• e premte, 04 tetor 2024

Takimi Gashi - Rokas: Vazhdimi i reformave dhe përmbushja e detyrave të brendshme për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE

Takimi Gashi - Rokas: Vazhdimi i reformave dhe përmbushja e detyrave të brendshme për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE

Shkup, 10 shtator 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot është takuar me ambasadorin e sapoemëruar evropian, Mihailis Rokas. Gashi, siç njoftoi Kabineti i tij, i uroi mirëseardhje euroambasadorit Rokas, duke shprehur besimin në kontributin e përbashkët në procesin e mëtutjeshëm për anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 

Në takimin, kryetari i Kuvendit Gashi dhe ambasadori Rokas shprehën pritjen që institucionet e BE-së, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të mbajtura në qershor të këtij viti, të ruajnë notën pozitive sa i përket zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. 

"Bashkëbiseduesit iu referuan edhe nevojës për vazhdimin e reformave dhe përmbushjen e detyrave të brendshme, me qëllim të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, veçanërisht në fushat kryesore", thuhet në kumtesë. 

Gashi theksoi se Kuvendi është i përkushtuar fuqishëm në zbatimin e reformave, veçanërisht në pjesën e harmonizimit me legjislacionin evropian dhe forcimin e rolit mbikëqyrës. Ai shprehu gatishmërinë për të forcuar dhe futur dinamikë të re në bashkëpunimin dhe komunikimin midis Kuvendit të RMV-së dhe Parlamentit Evropian, më pas duke e theksuar rëndësinë e procesit "Zhan Mone", nga i cili deri më tani kanë dalë dy dokumente të rëndësishme për pushtetin legjislativ në vend - Kodi Etik dhe Rregullorja e re. 

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për nevojën e forcimit të dialogut politik në vend, duke pasur parasysh qëllimin e përbashkët të integrimit evropian, si përcaktim strategjik të vendit. 

Ambasadori Rokas theksoi se qëllimi i tij është t'i ndihmojë vendit të bëjë hapa të dukshëm në këtë fazë të procesit të integrimit në BE, thuhet në njoftim. Ai e theksoi edhe rëndësinë e Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se kjo është mundësia për t'i forcuar kapacitetet për anëtarësim në BE të vendeve të rajonit. qa/

Foto: Kuvendi i RMV-së 

QËNDRONI TË LIDHUR