• e enjte, 09 prill 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

09:00/ 9 prill/ 2026

Strugë - Kryeministri Mickoski sot do të qëndrojë për vizitë në Komunën e Strugës. Siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, Mickoski do të marrë pjesë në fillimin e ndërtimit të projektit për sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza në fshatin Vranishtë. Më pas, do të kryejë inspektim të aktiviteteve ndërtimore për rikonstruksionin e rrugës turistike në Strugë, ku do të japë deklaratë për media.

Shkup - Zëvendësguvernatorët e Bankës Popullore, Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski sot do të japin deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.  Kuvendi dje i zgjodhi Mitreskën dhe Veliçkovskin për zëvendësguvernatorë me mandat shtatë vjeçar, me propozim të guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.

Shkup - Gjykata e apelit në Shkup sot do të mbajë seancë publike rreth ankesave të parashtruara të aktvendimit të shkallës së parë për rrëmbimet dhe vrasjet e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi me të cilin Ljupço Palevski, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vllatko Keshishov u dënuan me burgim të përjetshëm. Lënda është në procedurë të shkallës së dytë rreth ankesave të parashtruara nga mbrojtja dhe nga Prokuroria themelore publike, e cila ankohet në pjesën e aktvendimit lirues për babain e Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, si dhe për veprën e dytë të të akuzuarve. 

Shkup - Kompania ajrore Wizz Air organizon ditë të hapur për pilotët, me qëllim të mbështetjes së rritjes dhe zhvillimit të operacioneve të saj në Shkup. Dita e hapur do të organizohet në dy fusha - për pilotët me përvojë, kapitenët, bashkëpilotët dhe kadetët, si dhe një segment i veçantë i Wizz Air Pilot Academy, i destinuar për pilotët e ardhshëm të cilët janë në fillimin e udhëtimit të tyre në aviacion. Ngjarja, sipas organizatorit, ofron mundësi për kandidatët e interesuar të informohen për mundësitë për punësim dhe zhvillim në karrierë në njërën nga kompanitë ajrore më të madhe në Evropë.

 Bejrut - Grupi militant Hezbollah i mbështetur nga Irani ka njoftuar se do të vazhdojë sulmet e tij ndaj Izraelit pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite në Liban. Në përgjigje të "shkeljes së armëpushimit" nga ana e Izraelit, Hezbollahu bëri të ditur se gjatë natës bombardoi vendbanimet në Izraelin verior.  Grupi theksoi se sulmet e tij hakmarrëse do të vazhdojnë derisa të ndalet agresioni izraelito-amerikan.

Teheran - Autoritetet portuale iraniane këshilluan anijet që të mos kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit pa koordinim të mëparshëm me Korpusin e Gardës revolucionare islamike (IRGC), duke përmendur rrezikun nga minat në këtë rrugë ujore jetike pas një konflikti disa javor, njoftoi DPA, duke përcjellë sot paralajmërimin e publikuar në mediat shtetërore. Agjencia iraniane Fars më herët raportoi se Irani ka ndalur komunikacionin detar përmes ngushticës si shenjë proteste ndaj sulmeve izraelite në Liban, duke njoftuar se vetëm dy tankerë nafte kanë kaluar përmes kësaj rruge ujor që nga fillimi i armëpushimit.

Nju-Jork - Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh i dënoi sulmet e mëdha ajrore të Izraelit në Liban, duke thënë se në to janë vrarë dhe lënduar qindra civilë, prëfshirë edhe fëmijë, dhe është dëmtuar infrastruktura civile, lajmëroi DPA. Guteresh "në mënyrë të prerë i dënon sulmet masive", deklaroi zëdhënësi i tij, Stefan Duzharik, në kumtesën e publikuar dje.

Uashington - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, tha se presidenti amerikan Donald Tramp është "dukshëm i zhgënjyer" nga disa vende anëtare të aleancës transatlantike, gjatë takimit të mbrëmshëm në Shtëpinë e Bardhë, njofoti DPA. Në një bisedë për Si-En-En Rute i ka përshkruar bisedat si një diskutim të hapur mes "dy miqve të mirë", por nuk zbuloi nëse është biseduar për tërheqjen potenciale të SHBA-së nga NATO.

Pekin - Mediumet shtetërore kineze u bënë thirrje SHBA-së dhe Iranit ta shfrytëzojnë "dritaren e ngushtë" të haour me armëpushimin dyjavor për të filluar bisedime paqësore, duke paralajmëruar se ndërprerja e zjarrit lehtë mund të shndërrohet në konflikt të ri. Armëpushimi "nuk është paqe, por është mundësi", kumtoi gazeta "China Daily", duke paralajmëruar se të dy palët mund të sprovohen ta përdorin ndërprerjen e zjarrit për rigrupim ushtarak. Hapa të gabuar mund të shkaktojnë krizë më të gjatë dhe më të thellë, shtohet.

Barcelonë - Barcelona humbi me 2:0 nga Atletiko Madrid në ndeshjen e parë të çerekfinales në Ligën e Kampionëve. Ndeshja u mbajt në stadiumin "Kamp Nou" në Barcelonë. Në minutën e 44-të, katalanasit mbetën me 10 lojtarë pasi mbrojtësi Pau Kubarsi u përjashtua për një ndërhyrje ndaj Xhuliano Simeones. Gjyqtari Ishtvan Kovaç fillimisht i dha mbrojtësit karton të verdhë, por pas një rishikimi të VAR-it, ai e rrëzoi vendimin e tij dhe i dha Kubarsit karton të kuq.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell, me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa vende-vende përgjatë Vardarit kohë pas kohe erë më e fortë nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval nga -2 deri në 7, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 12 deri në 20 gradë. Në Shkup, moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet në 3, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 18 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR