• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë caktohen për më 9 shkurt 2025

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë caktohen për më 9 shkurt 2025

Prishtinë, 16 gusht 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e caktoi datën 9 shkurt 2025 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të rregullta parlamentare në vend, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në dekretin të cilin e publikoi në faqen e saj në Fejsbuk, Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat janë zgjedhjet e para të rregullta për Kuvendin republikan që nga shpallja e pavarësisë së shtetit në vitin 2008.

"Urime!", shkroi Osmani krahas fotografive nga nënshkrimi i dekretit, vetë dekreti dhe Kushtetuta e Kosovës. 

Osmani në fund të muajit të kaluar filloi konsultime me partitë politike në vend për arritjen e marrëveshjes për datën e zgjedhjeve të përgjithshme. 

Pas takimit më 31 korrik, në të cilin nuk morën pjesë përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (VV), në krye të së cilës është kryeministri Albin Kurti, as ata të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, Osmani deklaroi se partitë kanë preferenca të ndryshme lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve, por se propozimet e tyre janë me dallime të vogla në kuadër të afatit ligjor, që i parasheh datat 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt të vitit 2025. 

Tri partitë opozitare parlamentare të shqiptarëve, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan që data 26 janar të jetë data e zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa VV-ja në pushtet njoftoi sot se kanë propozuar 2 shkurtin, por që janë të përgatitur për zgjedhje në çdo datë të caktuar nga presidentja Osmani. Te partnerët më të vegjël të koalicionit qeveritar ka pasur propozime për datat 9 dhe 16 shkurt, ndërsa disa kanë thënë se do të pranojnë cilëndo datë nga afatet ligjore. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR