• e mërkurë, 25 dhjetor 2024
MIA Flesh

18:00/24 dhjetor/2024

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova me rastin e festës së madhe krishtere - Krishtlindjet - ka dërguar urim deri te Kiro Stojanov, ipeshkvi i Shkupit dhe eparku i Strumicës-Shkupit, me rastin e Krishtlindjeve sipas Kalendarit Gregorian. "Më paraqet kënaqësi të veçantë që të gjithë besimtarëve që i festojnë Krishtlindjet sipas Kalendarit Gregorian, t'ua urojë ditën e Krishtlindjeve. Sinqerisht dëshiroj që dita më e ndritur të sjellë paqe, dashuri dhe gëzim në zemrat tuaja dhe të mbjellë besim dhe shpresë për një të ardhme më humane. Krishtlindjet janë simbol i rilindjes, jetesës më të mirë të re. Na përkujton në dashuri pa kushte, dhurim dhe unitet dhe na jep fuqi shpirtërore dhe qetësi", shkruan presidetja në urim.

Shkup - Kuvendi sot në kuadër të seancës së 27-të e miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe miratoi katër vendime: për shkarkimin e një anëtari të Komisioni Shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative, procedurë nga marrëdhënia e punës dhe mbikëqyrja inspektuese në shkallë të dytë, për ndryshimin e Vendimit për emërimin e kryetarit, nënkryetarit, anëtarëve dhe zëvendës anëtarëve të Këshillit Kombëtar për Integrimet Evropiane, për ndryshimin e Vendimit për zgjedhjen e kryetarëve, nënkryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të komisioneve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për ndryshimin e Vendimit për formimin e grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me parlamentet e vendeve të tjera dhe zgjedhjen e kryetarëve dhe anëtarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me parlamentet e vendeve të tjera.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot mori pjesë në promovimin e studentëve të diplomuar të Fakultetit të Sigurisë – Shkup, të cilët i përgëzoi që vendosën që profesioni dhe dituria e tyre jetësore të ndërlidhen me sigurinë. Siç njoftoi MPB-ja, ai u bëri thirrje studentëve që njohuritë e marra t'i zbatojnë në institucionet që kujdesen për sigurinë e shtetit. "Institucionet e Maqedonisë dhe Maqedonia kanë nevojë për ju, dhe dua t'ju bëj thirrje secilit prej jush që ka dëshirë të vazhdojë të funksionojë dhe t'ia vë në dispozicion atdheut njohuritë e veta  në institucionet që janë të lidhura dhe kanë nevojë për kuadro me këtë lloj të shkollimit. Në të ardhmen do të ketë shumë shpallje brenda MPB-së dhe institucioneve të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë dhe ju bëj thirrje që të merrni pjesë në të gjitha këto shpallje në mënyrë që të shfrytëzojmë njohuritë dhe kapacitetet tuaja brenda institucioneve për të krijuar një shtet me institucione funksionale. Të zhvillohemi së bashku, ta zhvillojmë vendin në një vend evropian me vlera evropiane që të gjithë i dëshirojmë”, u tha ministri Toshkovski studentëve.

Shkup - Nga 1 janari, njëzet e pesë taksapagues do të kalojnë në juridiksionin e Drejtorisë për Tatimpagues të Mëdhenj (DTPM) të Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP). Kjo do të thotë se ata do të jenë nën një trajtim të veçantë dhe të personalizuar, me mbështetje dhe menaxhim më të madh të të drejtave dhe detyrimeve të tyre tatimore dhe në të njëjtën kohë, informon DAP, janë edhe një stimul për stabilitetin ekonomik. Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova, sot në një aktivitet me rastin e pritjes së taksapaguesve të rinj të mëdhenj që administrohen në drejtoritë e tjera rajonale të Drejtorisë për të Ardhura Publike, theksoi se ata bëhen pjesë e TOP 300 taksapaguesve më të mëdhenj në vend.

Shkup - Pakoja e ligjeve për arsimin miratohet në mënyrë demokratike dhe gjithëpërfshirëse, sepse synimi ynë është ta përmirësojmë rregulloren si bazë për ndryshime thelbësore në sistemin arsimor dhe arsim cilësor, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Creshevë, Komuna e Gazi Babës, me rastin e fillimit të ndërtimit të sallës së re sportive në SHF  "Naum Ohridski", Janevska theksoi  se në debatin e komisionit deri më tani jnë pranuar  katër amendamente të LSDM-së opozitare dhe dy të Kolaicionit Vlen, të cilat,  siç tha, "do t'i përmirësojë tekstet e ligjeve dhe janë në interes të nxënësve".

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në qarkun e ministritë zyrtarisht i ka vënë në funksion një pjesë të automjeteve të blera motorike për nevojat e njësiteve organizuese të MPB-së dhe Byrosë për siguri publike. "Në drejtim të përkushtimit tonë për ndërtimin e një force policore vërtetë të pajisur, moderne dhe evropiane, e cila do të ketë kapacitete për të luftuar të gjitha llojet e krimeve dhe për të mbrojtur sigurinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, sot kam mundësinë të vë në përdorim automjetet e reja të parashikuara për nevojat e departamenteve dhe njësive të policisë. Bëhet fjalë për automjete të prodhuesit Shkoda të blera nga Ministria me prokurim publik, për të rinovuar flotën e automjeteve të Ministrisë, e cila është në gjendje jo të mirë dhe që planifikojmë t'i rinovojmë në pjesën më të madhe vitin e ardhshëm. Policia e Maqedonisë do të jetë krenaria dhe bartësja e sigurisë së qytetarëve të Maqedonisë dhe ne përpiqemi ta realizojmë këtë qëllim", theksoi ministri Toshkovski, njoftoi MPB.

Shkup - Këshilli Penal në Gjykatën Penale Shkup duke vepruar sipas ankesës së bërë nga mbrojtja e Artan Grubit, i padisponueshëm për organet e ndjekjes, kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake, ka marrë vendim me të cilin refuzohet ankesa e mbrojtjes dhe vërtetohet vendimi i gjykatësit të procedurës paraprake, me të cilin është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditë, njoftojnë nga Gjykata. Më 17 dhjetor Gjykata Penale i caktoi paraburgim prej tridhjetë ditësh ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubit dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët nuk janë të kapshëm për organet e ndjekjes. Ata kanë të bëjnë me hetimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe shpërdorimit të procedurës së thirrjes publike në rastin e Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shkup - Prokuroria Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dorëzuar mendim në Gjykatën Themelore Penale Shkup për zbatimin e Ligjit për amnisti në rastin "Organizatorët e 27 prillit". Në opinion theksohet se kërkesa e mbrojtjes së të pandehurve për zbatimin e ligjit nuk mund të kontestohet, sidomos duke pasur parasysh të pandehurit dhe të dënuarit që tashmë janë amnistuar. Siç njoftojnë nga Prokuroria, mendimi është miratuar në bazë të qëndrimit të Kolegjiumit profesional të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit në Shkup.

Shkup - Sot janë paguar mjete për mbështetje financiare për fermerët për vitin aktual 2024, bënë të ditur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Është kryer një pagesë totale prej 264.241.663,00 denarë subvencione për prodhimin bimor nga Programi për Mbështetje Financiare për Bujqësinë për vitin 2024 për 22.141 fermerë. Për masën 1.8 Pagesa direkte për sipërfaqe të punueshme për mirëmbajtjen e plantacioneve ekzistuese të pemëve janë paguar 118.186.903,00 denarë për 8.729 përfitues.

Kumanovë - Në Gjykatën Themelore Kumanovë sot ka vazhduar seanca në të cilën i pandehur për "keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar" është kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, pas një denoncim të parashtruar nga firmat e ndërtimit për rastin e mosmarrjes së lejeve për ndërtim të ndërtesave në Kumanovë.

Ankara - Turqia ka për qëllim të arrijë marrëveshjen për demarkacionin detar me Sirinë pas formimit të qeverisë së përhershme në Damask, deklaroi sot ministri turk i Tranportit, Abdulkadir Uraloglu. Ai shtoi se Turqia planifikon të fillojë bisedimet me adminitratën e re siriane për marrëveshjen eventuale për demarkacionin detar. "Është e nevojshme që së pari të vendoset pushteti atje. E gjitha kjo do të jetë në rend dite, por është e vështirë të thuhet - në agjendën e sotme", tha Uraloglu.

Kiev - Ukraina mori një miliard dollarë nga Britania e Madhe dhe Japonia, ndërsa kësti u realizua nën garancitë e qeverive të këtyre vendeve në kuadër të programit DPL të Bankës Botërore, njoftoi sot kryeministri ukrainas, Denis Shmihal. "Fondet e mbledhura do të shfrytëzohen për të forcuar ekonominë tonë dhe për të financuar shpenzimet prioritare në sferën sociale dhe humanitare", theksoi Shmihal në njoftimin e Telegramit.

Kiev - Të paktën 48 fëmijë ukrainas nën tre vjet janë rrëmbyer dhe dërguar në Krime ose Rusi, njoftoi sot presidenti Volodimir Zelenski.  Ai tha se forcat ruse rrëmbyen fëmijët ukrainas para dy viteve gjatë tërheqjes. "Fëmijët ukrainas nuk janë lodra, edhe pse duket se janë për elitat dhe zyrtarët rusë. Duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të sjellë fëmijët ukrainas në shtëpi", ka shkruar Zelenski në postimin e X.

Manila - Sekretari filipinas i Mbrojtjes Zhilberto Teodoro sot tha se sistemimi i sistemit raketor amerikan me rreze të mesme veprimi është legjitim dhe i arsyeshëm dhe e njoftoi planin e Manilas të furnizojë sistem personal. "Çdo sistemim dhe furnizim i mjeteve të cilat kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen e Filipineve janë brenda prerogativës së tij sovrane dhe nuk i nënshtrohen asnjë vetoje të huaj. Sistemimi i sistemeve raketore "Tajfun" për stërvitje të përbashkëta ishte legjitim dhe legal", tha Teodoro.

Uashington - Presidenti i SHBA-së Xho Bajden miratoi buxhetin për mbrojtje të SHBA-së për vitin 2025 i cili është në vlerë prej 895 miliardë dollarë - nëntë miliardë më shumë se vitin e kaluar, njoftoi shërbimi për media i Shtëpisë së Bardhë. Në vitin 2024 buxheti arrinte 886,3 miliardë dollarë. Viti fiskal 2025 do të fillojë më 1 tetor. Dokumenti, i cili është me vëllim prej 1.800 faqesh, parashikon financimin e programeve në fushën e inteligjencës, nismave të Pentagonit, si dhe projekte të Ministrisë për Energjetikë të SHBA-së. Dhoma Përfaqësuese miratoi ligjin më 11 dhjetor derisa Senati më 18 dhjetor.

 

QËNDRONI TË LIDHUR