• e shtunë, 23 nëntor 2024

Policia e Kosovës përsëri gjen armë në Banjskë

Policia e Kosovës përsëri gjen armë në Banjskë

Prishtinë 16 gusht 2024 (MIA) - Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në Banjskë afër Zveçanit, në veri të Kosovës, ka rizbuluar armë, të cilat supozohet se kanë qenë aty që nga sulmi i një grupi të armatosur serb ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani, ka thënë për mediat se në aksionin e sotëm, ndër të tjera është gjetur një pushkë automatike, fishekë dhe pajisje të tjera ushtarake.

"Sot gjatë ditës kemi zhvilluar një kontroll shtesë në hotelin 'Rajska Banja' dhe kemi gjetë dy jelekë antiplumb, AK-47, 8 Karikator me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake. Besohet se këto prova materiale kanë qenë aty që nga rasti i Banjskës”, deklaroi Elshani.

Nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka gjetur armatim në Banjskë që nga sulmi i shtatorit.

Kompleksi "Rajska Banja" u mor në administrim nga shteti në fund të vitit të shkuar. Kompleksi ishte funksional deri në marrjen e tij nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Hapjen e hotelit në Banjskë e kishte bërë Marko Gjuriq, që tash është ministër i Jashtëm i Serbisë. E, bazuar në fotot që ka publikuar faqja e kësaj banje, aty kanë qëndruar edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e zyrtarë të Listës Serbe. AKP-ja njoftoi se objekti është rinovuar pa leje dhe se është pronë e ndërmarrjes shoqërore "Trepça Standard". Në këtë kompleks ishte sekuestruar edhe ushqim.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, dhjetëra serbë të armatosur patën sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë ishin vrarë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin terrorist e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që besohet se është në Serbi. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR