• e martë, 16 korrik 2024

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan marrëveshje për menaxhimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan marrëveshje për menaxhimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike

Tiranë, 15 korrik 2024 (MIA) - Shqipëria dhe Gjermania do të forcojnë bashkëpunimin për menaxhimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike përmes një programi që ka si synim zhvillimin urban rezistent ndaj ndryshimeve të klimës, njoftoi agjencia shtetërore ATSH.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor, Mirela Kumbaro dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner nënshkruan marrëveshjen “ALBAdapt” me qëllimin përmirësimin e sistemit të informacionit për shërbimin meteorologjik dhe klimën përmes krijimit të një sistemi për paralajmërimet e hershme sipas standardeve ndërkombëtare.

"Bashkitë, komuniteti, institucionet, agjencitë dhe qeveria duhet të ndërmarrim shumë aksione përpara që këto të mos ndodhin dhe t’i parandalojmë. Prandaj jemi bashkë, nuk është vetëm çështje shqiptare. Gjithë Mesdheu ka të tilla probleme dhe Shqipëria është në zemër të këtij territori. Falë bashkëpunimit me Ambasadën gjermane, me partnerët tanë të rëndësishëm, nisim një aksion të ri në këtë drejtim", vlerësoi Kumbaro.

Ambasadori Karl Bergner ka shprehur kënaqësi që i ndihmojnë Shqipërisë që të përballet me ndryshimet klimatike. 

"Me këtë projekt ndihmojmë edhe Shërbimin Meteorologjik në parashikime më të sakta në mënyrë që të shpëtojmë jetë në kushtet e motit ekstrem", tha Bergner.

Ky projekt synon të rrisë kapacitetin adaptues dhe qëndrueshmërinë klimatike të Shqipërisë nëpërmjet gjenerimit, koordinimit dhe përdorimit efektiv të informacionit mbi klimën në formën e një shërbimi hidrometeorologjik kombëtar dhe kuadri kombëtar funksional për shërbimet e klimës, një sistemi të paralajmërimit të hershëm duke paralajmëruar rreziqet tek njerëzit, të cilat së bashku përbëjnë një sistem “të bashkuar” të informacionit klimatik dhe paralajmërimit (CIEWS).


Falë mbështetjes së Gjermanisë, Zvicrës dhe Fondit të Gjelbër Klimatik (GCF), Shqipëria së shpejti do të ketë në dispozicion mbi 36 milionë euro për të përgatitur Shqipërinë për ndryshimet klimatike. fc/


Fotografia: Kumbaro në Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR