• e premte, 27 mars 2026
MIA Flesh

09:00/26 mars/2026

Shkup - Në Kuvend sot do të mbahet seanca plenare e 95-të, në të cilën në rend dite është parashtrimi i pyetjeve të deputetëve. Seanca për pyetjet e deputetëve mbahet çdo të enjte të fundit të muajit, ndërsa kryeministrit dhe ministrave u drejtohen pyetjet e para nga partitë opozitare.

Shkup - Forumi rajonal "Platforma për përfshirjen e grave të margjinalizuara në shoqëri dhe përforcimi i bashkëpunimit", do të mbahet sot në Shkup. Forumi, i cili është në organizim të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, ka për qëllim të nxisë dialog thelbësor mes institucioneve, organizatave civile dhe bashkësive të margjinalizuara për përmirësimin e mbrojtjes nga diskriminimi.

Shkup - Ministra, udhëheqës të universiteteve, akademikë, hulumtues, politikbërës, përfaqësues të industrisë, punëdhënës, ekspertë dhe studentë do të jenë pjesë e Konferencës rajonale "Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore", që do të mbahet sot dhe nesër në Shkup. 

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme deri në fund të ditës dhe me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë, ndërsa vende-vende me erëra të forta (mbi 60km/h) nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 0 deri 7, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 14 deri 21 gradë.

Paris - Ministrat e punëve të jashtme të shtatë vendeve më të zhvilluara industriale (G7) takohen sot në Francë në biseda dy ditëshe në kushte të tensioneve të përforcuara gjeopolitike. Takimi po mbahet në ish abacinë në Sernej-la-Vill, pranë Parisit, dhe pritet që fillimisht të diskutohen reformat e mundshme në misionet paqeruajtëse dhe ndihmën humanitare. Gjithashtu në agjendë janë përpjekjet e rindërtimit, duke përfshirë strukturën e dëmtuar të centralit bërthamor "Çernobil", si dhe masat për të luftuar trafikun e drogës në Siri.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski njoftoi se vendi i tij po negocion për partneritet në fushën e armatimit me vendet e Gjirit Persik, transmeton DPA. Në fjalimin e tij të rregullt në mbrëmje, Zelenski vuri në dukje se këto vende kanë treguar interes të madh për përvojën e Ukrainës në luftimin e dronëve, veçanërisht në kontekstin e konfliktit me Iranin. "Ukraina ofron një partneritet të dobishëm për të dyja palët: mund t'i forcojmë ata që mund të na forcojnë ne", tha ai. Në këmbim, Kievi po kërkon sisteme të mbrojtjes ajrore dhe mbështetje financiare për operacionet mbrojtëse kundër Rusisë.

Teheran - Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi deklaroi se plani amerikan për t'i dhënë fund luftës për momentin po shqyrtohet nga autoritetet më të larta në Teheran, por theksoi se shkëmbimi i mesazheve përmes ndërmjetësve nuk përbën negociata të drejtpërdrejta me ShBA-në.

Daka - Të paktën 24 persona e humbën jetën pasi që një autobus me rreth 40 udhëtarë ra në lumin Padma derisa tentonte të hipte në traget në Bangladesh, kumtuan sot persona zyrtarë. Fatkeqësia ndodhi dje kur autobusi e humbi kontrollin derisa po i afrohej tragetit në Daulatdia në qarkun Raxhbari, rreth 100 kilometra larg Dakës. Autobusi u përmbys dhe u fundos pothuajse nëntë metra në lum, sipas policëve, zjarrrfikësve dhe nëpunësve për mbrojtje civile.

Uashington - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trampi, deklaroi se Irani dëshiron të negociojë për një marrëveshje paqeje, por se përfaqësuesit zyrtarë iranianë po e mohojnë publikisht këtë nga frika e reagimit të popullit të tyre, raporton Si-Bi-Es (CBS). Duke folur në një darkë për anëtarët republikanë të Kongresit, Trampi theksoi se Teherani, sipas njohurive të tij, në të vërtetë dëshiron të arrijë marrëveshje, por negociatorët kanë frikë ta pranojnë hapur.

Uashington - Nënpresidenti amerikan Xhej Di Vens pritet që më 7 dhe 8 prill ta vizitojë Hungarinë, para zgjedhjeve parlamentare në vend, të caktuar për më 12 prill. Vizita e Vend konsiderohet si shenjë mbështetjeje për Viktor Orban për zgjedhjet, për të cilat analistët vlerësojnë se do të jenë sfida më e madhe për kryeministrin Orban që nga marrja e pushtetit në vitin 2010. Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio ishte në Budapest muajin e kaluar. 

Madrid - Futbollisti i Real Madridit, Kilian Mbape i mohoi raportimet se personeli mjekësor i klubit gabimisht e ka trajtuar gjurin e shëndoshë. Një gazetar nga gazeta franceze "RMC Sport", para dy ditëve kumtoi se në dhjetor të vitit 2025, Real Madridi nuk arriti të zbulojë një këputje të pjesërishme të ligamenteve në gjurin e majtë të lojtarit, sepse në vend të tij e skanuan gjurin e tij të djathtë, të shëndoshë.

QËNDRONI TË LIDHUR