRONI TË LIDHUR