• e enjte, 26 dhjetor 2024

Delegacion i Kuvendit në Mbledhjen e 22-të të AP të OSBE-së në Dublin

Delegacion i Kuvendit në Mbledhjen e 22-të të AP të OSBE-së në Dublin

Shkup, 4 tetor 2024 (MIA)- Delegacioni në Asamblenë parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE) i përbërë nga: Monika Zajkova, shefe e Delegacionit, Halil Snopçe, anëtar dhe Eli Panova, zëvendësanëtare morën pjesë në Mbledhjen e 22-të vjeshtore të AP-së së OSBE-së që u mbajt nga 2 deri më 4 tetor 2024 në Dublin, Irlandë.

Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u hap me thirrje të përforcuara për të forcuar multilateralizmin dhe për të marrë qasje më të guximshme ndaj diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit të sigurisë.

Sesioni i parë i Konferencës parlamentare u fokusua në qasjen e OSBE-së ndaj ciklit të konfliktit, në veçanti lehtësimin e dialogut, zgjidhjen e konflikteve, mbështetjen për ndërmjetësimin, pajtimin dhe rehabilitimin pas konfliktit.

Në këtë sesion, fjalim mbajti deputetja Monika Zajkova e cila theksoi se nevojitet mbrojtje më e madhe e të drejtave dhe lirive themelore, veçanërisht në situatat e konflikteve të armatosura dhe krizave humanitare, sepse është vlerë universale e përhershme dhe parakusht për zhvillim të drejtë shoqëror. Mjeti kryesor për sigurimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore është sistemi ekzistues multilateral dhe strukturat e tij, duke përfshirë edhe OSBE-në si organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë.

Ajo iu referua edhe luftës në Ukrainë dhe krizës në Lindjen e Afërt, të cilat kanë shkaktuar kriza globale ekonomike, energjetike dhe humanitare dhe që prekin veçanërisht civilët, gratë dhe fëmijët dhe infrastrukturën civile. Ajo po çon në zhvendosje masive, vuajtje njerëzore dhe numër të paparaparë të civilëve që kërkojnë strehim në vendet fqinje dhe më gjerë. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme që vendet pjesëmarrëse të OSBE-së të ndihmojnë në përballimin e krizës humanitare dhe të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme si në mënyrë bilaterale, ashtu edhe përmes mekanizmave multilateralë.

Deputeti Halil Snopçe foli në Sesionin e dytë kushtuar ndryshimeve klimatike dhe vuri në dukje se degradimi i mjedisit jetësor është kërcënim i heshtur, por ende i fuqishëm. Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës për shkak të aktivitetit industrial, shpyllëzimi dhe praktikat e paqëndrueshme bujqësore po dëmtojnë vazhdimisht shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë. Humbja e biodiversitetit po përshpejtohet, habitatet po shkatërrohen, ekuilibri delikat i natyrës po prishet, duke çuar në pasoja të paparashikuara që e kërcënojnë sigurinë e ushqimit, disponueshmërinë e ujit dhe shëndetin publik. Ai i bëri thirrje OSBE-së që t'i mbështesë vendet pjesëmarrëse në tranzicionin drejt ekonomive më të gjelbra, duke promovuar burimet e rinovueshme të energjisë dhe duke zbatuar praktika të qëndrueshme të menaxhimit të tokës. Ai përfshin politika për të reduktuar emisionet e karbonit dhe për të mbrojtur ekosistemet natyrore. Deputeti Snopçe bëri thirrje për trajtim më energjik të rreziqeve ekologjike, katastrofave dhe degradimit, si dhe përpjekje të përbashkëta dhe të bashkuara për t'u marrë me rreziqet e sigurisë që lidhen me ndryshimet klimatike.

Në pjesën inauguruese të Mbledhjes së vjeshtës, folën Shon O'Fergel, kryetar i Dhomës së Poshtme të Parlamentit në Irlandë, Pia Kauma, kryetare e AP-së së OSBE-së dhe Majkëll Krid, shef i Delegacionit Irlandez në AP të OSBE-së. Folësit e theksuan fuqinë e dialogut dhe kompromisit për t'i tejkaluar ndarjet e gjata dhe të rrënjosura thellë, duke vënë në dukje se viti i ardhshëm shënon 50-vjetorin e dokumentit themelues të OSBE-së, Aktit Final të Helsinkit.

Kryetari Shon O'Fergel theksoi se Fryma e Unitetit e nisur nga OSBE-ja në vitin 1975 në Helsinki është po aq e rëndësishme edhe sot, në vitin 2024, sikurse atëherë, nëse jo edhe më shumë. Kur merren parasysh realitetet aktuale gjeopolitike, si parlamentarë me legjitimitet dhe dukshmëri demokratike, ata kanë rol të dukshëm për të luajtur në forcimin e modelit gjithëpërfshirës të OSBE-së për paqen dhe sigurinë në botën e sotme. Marrëveshja e së Premtes së Madhe shërben si model i asaj që mund të arrihet kur dallimet në Irlandë trajtohen me ndjeshmëri, vendosmëri dhe respekt. Ajo jo vetëm që ia doli t'i jepte fund dhunës me dekada, por gjithashtu i hodhi themelet për stabilitet të qëndrueshëm duke përfshirë parimet e ndarjes së pushtetit, pëlqimit dhe respektit në strukturën e qeverisjes. 

Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 parlamentarë nga 57 vende nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut. Asambleja ofron forum për diplomacinë parlamentare, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së në çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor.

Foto: Kuvendi i RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR