• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fronti Evropian nuk i komenton informacionet për daljen e Thaçit, nga PDSH-ja paralajmërojnë qëndrim ditët e ardhshme

Fronti Evropian nuk i komenton informacionet për daljen e Thaçit, nga PDSH-ja paralajmërojnë qëndrim ditët e ardhshme

Shkup, 4 tetor 2024 (MIA) - Nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja sot nuk i komentuan informacionet se Menduh Thaçi është larguar nga koalicioni. 

Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi në deklaratë për MIA-n thotë se grupi parlamentar është funksional.

"Grupi parlamentar është funksional dhe punon në përbërje të plotë", u përgjigjë shkurt Ademi. 

Edhe Blerim Bexheti nga Fronti Evropian sot në konferencë për shtyp në Kuvend dha përgjigje pothuajse identike.

"Fronti Evropian e ka numrin e njëjtë të deputetëve në kuvend. Për çështje tjera apo dilema duhet të drejtoheni te Menduh Thaçi ose te Ali Ahmeti", tha Bexheti.

Në pyetjen e gazetarëve se pse Thaçi ka munguar në ngjarjet e organizuara nga koalicioni, Bexheti u përgjigj se edhe në aktivitete tjera ka ndodhur që të mungojë ndonjëri nga kryetarët e partive politike që e përbëjnë Frontin Evropian. 

"Edhe në aktivitetet e tjera kanë munguar ndonjëri nga kryetarët e partive politike që përbëjnë Frontin Evropian. Ju siguroj se kjo është normale, secili me obligimet dhe mbledhjet protokollare mund të mungojë në njërën nga takimet", tha Bexheti.

Nga PDSH-ja për MIA-n deklaruan se në ditën në vijim do të ketë kumtesë zyrtare.

Në deklaratë për mediat, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, tha se partitë në Frontin Evropian nuk janë bashkuar ideologjikisht, por për të mbijetuar në skenën politike.

Mexhiti tha se nuk ka informacione se negociohet me Thaçin për kalimin e tij në Vlen.

"Unë personalisht nuk kam negociata të tilla. Siç e kam paralajmëruar edhe para disa muajsh, ata nuk janë bërë bashkë ideologjikisht apo për qëllime më të larta, por si të mbijetojnë në skenën politike", deklaroi Mexhiti në Haraçinë.

Një pjesë e mediave informuan se kanë konfirmim nga PDSH-ja se Thaçi është larguar nga koalicioni i Frontit Evropian. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR