12:00/8 prill/2026
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka dërguar mesazh urimi deri te anëtarët e komunitetit rom me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve - 8 Prilli, duke theksuar se romët në aspekt historik dhe kulturor janë pjesë e pandashme e shtetit dhe shoqërisë së vendit. "Të dashur bashkëqytetarë romë, urime 8 Prillin, Ditën ndërkombëtare të romëve. Sinqerisht uroj ta festoni këtë ditë me shëndet, gëzim dhe lumturi. Ju romët jeni historikisht dhe kulturalisht pjesë e pandashme e shtetit dhe shoqërisë së vendit. Liria, krenaria dhe bashkimi janë vlera të veçanta të identitetit rom dhe meritojnë respekt të duhur", thekson Siljanovska-Davkova në mesazhin e saj të urimit.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot në mesditë do ta vizitojë komunën e Shuto Orizares. Siç është paralajmëruar, Mickoski do të marrë pjesë në fillimin e rikonstruimit të rrugës "Brsjaçka buna" ku më pas do të japë deklaratë për media.
Shkup - Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi me rastin e 8 Prillit - Ditës Ndërkombëtare të Romëve dërgoi urim për pjesëtarët e komunitetit rom. "Kjo ditë përfaqëson një moment të rëndësishëm reflektimi dhe vlerësimi për kulturën e pasur, identitetin e veçantë dhe identitetin që komuniteti rom ka ndërtuar ndër shekuj. Ajo është gjithashtu një thirrje e vazhdueshme për të forcuar angazhimin tonë të përbashkët në drejtim të barazisë, përfshirjes dhe respektimit të plotë të të drejtave të njeriut", thotë Gashi në urim.
Shkup - Memorandum mirëkuptimi për avancimin e sigurisë në furnizimin me gaz natyror ka nënshkruar ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Sanja Bozhinovska me zëvendës sekretarin shtetëror të SHBA-së, Kristofer Landau, në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit qeveritar të Maqedonisë në SHBA. "Memorandumi e konfirmon përpjekjen e përbashkët për diversifikimin e burimeve dhe rrugëve për furnizim me gaz natyror, rritje të rezistencës dhe sistemit energjetik, sigurimin e gazit të qëndrueshëm, të sigurt dhe të qasshëm për shtetin, forcimin e lidhshmërisë rajonale dhe integrimin e tregjeve", informon Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para (MEMLP).
Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) bëri hap të rëndësishëm në avancimin e arsimit gjithëpërfshirës, duke siguruar për herë të parë tekst shkollor për lëndën zgjedhore “Gjuha dhe kultura e romëve” për klasën e 6-të. Kjo risi vjen pas procedurës së realizuar në përputhje me njoftimin e publikuar nga MASH-i, si dhe pas ndryshimeve në Ligjin për Tekstet Shkollore në Arsimin Fillor dhe të Mesëm (“Gazeta Zyrtare e RMV-së”, nr. 3, të datës 3.1.2025), me të cilat interpretohen në nenet 10 dhe 15. Me këto ndryshime janë krijuar kushte për zgjerimin e materialeve mësimore edhe për klasat më të larta.
Shkup - Gjykata Kushtetuese sot e mban e seancën e 9-të ku do të diskutojnë për gjashtë nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, dy kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, si dhe një temë për të cilën do të votohet. Siç është njoftuar, gjyqtarët do të diskutojnë për disa ligje, akte nënligjore dhe vendime komunale, të cilat, sipas parashtruesit, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.
Shkup - Ekipet e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale-Shkup gjatë muajit mars mblodhën dhe transportuan 14.086 tonë mbeturina të përziera komunale nga familjet në territorin e Qytetit të Shkupit, ndërsa janë larguar edhe 2 315 metra kub mbeturina të përziera komunale, të rënda dhe ndërtimore të depozituara në sipërfaqe publike dhe të trafikut në të gjitha komunat e Shkupit.
Bruksel - Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallasi, vlerësoi se marrëveshja për armëpushim midis ShBA-së dhe Iranit përfaqëson një "hap prapa nga pragu i kolapsit" pas disa javësh përshkallëzim të konflikteve.Kallasi në platformën "Iks" ka shkruar se marrëveshja krijon një mundësi për të zvogëluar kërcënimet, për të ndaluar sulmet me raketa, për të rivendosur trafikun detar dhe për të hapur hapësirë për aktivitete diplomatike për një zgjidhje të përhershme të konfliktit.
Paris - Presidenti i Francës, Emanuel Makron tha sot se armëpushimi dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit është "një gjë shumë e mirë" dhe shprehu pritshmëritë që armëpushimi të respektohet në ditët dhe javët e ardhshme për të lejuar negociata për një zgjidhje të përhershme për çështjet bërthamore, balistike dhe rajonale. Në fillim të takimit të Këshillit të mbrojtjes të mbajtur në Pallatin e Eliseut, Makroni theksoi veçanërisht situatën kritike në Liban, ku sulmet kanë ndaluar orët e fundit, por paralajmëroi se armëpushimi duhet të "mbulojë plotësisht Libanin", bën të ditur portali "BFM TV".
Moskë - Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zaharova, deklaroi se Rusia që nga fillimi ka theksuar nevojën për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit në Lindjen e Mesme. "Që nga fillimi vendi ynë e ka bërë të qartë se është e domosdoshme të ndalet menjëherë agresioni i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, se nuk ka një zgjidhje ushtarake për këtë situatë. Një zgjidhje e vërtetë politike dhe diplomatike që sjell stabilitet është vetëm ajo e bazuar në negociata dhe shqyrtim të vërtetë të qëndrimeve të të gjitha palëve", tha Zaharova, duke shtuar se "qasja ndaj sulmeve të njëanshme, agresive dhe të paprovokuar ka pësuar humbje totale".
Bejrut – Lëvizja libaneze Hezbollah mëngjesin e sotëm ka ndërpre sulmet ndaj Izraelit verior dhe trupave izraelite në Liban si pjesë e një armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit, deklaruan tre burime pranë grupit, transmetuar nga mediat britanike. Izraeli ka vazhduar operacionet ushtarake në Libanin jugor dhe ka lëshuar një urdhër të ri për të evakuuar një qytet, duke paralajmëruar për sulme të mundshme në të ardhmen.
Nju Jork - Shumë shtete e kanë përshëndetur marrëveshjen për armëpushimin dy javorë mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa mes reagimeve të para ishin Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Iraku, Australia, Japonia dhe Pakistani. Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Jugut shpreson se "negociatat do të përfundojnë me sukses "dhe se së shpejti do të rivendosen". Njëkohësisht, nga Seuli kërkojnë "lëvizje të lirë dhe të sigurt të të gjitha anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit", raporton "The Guardian".