• e enjte, 09 prill 2026
MIA Flesh

15:00/ 8 prill/ 2026

Shkup - Lufta për barazi dhe avancim të romëve duhet të jetë qëllimi i të gjithë faktorëve në shoqëri. Komuniteti rom është pjesë integrale e kësaj shoqërie, me të njëjtin dinjitet, të njëjtat të drejta dhe të njëjtën vlerë si çdo qytetar tjetër. Mirëpo, barazia e romëve nuk pasqyrohet plotësisht në realitet, ata ende përballen me pengesa të ndryshme ose diskriminim në shumë sfera të jetës, u theksua në aktivitetin e sotëm "Nga padukshmëria në barazi - përfshirje e qëndrueshme dhe identitet ligjor për komunitetin rom" që u mbajt në Kuvend me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve - 8 Prilli. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se sot nuk duhet vetëm ta shënojmë këtë datë, por edhe të reflektojmë mbi realitetin tonë shoqëror dhe institucional.

Shkup - Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi se pas shumë vitesh pritjeje dhe pengesash administrative do të fillojë rikonstruimi dhe modernizimi i Sallës universale - një nga simbolet më të rëndësishme kulturore të Shkupit dhe të Maqedonisë së Veriut.  Procesi për zgjedhjen e kontraktorit për Sallën universale është përmbyllur me sukses pasi Komisoni Shtetëror për Ankesa mbi prokurimet publike e hodhi poshtë si të pabazë ankesën e operatorit ekonomik dhe konfirmoi përzgjedhjen e ofertës më të favorshme. Me këtë hiqet edhe pengesa e fundit ligjore për fillimin e punimeve ndërtimore. Me vendimin konfirmohet përfundimisht Vendimi për zgjedhjen e ofertës më të favorshme nga data 23.03.2026 dhe është zgjedhur kontraktori përfundimtar i projektit, njoftojnë nga Ministria. 

Shkup - Kuvendi sot e konstatoi rendin e ditës për seancën e 97-të, pas së cilës puna vazhdoi me pyetje nga deputetët e opozitës drejtuar anëtarëve të Qeverisë. Kuvendi sot në seancën e 97-të, duhet të vendosë për emërimin e kryetarit të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), për të cilin pozicion si kandidat i propozuar është Aco Ristovi në vendin e Marko Bislimoskit, si dhe për propozimi për emërimin e Ana Mitreskës dhe Igor Veliçkovskit si zëvendësguvernatorë të Bankës Popullore. Në rendin e ditës të seancës janë edhe Propozim- ligji për Këshillin e Prokurorëve publikë, Propozim- ligji për ndryshimin e Ligjit për sigurim shëndetësor, në lexim të parë, Propozim- ligji për ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Propozim- ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rrugët publike dhe Propozim- ligji për ndryshimin e Ligjit për akcizat, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Shkup- Dita botërore e romëve nuk është vetëm një ditë shënimi, por edhe një kujtesë se vlera e dinjitetit njerëzor është mbi të gjitha. Kjo nuk është një ditë vetëm për fjalë, por edhe vendime për vizion dhe guxim. Prandaj, vizioni ynë fillon pikërisht këtu - me arsim që do të jetë i qasshëm për çdo fëmijë rom. Me shkolla ku nuk do të ketë ndarje, por mundësi. Me një sistem që nuk bë dallime, por hap dyer, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në ngjarjen "Nga padukshmëria drejt barazisë - përfshirje e qëndrueshme dhe identitet ligjor për komunitetin rom", e mbajtur në Kuvend me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve - 8 prill. 

Shkup- Me rastin e 8 prillit - Ditës ndërkombëtare të romëve, Avokati i Popullit, Faton Selami bëri thirrje për tejkalimin e stereotipeve, heqjen e segregacionit dhe sigurimin e mundësive të barabarta për anëtarët e komunitetit rom, duke theksuar se arsimi është kyç për integrimin e tyre të plotë në shoqëri.  Në njoftimin Selami thekson se barazia dhe qasja në të gjitha të drejtat dhe shërbimet që garanton shteti duhet të jenë parim që vlen për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. "Barazia, qasja në gjithçka që garanton shteti, duhet të jetë një parim që do të vlejë për të gjithë, pa dallim se cilës bashkësi etnike i përkasin. Segregacionin në shkolla dhe diskriminimin duhet t’i lëmë shumë pas nëse duam të flasim për një shoqëri multikulturore", thekson ai.

Shkup - Regjistrimet audio të tre raporteve policore, të bëra më 2 mars 2026, të cilat drejtpërdrejtë i paraprinë ngjarjes tragjike në të cilën Ivana Jovanovska e humbi jetën së bashku me vajzën gjashtë vjeçare Katja, sot u prezantuan si prova materiale të rëndësishme para Gjykatës Themelore Penale në Shkup në gjykimin kundër bashkëshortit Stojançe Jovanovski. Në pamjet e ditës së kobshme qartë u dëgjuan debatet dhe dhuna fizike, me ç'rast i i pandehuri Stojançe i thotë viktimës se më nuk dëshiron ta shohë fëmijën dhe se do t'ia shkatërrojë jetën. Përveç provave të 2 marsit, në procedurë dëshmuese para gjykatës u paraqitën në mënyrë kronologjike materialet audio nga viti 2024, 2025 dhe 2026, të cilat dëshmojnë për dhunën e vazhdueshme familjare viteve të fundit. Provat materiale të prezantuara përfshijnë raportet e bëra personalisht nga Ivana e ndjerë, nga nëna e saj Ljubica, nga nëna e të pandehurit, si dhe nga fqinjët dhe dëshmitarët anonim.

Shkup – Këshilli i Prokurorëve publikë në seancën e sotme të 42-të, miratoi kërkesën e Lençe Ristoskës për ndërprerjen e funksionit të prokurores publike në Prokurorinë publike të Shkupit. Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, informoi se më 2 prill të këtij viti, Ristoska ka paraqitur kërkesë për ndërprerjen e funksionit të prokurores me kërkesë të saj. "Këtu nuk ka debat, konstatoj se kërkesa për ndërprerjen e funksionit të Lençe Ristoskës është miratuar", deklaroi Besimi. Këshilli më parë vendosi t'ia vazhdojë funksionin Keti Petkovës, ndërsa zgjat mandati i saj si anëtare e Këshillit deri më 26 korrik 2027.

Shkup– Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj me informata paraqet kërcënim serioz dhe në rritje për proceset demokratike. Kjo kërkon gatishmëri të qartë institucionale, koordinim dhe një qasje që përfshin të gjithë komunitetin. Ky ishte konstatimi nga tryeza e rrumbullakët, e organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (IKS), ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë theksuan se lufta kundër manipulimit dhe ndërhyrjes me informata (SMMI) nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe shoqërore, dhe se çelësi qëndron në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Shkup - Maqedonia është vendi i parë në Evropë, i cili ka lloj të tillë të dialogut strategjik me SHBA-në, kemi deklaratë të harmonizuar të përbashkët për tarifat doganore, ndërsa janë konfirmuar edhe disa investime, të cilat në të ardhmen do të realizohen, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski dhe shtoi se vendi, në kuadër të këtij partneriteti, është trajtuar si partner i barabartë. Në këtë mënyrë, thotë ai, ne jemi një hap më afër në marrëdhëniet bilaterale. "Fillimisht, është me rëndësi që jemi atje në një nivel super të lartë. Praktikisht, zotëri Landau është personi i dytë në kuadër të Departamentit të Shtetit dhe ai kryeson delegacionin amerikan. Ai është zëvendës i sekretarit të Shtetit, Marko Rubio. Gjatë ditës së djeshme u hapën shumë tema në fushën e mbrojtjes, transformimit digjital, energjisë... dhe sigurisë, kuptohet. Sipas asaj që mund të shihni, vetë Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë, por edhe z. Landau qartë e theksojnë rolin e vendit tonë brenda partneritetit tonë, se po flasim për partnerë të barabartë, se ata e vlerësojnë seriozisht atë që bëjmë si vend dhe në kuadër të NATO-s dhe në kuadër të organizatave tjera ndërkombëtare", tha Mickoski.

Shkup – Në tremujorin e parë të këtij viti banesat në Shkup u shtrenjtuan për 16,7 për qind në nivel vjetor, ndërsa për 2,1 për qind në nivel tremujor, tregon indeksi i çmimeve të patundshmërive, të cilin e publikon Banka Popullore në bazë të të dhënave që kanë të bëjnë me banesat e publikuara për shitje në territorin e kryeqytetit.  Vitin e kaluar në tremujorin e parë banesat shënuan shtrenjtim vjetor për 19,5 për qind, në tremujorin e dytë për 19,9 për qind, në të tretin prej 25,1 për qind, ndërsa në të katërtin prej 25 për qind.  Agjencia për Kadastër të Patundshmërive në raportin e regjistrit të çmimeve dhe qirave në tregun e patundshmërive për vitin 2025 theksoi se për këtë vit parashikohet rritje mesatare në treg me interes të rritur për investime dhe rritje të vazhduar të qirave. 

Shkup- Masa, të cilën e ka realizuar Qeveria për uljen e TVSH-së prej 18 në 10 për qind për derivatet e naftës, e tani edhe mundësia që Komisioni rregullator t'i ulë akcizat edhe të dizelit edhe të karburantet pa plumb, kontribuoi që në nivel mujor të kemi shkallë të ulta të inflacionit, porositi sot kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Kuvendit. Duke iu përgjigjur deputetit dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për atë se çfarë masash ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e krizës, ai u përgjigj se masat që i ka ndërmarrë qeveria e LSDM-BDI kanë sjellur borxhe dhe edhe në ditën e sotme ato po kthehen. "Masat e juaja nga koha i paguajmë edhe sot, ja tatimi i solidaritetit - tani e kthyem këstin e parë prej 20 milionë eurove, tani edhe kësti i dytë nga 20 milionë të ardhshme. Ato masa i panë qytetarët dhe në disa cikle zgjedhore me radhë e japin përgjigjen e masave nga koha e qeverisë LSDM-BDI", tha Miskoski.

Shkup - Vijon periudha e motit me vranësira të ndryshueshme dhe kryesisht i qëndrueshëm. Sot dhe nesër do të fryjë erë mesatare deri në të përforcuar, ndërsa në disa vende përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore përkohësisht erë e përforcuar veriore (mbi 60 km/h). Nga nesër deri të dielën temperaturat në disa vende do të bien nën zero gradë dhe do të ketë paraqitje të ngricave të mëngjesit. Deri të premten do të fryjë erë veriore, ndërsa nga dita e shtunë pasdite era do ta ndryshojë drejtimin në juglindje.

Gostivar - Mbi njëqind punonjës të ndërmarrjes komunale të Gostivarit do të marrin sigurim shëndetësor aktiv duke filluar nga java e ardhshme, thanë Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski. Ata u takuan sot me menaxhmentin e Ndërmarrjes Publike "Komunalec" në Gostivar dhe paraqitën zgjidhje të mundshme për problemin që ka zgjatur për gati dy dekada, dhe punonjësit, megjithëse kishin paguar detyrimet e tyre, paguanin për shërbime shëndetësore. Ministri Aliu tregoi se takimi në NP "Komunalec" ishte i dobishëm dhe se problemi me sigurimin shëndetësor të 109 punonjësve do të jetë një gjë e së kaluarës.

Strugë - Çmimet më të ulëta të karburanteve dhe produktet ushqimore më të lira në vend kanë rritur frekuencën e udhëtarëve në pikën kufitare të Qafë Thanës gjatë fundjavave. Shumica e udhëtarëve, kryesisht nga pikat kufitare në Shqipërinë fqinje, vijnë në Strugë për vizita të shkurtra njëditore për t'u furnizuar me karburant dhe për të blerë produkte ushqimore. Frekuencë më e lartë pritet edhe në prag të fundjavës së zgjatur të Pashkëve. Sipas të dhënave nga SPB Ohër, në fillim të këtij muaji fluksi i udhëtarëve përmes Qafë Thanë ishte 11 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. "Në periudhën nga 1 deri më 6 prill, në Stacionin Policor për VK Qafë Thanë regjistroi një fluks prej 40.734 pasagjerësh, që është një rritje prej 11 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2025 kur 36.775 pasagjerë kaluan nëpër këtë vendkalim. Në gjashtë ditët e para të muajit, 20.952 pasagjerë kanë  hyrë në vend (18.351 në vitin 2025), dhe 19.782 (18.424) kanë dalë" - informoi zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski.

Ankara - Turqia sot njoftoi se e përshëndet armëpushimin e përkohshëm të shpallur të luftës në Iran dhe se shpreson që të gjitha palët do ta respektojnë marrëveshjen e arritur. "Rruga drejt paqes së përhershme është e mundur vetëm përmes dialogut, diplomacisë dhe besimit të ndërsjellë. Do të vazhdojmë të japim çdo mbështetje të mundshme për përfundimin e suksesshëm të negociatave që do të mbahen në Islamabad", citohet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, transmeton NTV. Ministria e Punëve të Jashtme, gjtihashtu, e uroi Pakistanin për rolin që e luan në procesin paqësor dhe dëshiron vazhdimin e të gjitha nismave që kontribuojnë për paqe.

Londër - Çmimi i naftës "Brent", pas marrëveshjes së arritur për një armëpushim në Lindjen e Mesme, sot ra për pothuajse 15 për qind dhe po tregtohet me 94 dollarë për fuçi. Kjo është një rënie e konsiderueshme krahasuar në 120 dollarë për fuçi, por megjithatë nafta "Brent" është pothuajse 30 për qind më e shtrenjtë se para fillimit të konfliktit më 28 shkurt.Çmimi i naftës u ndikua nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, e cila ndërpreu seriozisht furnizimet nga Lindja e Mesme.

Pekin - Kina e përshëndeti armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit, duke theksuar se Pekini, gjithashtu ka bërë "përpjekje" për ndërprerjen e luftërave. Pekini i përshëndeti përpjekjet e bëra nga ana pakistaneze, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë kineze të punëve të jashtme, Mao Ning, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Pekin, duke u përgjigjur në pyetjen e agjencisë Anadolia. "Kina bën përpjekje për armëpushim dhe zgjidhje të konflikteve përmes mjeteve politike që të arrihet stabilitet afatgjatë në rajonin e Gjirit dhe Lindjes së Mesme", tha Mao. Pekini ka bërë "përpjekjet e tij në këtë pikëpamje", shtoi ajo.

Rio de Zhanejro - Një zjarr i madh shpërtheu këtë mëngjes në Parkun Olimpik në Rio de Zhanejro, njoftoi shërbimi ushtarak zjarrfikës brazilian në platformën Iks. Në shuarjen e zjarrit marrin pjesë rreth 60 zjarrfikës. Sipas informacioneve fillestare në zjarr nuk ka persona të lënduar.

Teheran – Marrëveshja përfundimtare ndërmjet Iranit dhe SHBA-së duhet të konfirmohet me rezolutë detyruese të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, njoftoi agjencia iraniane “Tasnim”.  Sipas agjencisë, plani prej 10 pikave i propozuar nga Irani, që do të jetë bazë për bisedimet e ardhshme me palën amerikane pas tërheqjes së presidentit Donald Tramp, parasheh se të gjitha marrëveshjet e mundshme do të miratohen me rezolutë detyruese të Këshillit të Sigurisë së KB-së.  Miratimi i një rezolute të tillë do ta shndërronte marrëveshjen në të drejtë detyruese ndërkombëtare dhe siç bëhet e ditur, do të përfaqësojë fitore të rëndësishme diplomatike për popullin iranian. 

QËNDRONI TË LIDHUR