• e shtunë, 17 gusht 2024

Abasi para Parlamentit turk: Planifikojmë vizitë në Gazë

Abasi para Parlamentit turk: Planifikojmë vizitë në Gazë

Ankara, 15 gusht 2024 (MIA) - Presidenti palestinez Mahmud Abas sot, gjatë paraqitjes së tij para Parlamentit turk paralajmëroi se planifikon ta vizitojë Rripin e Gazës.

Abasi foli në mbledhjen e jashtëzakonshme në Mexhlisin turk. Sesioni i organizuar me rastin e vizitës së tij në Ankara, ishte hapur nga kryetari i parlamentit, Numan Kurtulmush. 

Fjalimi i tij zgjati 45 minuta, që është më shumë se sa është paraparë. Abasi disa herë e rriti tonin, ndërsa fjalët e tij ishin përshendetur me duartrokitje më shumë se 20 herë. Një pjesë e madhe e të pranishmëve disa herë u ngritën në këmbë.

Në mbledhje mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, me ftesë të të cilit Abasi erdhi në Ankara. Bashkë me Erdoganin ishte edhe nënkryetari Xhevdet Jillmaz. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Ali Erbash, drejtor i Drejtorisë turke për Çështje Religjioze - Dijanet. 

"Nuk kemi zgjidhje tjetër, prandaj unë dhe përfaqësues të tjerë të udhëheqësisë palestineze vendosëm që ta vizitojmë Gazën", deklaroi Abasi. Ai ju bëri thirrje liderëve botërorë dhe sekretarin e përgjithshëm të KB-së gjithashtu ta vizitojnë Gazën. 

"Qëllimi i gjenocidit që po kryhet në Gazë është eliminimi i pranisë palestineze nga atdheu ynë dhe dëbimi i popullit tonë", tha Abasi. "Sado të përpiqen ta bëjnë, nuk do t'ia dalin. Populli ynë është i lidhur me tokën e tij të shenjtë dhe do të dëbojë pushtuesit", theksoi lideri palestinez.

"Ne ndjekim urdhrat e islamit: Ose fitore ose vdekje martire. Unë flas këtu në një platformë ndërkombëtare dhe u bëj thirrje të gjithë liderëve arabë dhe islamikë që ta përmbushin këtë detyrë së bashku", shtoi Abas.

Sipas tij, "rruga drejt paqes dhe sigurisë fillon dhe përfundon me Palestinën". "Lufta jonë kundër agresionit barbar të Izraelit i mobilizon njerëzit nga të gjitha kontinentet, të cilët e kundërshtojnë padrejtësinë. Njerëzit po dënojnë me zë të lartë Izraelin dhe forcat e shkatërrimit", shtoi Mahmud Abas.

Në seancë morën pjesë edhe diplomatë nga shumë përfaqësi diplomatike në kryeqytetin turk. Ngjarja ndiqej nga një numër i madh i gazetarëve lokalë dhe të huaj. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR