18:00 / 24 mars / 2026
Shkup - Sistematizimi i ri në MPB redukton në mënyrë dramatike strukturën udhëheqëse dhe e bazon atë në kritere profesionale, ndërsa jo etnike”, theksoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në fillimin e fushatës së OSBE-së për rritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet nga keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur, ndër të tjera, edhe me sistematizimin e ri të MPB-së dhe rastet e keqpërdorimit të pushimeve mjekësore. Toshkovski theksoi se sistematizimi i ri rrjedh nga ligjet e miratuara për punët e brendshme dhe për policinë, të cilat kërkojnë riorganizim në përputhje me rregullat e reja ligjore. "Ndryshimi kryesor është zvogëlimi i ndjeshëm i numrit të pozicioneve udhëheqëse, shefave, zëvendësve dhe ndihmësve. Vlerësimet fillestare tregojnë se struktura udhëheqëse ulet mbi 30 për qind, mendoj se shifra e saktë është 37-38 për qind. Më nuk do të kemi funksione vetëm për të ekzistuar, por pozicione konkrete me përgjegjësi dhe standarde të qarta", theksoi ministri.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Klinikën universitare për sëmundjet e syrit me rastin e realizimit të suksesshëm të transplanteve të kornesë, në bashkëpunim me një ekip ekspertësh nga Amerika. "Në kuadër të vizitës së ekspertëve nga SHBA, janë realizuar me sukses gjithsej 16 transplante të kornesë. Kjo vizitë përfaqëson një thellim të rëndësishëm të bashkëpunimit që kemi vendosur me ta gjatë vizitës së parë, kur u hodhën themelet e këtij partneriteti. Me këtë fazë të dytë, jo vetëm që vazhdojmë me rritjen e numrit të ndërhyrjeve, por gjithashtu forcojmë më tej kapacitetet e ekipeve vendase përmes transferimit të njohurive dhe aplikimit të teknikave më moderne, minimalisht invazive. Veçanërisht e rëndësishme është se te 6 pacientë janë aplikuar teknika bashkëkohore minimalisht invazive, ku transplantohet vetëm një pjesë e kornesë me precizion mikronik dhe pa përdorimin e qepjeve. Këto procedura realizohen për herë të parë në oftalmologjinë e vendit tonë", tha Aliu.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot deklaroi se gjendja e sigurisë në vend është e qëndrueshme, dhe pavarësisht tensioneve rajonale pas konfliktit me Iranin. Ministri tha se institucionet nuk kanë informacione të cilat tregojnë për mundësi për shkelje të sigurisë. Në këtë moment besoj se kemi një situatë të qëndrueshme të sigurisë. Nuk kemi asnjë indikacion që ajo mund të ndryshohet nga niveli ku është aktualisht. Këshilli i Sigurisë u thirr dhe në këtë moment mendoj se kemi një gjendje të qëndrueshme", deklaroi Toshkovski pas ngjarjes që shënoi fillimin e fushatës së OSBE-së për rritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet nga keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot deklaroi se në javët e fundit është vërejtur një rritje e konsiderueshme e denoncimeve për dhunë në familje, ndërsa institucionet po punojnë intensivisht për ndryshime sistematike dhe për përmirësimin e reagimit ndaj viktimave. Ai potencoi se shifrat janë ndjeshëm më të larta se zakonisht dhe se publiku duhet të jetë i vetëdijshëm se një pjesë e rritjes është për shkak të besimit më të madh në institucione dhe inkurajimit të viktimave. “Nëse më parë kishim një deri në dy raste në javë, tani kemi disa raste çdo ditë. Vetëm këtë fundjavë patëm më shumë se 10 denoncime për dhunë në familje. Kjo tregon se viktimat janë inkurajuar të raportojnë dhunën. Kjo tregon se, në një mënyrë, kemi institucione më aktive jo vetëm në pjesën e BSP-së dhe sektorëve të Punëve të Brendshme pranë MPB-së, por edhe brenda institucioneve të tjera" tha Toshkovski pas ngjarjes që shënoi fillimin e fushatës së OSBE-së për rritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet nga keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta.
Shkup - Në ceremoni zyrtare sot në Zagreb me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake është pritur presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nga presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, me çka filloi vizita e saj zyrtare në vend, thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidentes. Të dy shefat e shteteve kanë mbajtur tet-a-tet takim, pas çka vijoi mbledhja plenare e dy delegacioneve, në fokus të së cilës ishin marrëdhëniet tradicionale miqësore bilaterale. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Siljanovska-Davkova tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga përcaktimet strategjike të shtetit dhe u falënderua për marrëdhëniet miqësore, përkrahjen dhe mirëkuptimin nga ana e Kroacisë, si dhe për ndihmën në hapjen e perspektivave të reja dhe zgjidhjeve të mundshme në procesin e integrimeve evropiane.
Shkup - Bashkëpunimi dhe reformat në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, zbatimi i programit IPARD III, si dhe përforcimi i kapaciteteve institucionale dhe administrative të shtetit ishin në fokus të takimeve të ministrit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministrit për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, me drejtoreshën e përgjithshme për Bujqësi dhe zhvillim rural në Komisionin Evropian, Elisabet Verner, dhe me deputetë në Parlamentin Evropian. Siç kumtuan nga MPJdheTJ, në takime u diskutuan prioritetet kyçe të politikës së jashtme, proceset reformuese dhe çështjet aktuale rajonale. "U shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane dhe dinamikën e procesit anëtarësus të shtetit dhe rajonit, duke u theksuar rëndësia e sigurimit të mbështetjes së qëndrueshme dhe të besueshme për politikën e zgjerimit në kushtet e sfidave aktuale gjeopolitike", thuhet në kumtesën e MPJdheTJ.
Shkup - Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe forcimit të dimensionit akademik e shkencor, Fakulteti pedagogjik i Universitetit të Tetovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik duke nënshkruar Memorandum bashkëpunimi me Akademinë rajonale për zhvillim profesional të mësimdhënësve në Odesa, Ukrainë. Siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, ky bashkëpunim është rezultat i kontakteve të para të vendosura përmes bashkëpunimit me Universitetin Masaryk në Bërno, Çeki, duke dëshmuar për një rrjetëzim në rritje të Fakultetit Pedagogjik me institucione të rëndësishme evropiane në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Zagreb – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, deklaroi se ka rezerva ndaj mënyrës se si po zhvillohet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se mekanizmat e propozuar nuk janë të drejtë dhe nuk janë transparentë.
Milanoviq, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova në Zagreb, theksoi se qëndrimet e Kroacisë ndaj Maqedonisë janë të qarta, të hapura dhe miqësore, duke theksuar se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura dhe se i mbështet ambiciet evropiane të Maqedonisë së Veriut, Duke folur për procesin e vendimmarrjes në BE, Milanoviq theksoi se unanimiteti mbetet një parim kyç, i përcaktuar në aktet themelore të Unionit, dhe se ndryshimi i tij është praktikisht i pamundur pa një konsensus të gjerë.
Dibër - Interes të madh ka tek banorët e Dibrës pas shpalljes së publikuar të Ministrisë së Transportit, me të cilin, në Dibër, duhet të ndahen 47 banesa sociale. "Deri më sot kemi pranuar 66 kërkesa, por presim që ky numër të jetë më i lartë, duke pasur parasysh se shpallja, e cila publikua më 27 të muajit të kaluar, zgjat deri më 30 të këtij muaji. Bëhet fjalë për ndarjen e 47 banesave sociale me sipërfaqe prej 34 deri në 54 metra katrorë", tha për MIA-n Arlinda Mulladauti-Telqiu, drejtoreshë e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale. Shton se objekti është ndërtuar në kuadër të Programit për Ndërtimin, Shitjen dhe Mirëmbajtjen e Hapësirës së Banimit në Pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe në përputhje me marrëveshjen kornizë për hua të lidhur midis Bankës për Zhvillim prabl Këshillit të Evropës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjenevë - Më shumë se 500 civilë u vranë në Sudan në sulmet me dronë midis janarit dhe mesit të marsit, kryesisht në rajonin strategjikisht të rëndësishëm Kordofan, deklaroi sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. "Sipas informacioneve të disponueshme, më shumë se 500 civilë u vranë në këto sulme, të cilat ndodhën midis 1 janarit dhe 15 marsit. Shumica e këtyre vdekjeve të civilëve u regjistruan në tre shtete në rajonin Kordofan", deklaroi zëdhënësja e Komisioneres së Lartë Marta Hurtado në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
Zagreb – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova vlerësoi se rruga e integrimeve evropiane e Maqedonisë nuk është vetëm proces i gjatë, por “maratonë me pengesa, që nuk ka bazë në të drejtën evropiane”. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën e sotme për media në Zagreb pas takimit me homologun kroat Zoran Millanoviq, ajo theksoi se është e befasuar nga paralajmërimet se raportuesi Tomas Uajc për të dytën herë përgatit raport dhe kërkon nga shërbimi juridik i Këshillit interpretim të Protokollit të dytë në lidhje me marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
Zagreb– Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, sot në Zagreb realizoi takim me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq në të cilin ishte shprehur kënaqësia nga marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe të bazuara në respekt dhe besim të ndërsjellë, dialog të intensifikuar politik dhe bashkëpunim konstruktiv në sferat me interes të ndërsjellë. Presidentja theksoi se impuls i ri në bashkëpunim, por edhe dëshmi për miqësi të sinqertë është nisma e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim strategjik me qeverinë e Republikës së Kroacisë.
Paris – Gjykata e Apelit në Paris sot ka nisur hetim kundër ish-shefit të agjencisë së BE-së për roje kufitare dhe bregdetare (Fronteks), Fabris Lexheri, për shkak të akuzave për bashkëpjesëmarrje në krime kundër njerëzimit.
Lexheri, i cili është eurodeputet nga partia franceze e ekstremit të djathtë “Lidhja kombëtare”, refuzoi të komentojë lajmin për hetimin, duke thënë se nuk është i njohur me vendimin e gjykatës. Nëse prokurorët ngrenë aktakuzë kundër Lexherit, do të kërkohet heqja e imunitetit të tij si anëtar i Parlamentit Evropian, gjë që do të kërkonte një votim parlamentar.
Londër – Nënpresidenti i SHBA-së, Xhej Di Vens mund ta kryesojë palën amerikane në bisedimet paqësore me Iranin në Pakistan, nëse mbahen ato, njoftuan burime diplomatike pakistaneze, njoftoi sot “Gardijan”. Udhëheqësia ushtarake e Pakistanit po bën përpjekje të ndërmjetësojë në bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Shtëpia e Bardhë konfirmoi se shefi i armatës pakistaneze, Asim Munir, ka biseduar për konfliktin me Iranin në bisedë telefonike me presidentin Donald Tramp të dielën. Sipas burimeve diplomatike, Uashingtoni dhe Teherani mund të takohen në bisedime në Islamabad edhe këtë javë që të bisedojnë për përfundimin e luftës që filloi para gati se një muaji.
Teheran - Në sulmet ndaj Iranit nga ana e forcave amerikane dhe izraelite janë dëmtuar ose shkatërruar mbi 82.000 objekte civile, kumtoi sot Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit. Strukturat e dëmtuara përfshijnë 62.000 shtëpi, 281 qendra mjekësore, spitale dhe farmaci, deklaroi shefi i organizatës, Pirhosein Kolivand. Ai shtoi se 498 shkolla janë dëmtuar nga sulme të drejtpërdrejta ose sulme në afërsi të tyre, ndërsa qëllimi i sulmeve ishte dhe organizata e tij. Raketat goditën 17 pika për shpëtim dhe 12 automjete shpëtimi", tha Kolivand.
Islamabad - Pakistani është i gatshëm të bëhet nikoqir i bisedave mes SHBA-së dhe Iranit për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, deklaroi sot kryeministri Shehbaz Sharif. Sharif në publikim në rrjetin social "X" deklaroi se Pakistani i përkrah përpjekjet e orientuara drejt dialogut për ndërprerje të konfliktit në Lindjen e Mesme, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Kryeministri theksoi se Pakistani, me marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit, është i gatshëm dhe i nderuar të bëhet nikoqir dhe të ndërmjetësojë në "negociatat e rëndësishme dhe përfundimtare", që do të sillnin deri në zgjidhje të përgjithshme për konfliktin e tanishëm.
Doha– Katari njoftoi sot se nuk ndërmjetëson ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, duke u përgjigjur në komentet e presidentit amerikan Donald Tramp, i cili thoshte se Uashingtoni udhëheq bisedime me Teheranin. “Ne nuk jemi të përfshirë në këto bisedime”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maxhid al – Ansari, para gazetarëve. Al – Ansari iu përgjigj pyetjeve në lidhje me komentet e fundit të presidentit Tramp, i cili tha se i ka shtyrë kërcënimet për sulme ndaj objekteve energjetike iraniane për shkak të “bisedimeve produktive” me Iranin.
Uashington– India e mbështet qetësimin e situatës në luftën në Lindjen e Mesme dhe vendosjen e paqes sa më shpejtë që është e mundur, deklaroi sot kryeministri Narendra Modi. Kryeministri indian shkroi në Iks se ka pasur “bisedë të dobishme me presidentin amerikan Donald Tramp për situatën në Azinë Perëndimore”. “Sigurimi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur, e sigurt dhe e kapshme është me rëndësi kyçe për gjithë botën”, shkroi Modi.
Uashington – Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio do të udhëtojë në Francë këtë javë që të bëjë përpjekje t’i bindë aleatët e G7 në korrektësinë e strategjisë ushtarake kundër Iranit. Rubio do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të G7 në afërsi të Parisit të premten “që t’i avancojë interesat kyçe të SHBA-së” dhe të bisedojë për problemet e përbashkëta të sigurisë dhe mundësitë për bashkëpunim”, njoftoi ministria. “Sferat në fokus do të përfshijnë luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, situatën në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet për paqen dhe qëndrueshmërinë në mbarë botën”, thuhet në kumtesë.
Londër - Ish-trajneri i Liverpulit, Jirgen Klop, i quajti të pakuptimta aludimet se ai do të ulet këtë verë në stol të Real Madridit, por shtoi se në të ardhmen mund të kthehet në punën e trajnerit në një klub tjetër. Media të shumta gjatë ditëve të fundit spekuluan se trajneri gjerman 58-vjeçar mund të zëvendësonte Alvaro Arbeloa në stolin e Real Madridit këtë verë. “Nëse do të kishte kontaktuar Real Madridin, deri tani do të kishit dëgjuar për këtë. Por, kjo është e pakuptimtë. Nuk kanë kontaktuar asnjëherë. Agjenti im është këtu, mund ta pyesni. As atë nuk e kanë kontaktuar”, deklaroi Klop për mediat gjermane. Klop është pa angazhim që nga fundi i sezonit 2023/2024, kur u largua nga Liverpuli dhe në këtë moment është drejtues për futboll global në kompaninë Red Bull.