12:00 / 26 dhjetor / 2024
Shkup - Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale kumtoi se nga 1 janari i vitit 2025 do të fillojë me pagesën e kompensimeve deri në 100 për qind kompensime të rritura për ekspolatimin e resurseve natyrore, me qëllim vendosjen e rendit në shfrytëzimin e burimeve kombëtare dhe pagesën korrekte. "Me ndryshimet në Listën e tarifës për përcaktimin e vlerës së kompesimeve për dhënien e lejeve dhe koncesioneve për kryerjen e hollësishme gjeologjike dhe koncesione për eksploatimin e burimeve minerale, tarifat për pasuritë minerale rriten deri 100 për qind, që do të nënkuptojë edhe një rritje të ndjeshme në të ardhurat për shtetin. Propozimi i Ministrisë për rritjen e kompensimeve është miratuar nga Qeveria dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare, me çka do të thotë se Lista e tarifës së re do të hyjë në fuqi më 1 janar", kumtoi Ministria e Energjtikës.
Shkup – Gjatë javës së 51-të të vitit 2024, prej 16 deri 22 dhjetor, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar 139 raste të raportimeve në grupe për të sëmurë nga gripi – sëmundje të ngjashme me grip, 17,8 për qind më shumë në krahasim me javën e kaluar, bëhet e ditur në raportin më të ri të Institutit të Shëndetit Publik, të publikuar sot në mëngjes. Nëntëdhjetë e pesë persona janë në moshën prej 15 deri 64 vjet. Njëzetë e katër janë fëmijë të moshës prej pesë deri 14 vjet, 12 të moshës deri katër vjet. Tetë persona janë të moshës mbi 65 vjet. Incidencë më e lartë (12,4/100.000) është regjistruar te fëmijët e moshës deri katër vjet.
Shkup - Sot në mëngjes më së ftohti në Krushevë, -3 gradë, ndërsa më së shumti reshje në 24 orët e fundit janë regjistruar në Tetovë, tetë litra për metër katror. Më së shumti borë ka rënë në Kodrën e Diellit, 68 centimetra, informoi DPHM-ja. Deri në orën 08:30 janë matur 0 gradë në Manastir dhe Berovë, 1 në Kriva Pallankë, Ohër dhe Prilep, 2 në Tetovë, Dibër dhe Pretor, 3 në Shkup-Petrovec dhe Shtip, 4 në Kumanovë dhe Demir Kapi, si dhe 6 në Strumicë dhe Gjevgjeli.
Prishtinë - Afati i aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, për zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, do të përfundojë sot. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për RTKlive tha se në bazë të të dhënave, nga 29 gusht deri më 25 dhjetor, në orën 13:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 75.211 kërkesa për regjistrim, ndërsa 4.581 janë refuzuar.
Kiev – Armata ukrainase njoftoi se mbrëmë ka kapur 20 fluturake ruse pa pilot. Armata ruse ka gjuajtur 31 dronë mbi territorin ukrainas. “Njëmbëdhjetë dronë të lëshuar nga forcat ruse nuk arritën në cak falë aksioneve aktive të mbrojtjes kundërajrore ukrainase”, njoftoi armata.
Kiev - Drejtori i Qendrës ukranase për luftën kundër dezinformatave, Andrij Kovalenko, ka njoftuar sot në Telegram se aeroplani i kompanisë "Azerbejxhan erllajns", që u rrëzua dje në afërsi të qytetit Aktau në Kazakistan, është qëlluar nga mbrojtja kundërajrore ruse. Ai dërgoi kritika drejt Rusisë për shkak të asaj që nuk është mbyllur hapësira ajrore mbi kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni, gjë që mund të kishte parandaluar tragjedinë. "Aeroplani u dëmtua nga rusët dhe u orientua në Kazakistan në vend që të ulej menjëherë në Grozni dhe në këtë mënyrë të shpëtonte jetë", shtoi Kovalenko.
Tel Aviv - Gazeta më e madhe izraelite "Haarec" ka publikuar një kolumnë që analizon thellësisht paralelet politike dhe historike mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe dy liderëve të rëndësishëm të historisë - Uinston Çerçill dhe Slobodan Millosheviç. Në tekstin, autori Etan Nehin thekson se përderisa Netanjahu aspiron të mbahet mend si Çerçili, trashëgimia e tij mund të përfundojë më afër asaj të të Millosheviçit, ish-liderit të Jugosllavisë i akuzuar për krime lufte. Si bir i një historiani, Netanjahu ka qenë gjithmonë i fiksuar pas trashëgimisë së tij dhe opinionit publik. Ai shpesh krahasohet me Çerçilin, duke e portretizuar veten si një lider në një kohë krize, një orator i madh dhe një mbrojtës i fortë i demokracisë. Pas fjalimit të tij në Kongresin Amerikan, madje është fotografuar pranë bustit të Çerçillit, për të përforcuar këtë krahasim. Por siç shkruan “Haarec”, shumë më realist është krahasimi me Millosheviçin, populizmi dhe bashkëpunimi i të cilit me forcat ekstremiste e çuan në një konflikt shkatërrues dhe largim nga pushteti.
Damask - Katërmbëdhjetë pjesëtarë të policisë siriane janë vrarë gjatë përleshjeve me forcat besnike të ish-presidentit Bashar al-Asad në provincën Tartus, kumtoi sot administrata teknike. Ministri i ri i Punëve të Brendshme i Sirisë njoftoi në Telegram se 10 policë ishin plagosur gjithashtu nga, siç i quajti "mbetjet" e qeverisë së Asadit në Tartus. Ai shtoi se do të përballet me këdo që guxon të minojë sigurinë e Sirisë ose të rrezikojë jetën e qytetarëve të saj. Policia siriane vendosi orë policore gjatë natës në qytetin e Homsit, publikuan mediat shtetërore, pas trazirave të lidhura me protestat që banorët ia atribuonin anëtarëve të komuniteteve fetare pakicë.
Uashington – Donald Trampi do ta marrë funksionin president i SHBA-së më 20 janar, ndërsa për inaugurimin e tij janë grumbulluar dukshëm më shumë mjete se sa për inaugurimin e presidentit aktual Xho Bajden. Korporata të mëdha si Tojota, Ford, Xheneral Motors, Amazon, Meta, Open AI dhuruan nga një milion dollarë, ndërsa Uber dy milionë dollarë. Ford dhe Xheneral Motors premtuan se do të sigurojnë edhe vetura për këtë ngjarje.