• e shtunë, 23 nëntor 2024

Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund t'i rrezikojë ushtarët amerikanë

Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund t'i rrezikojë ushtarët amerikanë

Prishtinë, 13 gusht 2024 (MIA) - Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier deklaroi se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në intervistën e sotme për Radio Evropa e Lirë (REL), Hovenier shprehu shpresë se qeveria e Kosovës do të marrë parasysh shqetësimet e aleatëve dhe nuk do të ndërmarrë veprime të njëanshme.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën. Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”,”, tha Hovenier.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të KUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Hovenier në intervistën për REL tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

"Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun", tha ambasadori amerikan.

Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

I pyetur nëse KFOR-i mund të përballet me autoritetet e Kosovës nëse ata vendosin ta hapin urën përkundër gjithë këtij kundërshtimi, Hovenier tha se nuk mund të flasë se si mund të reagojë Kosova në një situatë të tillë, por shtoi se KFOR-i ka qenë shumë i qartë në lidhje me hapjen e urës.

Misioni i NATO-s në Kosovë ka thënë se nuk do të hezitojë të përballet me çfarëdo lloj zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Misioni i KFOR-it mban një prani të vazhdueshme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të merremi me çfar do zhvillimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje të plotë me mandatin tonë që buron nga Kombet e Bashkuara”, kumtoi sot KFOR-i. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR