Starmer e mbron vendimin për të mos dërguar ushtarë britanik në Iran
- - Kryeministri britanik Kir Starmer tha sot se Britania e Madhe nuk është e përgatitur të "tërhiqet në luftë" me Iranin "pa një plan daljeje".
- Post By Sara Ademi
- 14:23, 16 mars, 2026
Londër, 16 mars 2026 (MIA) - Kryeministri britanik Kir Starmer tha sot se Britania e Madhe nuk është e përgatitur të "tërhiqet në luftë" me Iranin "pa një plan daljeje".
Starmer refuzoi të bashkohej me sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit, por u bashkua në mbrojtje kundër hakmarrjes iraniane kur u sulmuan bazat ushtarake britanike në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan Donald Tramp dhe kundërshtarët e Starmerit kritikuan vendimin për të mos marrë pjesë.
Në konferencën e sotme për shtyp, Starmer tha se "u përmbahet parimeve të tij" dhe beson se "koha do të tregojë nëse kjo ishte qasja e duhur", raportoi Si-En-En.
"Nëse ushtarët britanik do të përfshihen në veprime ushtarake është përgjegjësia më serioze për çdo kryeministër. Disa më kanë sulmuar për vendimin tim për të mos u bashkuar me ofensivën kundër Iranit", tha ai.
Ai shtoi se nëse Britania e Madhe "dërgon ushtarë, më e pakta që meriton është të dijë se po e bën këtë ligjërisht dhe me një plan të duhur e të menduar mirë".
"Tani, ka të tjerë që do të kishin marrë një vendim tjetër dy javë më parë. Ata do ta kishin shtyrë Britaninë e Madhe në këtë luftë pa një pamje të plotë të vendit ku po dërgonin forcat tona dhe pa një plan për të na nxjerrë jashtë. Kjo nuk është udhëheqje - kjo është ndjekje e dikujt", tha Starmer.
Starmer tha gjithashtu se Britania e Madhe po punonte me aleatët e saj për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
"Në fund të fundit, ne duhet të rihapim Ngushticën e Hormuzit për të siguruar stabilitetin e tregut - kjo nuk është një detyrë e lehtë. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë me aleatët tanë, përfshirë partnerët tanë evropianë, për të hartuar një plan të qëndrueshëm kolektiv që mund të rivendosë lirinë e navigacionit në rajon sa më shpejt të jetë e mundur dhe të zbusë ndikimin ekonomik", tha ai. sa/
foto: EPA