• e mërkurë, 14 gusht 2024

KFOR: Jemi të gatshëm të përballemi me gjithçka që mund të ndikojë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale

KFOR: Jemi të gatshëm të përballemi me gjithçka që mund të ndikojë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale

Prishtinë, 13 gusht 2024 (MIA) - Misioni i NAT0-s në Kosovë, KFOR porositi se çdo veprim lidhur me hapjen e urës në lumin Ibër, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe veriore, të banuar me shumicë serbe, duhet të ndërmerret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Brukselit, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në deklaratën e sotme për grupacionin mediatik "Koha", KFOR-i theksoi se është i gatshëm që të përballet me çdo sfidë kur është në pyetje siguria dhe qëndrueshmëria e rajonit. 

"Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara", porositi KFOR-i.

Misioni i NATO-s thekson se qëndrimi i tij lidhur me qëllimin e Qeverisë në Prishtinë që ta hapë urën edhe për vetura, ndërsa jo vetëm për këmbësorë, siç është tani, gjithnjë ishte "i qartë, transparent dhe i qëndrueshëm".

"Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne e mbështesim plotësisht", u tha nga KFOR-i.

I pyetur se sa ka ndryshuar prezenca e këtij misioni në urën e Mitrovicës në javët e fundit, pas intensifikimit të njoftimeve të qeverisë së Albin Kurtit për hapjen e urës, KFOR-i deklaroi se ka prezencë të vazhdueshme në urë dhe vazhdon të kryejë patrulla të rregullta në zonat përreth.

Kundër hapjes së urës janë serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar, por edhe bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, ambasadat e SHBA-së dhe vendeve perëndimore në Kosovë, të cilët dënojnë çdo vendim të njëanshëm të Qeverisë së Kurtit dhe kërkojnë që statusi i urës të zgjidhet në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Brukselit. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR