15:00 / 26 dhjetor / 2024
Shkup - Nëse do të ketë ndryshime në zgjidhjen ligjore për të dielën ditë jopune, do të dihet pas seancës së radhës të Këshillit Ekonomiko-Social (KES), ku së bashku do të flasim qartë dhe me zë të lartë me punëdhënësit dhe punëtorët, paralajmëroi sot kryeministri Hristian Mickoski. "Mendimi im personal është që të dielave t'ju mundësohet të punojnë të gjithë atyre që arrijnë marrëveshje me punëdhënësit dhe do të fitojnë mëditje dyfish ose trefish më të lartë, ose, askush nuk do të punojë. Ose do të zbatohet për të gjithë ose nuk do të zbatohet për askënd, ndërsa politikë të standardeve të dyfishta ne nuk do të udhëheqim. Nëse do të ketë ndërhyrje ligjore dhe cilat do të jenë ato, do të varet nga rezultati i mbledhjes së radhës së KES. Për këtë çështje kemi diskutuar tashmës me sindikatat dhe me odat ekonomike dhe nuk është një çështje që duam ta imponojmë. Nuk e kemi diskutuan në një rreth të ngushtë, kështu që të marrim vendim dhe pasta të mos e dimë se çfarë të bëjmë me të. Me dhunë nuk do të bëjmë asgjë"; tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve në seancën e sotme parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve.
Shkup – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët theksoi se interpelancat e parashtruara për zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhiti, zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoillkoviq, ministrin e Punëve të Brendshme, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme Astrit Iseni dhe deputeten dhe kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti pritet të vendosen në seancë plenare e cila duhet të thirret më 10 janar të vitit të ardhshëm.
Shkup - Në hapësirat e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjykatësit e porsazgjedhur të Gjykatës së Apelit Gostivar, Jetmir Hamzai dhe Abdulla Azari, sot dhanë deklaratë solemne. Para zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, gjykatësit e konfirmuan përkushtimin e tyre ndaj drejtësisë dhe ligjit në rolin e tyre të ri. Hamzai dhe Azari ishin zgjedhur në këtë pozitë në mbledhjen e 504-t të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 6 nëntor 2024. Hamzai ishte renditur i pari në listën e kandidatëve, ndërsa menjëherë pas tij, si i renditur i dytë ishte Azari. Që të dy e fituan shumicën e nevojshme të votave nga Këshilli Gjyqësor, me 13 vota “për”.
Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun e ostëm me gazetarë theksoi se do ta përkrahte idenë e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili bëri thirrje për një strategji mbipartiake me të cilën do të garantohej zhvillimi afatgjatë i shtetit. "Po, do të përkrah. Unë i përkrahi idetë e tilla kur bëhet fjalë për qasjen e një burrështetasi ndaj gjërave, por do të shohim se si do të reagojnë. Megjithatë, si kryetar i Kuvendit nuk dua të përfshihem në çështje të tilla. Do të përkrahja, do të merrja pjesë nëse mendoj se mund të ndihmoj. Por nuk mendoj se duhet të komentoj deklaratat politike të aktorëve të tjerë politikë në vend", tha Gashi.
Shkup – Seriozisht punojmë për tejkalimin e problemit me integrimet tona evropiane, ndërsa ndryshime kushtetuese do të ketë kur do të jemi të sigurt se nuk do të kemi veto potenciale nga Bullgaria dhe kur do të gjejmë zgjidhje e cila do ta garantojë përfundimin e këtij procesi, porositi sot ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociator me Bashkimin Evropian, Orhan Murtezani. “Edhe në gjuhën maqedonase kam deklaruar se asnjëherë nuk kam thënë se do të dalim nga Qeveria nëse nuk ka ndryshime kushtetuese në fund të vitit. Kur e formuam Qeverinë nuk e bëmë këtë me një këmbë jashtë, ndërsa me tjetrën brenda dhe jo me shantazhe se do të dalim nga Qeveria”, tha Murtezani në përgjigjen e pyetjes në mbledhjen e sotme në kuvend kushtuar pyetjeve të deputetëve.
Shkup – Ne si shumicë parlamentare mendojmë se duhet të ketë vullnet politik dhe marrëveshje politike për atë se kur do të fillojë të zbatohet procedura për ndryshimet kushtetuese, deklaroi në brifingun e sotëm me gazetarët kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. “Procedura për ndryshime kushtetuese është e përcaktuar me Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës. Kushdo që plotëson kushtet mund të ngrit nismë. Por ne si shumicë parlamentare mendojmë se duhet të ketë vullnet politik dhe marrëveshje politike se kur do të fillojë të zbatohet procedura. Ju e dini se ndryshimet kushtetuese ndodhin kur dy të tretat e Kuvendit tonë e votojnë atë dhe kur të jemi të sigurt se do të pranohet nga shumica e deputetëve në Kuvendin tonë, atëherë do të fillojmë procedurën. Në një rast tjetër nuk mund të ndalojmë askënd, por mendojmë se nuk është mirë të eksperimentojmë me veprime të tilla”, tha Gashi.
Shkup - Paga minimale të jetë 500 euro, kontributet të ulen nga 47,7 në 32 për qind, ndërsa një pjesë e administratës të shpërndahet në sektorin privat, kërkon Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP). Oda sot ka aktualizuar sërish çështjen e kthimit të TVSH-së për kompanitë. Siç deklaroi kryetari i OEMVP-së, Mendi Qura, edhe qeveria e mëparshme edhe ajo aktuale janë vonuar me kthimin e taksës.
Shkup - Në Qeveri sot u realizua takim i ministrit të Integrimit dhe Implementimit të Strategjisë për Përfshirjen e Romëve, Shaban Saliu, me përfaqësues të organizatave joqeveritare rome. Ministri, në konferencën për shtyp para fillimit të takimit, tha se qëllimi është zbulimi i problemeve dhe gjetja e zgjidhjes së tyre. Qëllimi është, shtoi, të ndërtohet një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe e drejtë.
Gostivar - Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në lidhje me deponinë Rusino tha se kemi kompani të cilat janë të interesuara për të investuar në një fabrikë reciklimi. “Një ekip nga Turqia ishin javën e kaluar, kemi pasur edhe kompani nga Austria dhe Italia. Ne do të kërkojmë projekte konkrete nga këta kompani në lidhje me Deponinë Rusino. Interesimi ynë është që të filloj dhe të mbarojë sa më shpejt projekti që të kemi zgjidhje të shpejtë dhe afatgjate. Ministri i Ambientit Jetësor, Izet Mexhiti gjatë vizitës së tij në Gostivar, e vizituam bashkërisht edhe deponin Rusino, tek ai pash që ka interesim serioz dhe do merren hapa konkrete për zgjidhjen këtij problemi”, tha Limani një intervistë për DailyClick në TV21.
Gostivar - Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, deklaroi se më 30 dhjetor Këshilli Komunal i Gostivarit, e ka seancën kur do të shqyrtohet Buxheti Komunal për vitin 2025. Sipas tij, Buxheti Komunal për vitin 2025 është 25 milionë euro dhe do të jetë buxheti më i madh që e ka pasur deri tani Komuna e Gostivarit. “Ky buxhet i cili premton zhvillim lokal dhe premton projekte tjera të cilat kanë të bëjnë me arsimin dhe ambientin jetësor por edhe disa masa tjera të cilat do t’i propozoj për herë të parë. Siç është 6.000 denarë për çdo fëmijë të lindur në komunën e Gostivarit, gjithashtu do të ketë ndihmë për të gjithë nxënësit që do të regjistrohen në klasën e parë, do të ketë subvencione për inverter dhe biçikleta. Në projektin e Buxhetit për vitin 2025 dhe do të ketë masa tjera të cilat do të ndihmojnë dukshëm në Komunën tonë”, nënvizoi Limani në DailyClick në TV21.
Shkup - Nga LAMM informuan se ndalesë për komunikacion të automjeteve të rënda transportuese ka në aksin rrugor Tetovë – Kodër të Diellit. Janë hequr ndalesat për qarkullimin e automjeteve të rënda transportuese në vendkalimin Gjavato dhe në aksin rrugor Gostivar - Mavrovë - Dibër dhe anasjelltas. Aksi rrugor nga Kriva Pallanka për në VK Cërcoria e Madhe - Golesh, në rreth 600 metra para VK, më saktësisht nga varrezat e fshatit Cërcoria e Madhe, rruga është e pakalueshme për shkak të reshjeve të borës.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë të lagështa, në disa vende me mbetje të borës në rrugë, pas ndërhyrjes së ekipeve kujdestare. Borë e lehtë, që nuk qëndron në rrugë po bie në Resnjë, në rrugën Resnjë-Krushevë dhe në vendkalimet malore Gjavato dhe Pletvar. Nga NP Rrugët e Maqedonisë informojnë se në disa rrugë, të cilat kalojnë nëpër gryka, është e mundur paraqitja e rrëshqitjeve më të vogla të dheut. Përkujtojnë se ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese ka në vendkalimin malor Gjavato dhe në rrugën Tetovë - Kodra e Diellit.
Sarajevë - Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës konfirmoi se ministri i Sigurisë së BeH-së, Nenad Neshiq është privuar nga liria. Prokuroria e BeH-së së bashku me Drejtorinë për krim të organizuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republika Sërpskas, sot ka lëshuar urdhër për arrestimin e Neshiqit, si dhe drejtorit të "NP Rrugët e RS-së", Millan Dakiqit, Mlladen Luçiqit dhe katër personave tjerë.
Damask - Forcat siriane të sigurisë po kryejnë një operacion në pjesën perëndimore të vendit kundër milicive që mbështesin presidentin e rrëzuar Bashar al-Asad, transmetuan agjencitë botërore, duke cituar agjencinë shtetërore të lajmeve. Operacioni është në vijim në provincën perëndimore Tartus, e banuar nga pakica alavite, prej nga e ka origjinën Asad, i cili u rrëzua më 8 dhjetor nga grupet kryengritëse.
Ankara - Turqia ka vendosur të lejojë një delegacion të Partisë për Barazi dhe Demokraci të Popujve (DEM) që ta vizitojë liderin e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) Abdullah Oxhelan në burg, shkruan gazeta turke Sabah. Kjo do të ishte vizita e parë e Oxhelanit pas pothujase një dekade, i cili po vuan dënim me burg të përjetshëm në ishullin Imrali. Është paraparë që delegacion i DEM-it sot ose nesër ta vizitojë Oxhelanin.
Uashington - Banka Botërore sot e rriti parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Kinës në 4,9 për qind në vitin 2024 dhe 4,5 për qind në vitin 2025, por paralajmëroi se ulja e besimit të amvisërive dhe bizneseve, së bashku me vështirësitë në sektorin e patundshmërive do të vazhdojnë të paraqesin problem për ekonominë. Në një parashikim të mëparshëm të qershorit, Banka Botërore priste që ekonomia e Kinës të rritet për 4,8 për qind në vitin 2024 dhe 4,1 për qind në vitin 2025, por tani e ka rishikuar vlerësimin e saj për shkak të fuqisë së eksportit kinez dhe masave të fundit nga qeveria në Pekin për të stimuluar konsumin, raporton Si-En-En-i.
Liverpull - Futbollisti egjiptian i Liverpullit, Mohamed Salah, u sulmua nga tifozët pasi publikoi një fotografi familjare para një peme të Krishtlindjes. Futbollisti tridhjetë e dy vjeçar është mysliman, ndërsa në traditën islame nuk është zakon të festohen Krishtlindjet. Në komentet e fotografisë, shumë përdorues të internetit kanë kritikuar Salahin, duke e quajtur, ndër të tjera tradhtar të fesë së tij.