• e shtunë, 28 dhjetor 2024
MIA Flesh

15:00/27 dhjetor/2024

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se shumica e tregtarëve po respektojnë udhëzimet që u janë dhënë për t'i kthyer çmimet e produkteve në nivelin para rritjes, që e kanë bërë pasi hyri në fuqi aksioni "Shporta e Vitit të Ri", për të cilën gjë alarmuan qytetarët. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski sot tha se situata do të monitorohet dhe nëse ka sjellje devijante nga ana e tregtarëve, do të merren masa. Ai përkujtoi se gjithmonë ekziston mundësia e rikufizimit të çmimeve me vendim të Qeverisë.

Shkup - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka filluar seancën e 28-të me konstatimin e rendit të ditës e cila u plotësua me disa propozime të tjera nga Qeveria dhe nga deputetë të shumicës qeveritare, me procedurë të shkurtuar. Shumica e tyre janë propozim- ligje për harmonizim me Ligjin për organet e administratës shtetërore. Me vërejtje procedurale ndaj kësaj ka reaguar deputeti Oliver Spasovski, koordinator i Grupit parlamentar të LSDM-së sipas të cilit po “rrënohet demokracia parlamentare” dhe është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit që deputetët "për momentin" të marrin pikat e rendit të ditës.

Shkup - Policia e Maqedonisë përsëri do të jetë krenaria e çdo qytetari dhe do të jetë përsëri nder të jesh polic, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski gjatë prezantimit të rezultateve të punës së MPB-së për vitin e kaluar e cila u mbajt nën sloganin “Konsistencë në veprën vizion për progres”. Në prezantim mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski i cili theksoi se askush nuk duhet dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe Kushtetutën. "Ikën kohët si deri tani, duhet të luftojmë kundër të gjitha elementeve korruptuese në shoqëri dhe do të luftojmë. Ndoshta drejtësia është e ngadaltë, por në fund gjithmonë vjen dhe fiton”, tha Mickoski pas prezantimit.

Shkup – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev deklaroi sot se nuk është me rëndësi kur do të miratohet zgjidhja ligjore për përfaqësim të drejtë, por se kjo duhet të bëhet në mënyrë solide dhe të mos jetë mjet i politikave dhe partive. Zgjidhja ligjore, thotë Minçevi, duhet të jetë përmbajtësore, cilësore, afatgjate dhe të ketë zbatim të duhur.  “Përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike është kategori kushtetuese, e cila rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit. Në kuadrin e asaj zgjidhjeje të posaçme ligjore, qëndrimi im ishte që ajo të bëhet në mënyrë solide dhe të mos jetë mjet i partive dhe politikave, sepse zgjidhje të tilla ligjore na sjellin në një situatë si zgjidhja ligjore e kaluar, e cila ishte mjet vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese”, tha Minçevi në konferencën e sotme për media, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a do të miratohet në kohën e duhur zgjidhje e re ligjore për përfaqësim të drejtë në administratën publike pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Balancuesin.

Shkup - Grupi parlamentar i Frontit Evropian i udhëhequr nga BDI ka kërkuar sot dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi në lidhje me statusin e gjuhës shqipe në vend. "Fronti Evropian shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj deklaratave të fundit të turpshme të Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pohimi  i tij, se gjuha e vetme zyrtare në vend është maqedonishtja, ndërsa gjuha shqipe është një “gjuhë e përkthyer,” përbën jo vetëm një gënjeshtër të hapur, por edhe një tradhëti të rëndë ndaj popullit shqiptar, historisë sonë dhe të drejtave tona të fituara me shumë mund. Është tronditëse, por jo e habitshme, që zoti Gashi—një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë më të lartë të shtetit—të bjerë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtërimi që as anti-shqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin. Kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti i kryetarit të Kuvendit. Ai do të mbetet një turp për popullin tonë, për historinë tonë, tha sot deputetja e “Frontit Evropian”, Arbana Pasholi.

Shkup - Drejtori i Klinikës infektive në Shkup, dr. Fadil Cana në deklaratën për MIA-n tha se në vend nuk ka hapësirë për panik sa i përket lisë së majmunëve dhe theksoi se është i informuar me rastin në Kosovë. Ai kujton se deri më tani nuk është regjistruar rast i lisë së majmunëve dhe nëse shfaqet thotë se janë të gatshëm dhe se kemi ekspertë që e njohin mirë këtë fushë të sëmundjes."Tek ne nuk ka. Jam i informuar me rastin, kam pasur një bisedë të gjatë me drejtorin e Klinikës infektive në Prishtinë. Pacienti është stabil, për momentin gjithçka është nën kontroll", ka thënë Cana për MIA-n. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një rast të izoluar të një shtetasi të Kosovës i cili një kohë të gjatë ka punuar jashtë vendit.

Shkup - LSDM kërkon dorëheqjen e Cveta Ristovskës nga Komisioni Antikorrupsion për shkak të dyshimeve për konflikt interesi pas vendimit lidhur me drejtorin e ASK-së, Bojan Hristovski, si dhe tërheqjen dhe rishqyrtimin e vendimit për rastin me diplomën e drejtorit të ASK-së dhe sqarimin e çështjes së parregullsive të mundshme në analizën e Inspektoratit shtetëror të arsimit. "Faktet që janë publikuar nga mediat dhe janë plotësisht të disponueshme për publikun janë jashtëzakonisht shqetësuese.Ato e lëkundin besimin në KSHPK dhe komprometojnë pavarësinë dhe objektivitetin e saj në vendimmarrje. Është alarmant zbulimi se anëtarja e KSHPK-së, që ka qenë përgjegjës për këtë rast dhe ka referuar se me diplomën e Hristovskit “gjithçka është në rregull”, është edhe ligjërues në Universitetin për Turizëm dhe Menaxhment në Shkup – institucioni që ka lëshuar diplomën e diskutueshme. Nuk ka fare rëndësi nëse është paguar për këtë apo jo, tha në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Shkup – Qeveria në mbledhjen e rregullt të martën do të marrë vendim që të nënshkruhet marrëveshje për mjetet të cilat janë siguruar në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për subvencionimin e transportit të studentëve me çka masa do të vazhdojë pandërprerë edhe nga janari, informoi sot kryeministri Hristian Mickoski. “Mjetet janë siguruar në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin e ardhshëm dhe në seancën e rregullt të Qeverisë të martën më 31 dhjetor, pasi jemi konsultuar me ministrin, do të marrim vendim për nënshkrimin e marrëveshjes se mund të transferohen menjëherë në NQP sepse sesioni fillon në janar dhe studentët mund ta shfrytëzojnë transportin publik në qytetin e Shkupit”, tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve pasi mori pjesë në prezantimin e rezultateve të punës të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Shkup – Qarkullimi në rrugën Kumanovë – Kriva Pallankë është në ndërprerje për të gjitha llojet e automjeteve. Siç informojnë nga Lidhja Automote e Maqedonisë (LAMM), drejtimi rrugor është mbyllur për shkak të një aksidenti. 

Tetovë – Komuna e Tetovës sot i përfundoi debatet publike për propozim buxhetin për vitin 2025 me takim në të cilin propozimet e tyre i theksuan përfaqësues të organeve joqeveritare. Ditët e kaluara takime të tilla u mbajtën me përfaqësues të bashkësive lokale dhe vendbanimeve rurale. Një përfaqësues i organizatës joqeveritare kërkoi që të ketë hapësirë komunale për debate dhe aktivitete të ngjashme të shoqatave civile. Kryetari Kasami tha se për një hapësirë të tillë ka mundësi që të shfrytëzohet pjesa e objektit Radio Tetova ku tani ka market. Nga një shkollë e basketbollit kërkuan mbështetje financiare, për Kasami tha se do bëjë përpjekje që të ndihmohet. 

Gostivar - Mbi një mijë punësimet e paralajmëruara në shëndetësi e kanë kaluar filtrin qeveritar dhe kanë marrë pëlqimin nga Ministria e Financave, konkurset do të shpallen në janar, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari i cili sot vizitoi Spitalin e përgjithshëm në Gostivar. "Procedurat në qeveri kanë kaluar, tani u takon drejtorëve. Për ata punonjës që kanë kontrata atyre u është vazhduar edhe për tre muaj, që të mos largohen. Bëhet fjalë për një shtrirje të madhe prej rreth 1.200 personash nga personeli i mesëm mjekësor dhe duhet t'i nënshtrohen testimit. Pres që kjo të realizohet deri në mes të janarit", ka thënë Taravari.

Gostivar – Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari është optimist për fillimin e negociatave me BE-në dhe pret mbështetje edhe nga opozita. Pas vizitës së sotme në Spitalin e përgjithshëm në Gostivar, ai theksoi se shumica qeveritare është e orientuar pro-Evropës."Jam optimist se do të kemi bashkëpunim të ndërsjellë dhe e di që shumica qeverisëse është e orientuar pro Evropës. Kjo më siguron se së shpejti do të fillohet me proceset eurointegurse", është përgjigjur Taravari në pyetjen e gazetarëve për pritjet e subjekteve të tjera politike për mbështetje në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe eurointegrimet e vendit, pas kumtesës së fundit nga koalicioni VLEN për ndryshimet kushtetuese.

Prilep - Nëse deri në fund të ditës, të gjitha marketet që janë paraqitur për shportën e Vitit të Ri nuk i shtojnë produktet bazë ushqimore, ndërsa në zinxhir janë 700, atëherë Qeveria do të jetë e detyruar të shkojë me vendim dhe masë që nuk është popullore në treg, por do të duhet për të mbrojtur standardin e qytetarëve, tha sot zëvendësministri i ekonomisë dhe punës Marjan Risteski në Prilep, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse janë shtuar produktet bazë në shportën e Krishtlindjes. Sipas Risteskit, disa nga marketet janë përgjigjur dhe tashmë në shportën e Vitit të Ri kanë futur produktet bazë ushqimore, duke përfshirë vezët, vajin, sheqerin, qumështin dhe produktet e mishit.

Prishtinë - Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kumtoi se Laboratori i mikrobiologjisë ka konfirmuar rastin e parë të importuar të mpoks (emri i mëparshëm: lija e majmunit). Rasti ka të bëjë me një burrë (30 vjeç), shtetas i Kosovës, i cili ishte shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive të QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si ethe, skuqje në lëkurën e fytyrës dhe duarve, dhe kruajtje - njoftoi IKSHPK. Pacienti është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, shtohet në kumtesën.

Londër - Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se është i hapur për bisedime paqësore me Ukrainën në Sllovaki, “nëse vjen deri te ato”, transmeton Saj njuz britanik. Putin tha se kryeministri sllovak Robert Fico, i cili vizitoi Kremlinin këtë javë, e kishte ofruar Sllovakinë si një vend për negociata ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet vitit të tretë. "Nuk kemi asgjë kundër, nëse ndodh. Pse jo? Sllovakia po mban një pozicion neutral", deklaroi Putin, duke shtuar se është i vendosur për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, i cili filloi me një pushtim tokësor, ajror dhe detar në shkurt 2022.

Berlin – Presidenti i Gjermanisë, Frank Valter Shtajmajer sot e shpërndau Bundestagun – Dhomën e Poshtme të Parlamentit gjerman, informon DPA. Shefi i shtetit gjerman caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare më 23 shkurt, pasi koalicioni i tri partive në pushtet i kryesuar nga kancelari Olaf Sholc u shpërnda.  Shollci e humbi votëbesimin në parlament më parë këtë muaj, pas tërheqjes së Partisë së Lirë Demokratike (FDP), lideri i së cilës është ministri i Financave, Kristian Lindner. Me këtë, qeveria mbeti pa mbështetje të shumicës parlamentare. 

QËNDRONI TË LIDHUR