• e premte, 16 gusht 2024

Kurti: Hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt

Kurti: Hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt

Prishtinë, 14 gusht 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se hapja e urës në Ibër të Mitrovicës, e cila e ndan qytetin në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe veriore, me shumicë serbe, nuk është kundër askujt, ndërsa më së paku kundër partnerëve të Kosovës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë kosovare, Kurti tha se Kosova është shtet normal dhe se si e tillë duhet të ketë edhe ura normale - të hapura. 

"Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme", theksoi Kurti.

Ai tha se ai dhe Qeveria janë të bindur se "liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet".

"Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura", ka thënë Kurti.

Partnerët ndërkombëtarë kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin si "veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”. Edhe KFOR-i ka thënë se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të merret në dialog.

Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, u shpreh se ekziston rrezik me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë. Sipas tij, kjo mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR