• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Janë zgjedhur 11 nënkryetarë të Parlamentit Evropian

Janë zgjedhur 11 nënkryetarë të Parlamentit Evropian

Strasburg, 16 korrik 2024 (MIA) – Në rrethin e parë të votimit për zgjedhjen e 14 nënkryetarëve të Parlamentit Evropian në vazhdimin e pasdites së seancës konstituive parlamentare, 11 nga 17 kandidatët e propozuar morën vota të mjaftueshme për tu zgjedhur në pozitë.

Për nënkryetarë të rinj të PE-së janë zgjedhur Zabine Verheijen nga Unioni Kristian Demokrat i Gjermanisë (CDU)/Partia Popullore Evropiane (EPP) me 604 vota, Eva Kopaç nga Platforma Qytetare Polake (PO)/EPP me 572 vota, Esteban Gonzales Pons nga Partia Popullore Spanjolle (PP)/EPP me 479, Katarina Barli e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD)/Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (SD) me 450, Pina Piçerno e Partisë Demokratike Italiane (PD)/SD me 405, Viktor Negresku i Partisë Social Demokrate Rumune (PSD)/SD me 394, Martin Hojsik i Sllovakisë Progresive (PS)/Ta rinovojmë Evropën (RE) me 393, Kristell Shaldemoze nga partia daneze Socialdemokratët (S)/ SD me 379, Havi Lopez Fernandez i Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës (PSOE)/SD me 377, Sofi Vilmes nga Lëvizja e Reformës Belge (MR)/RE me 371 dhe deputeti i pavarur rumun i grupit të Gjelbër, Nicollae Shtefanuca me 347 vota .

Votuan gjithsej 701 deputetë, ndërsa 36 fletë votimi ishin të pavlefshme ose bosh, kështu që 665 vota u konsideruan të vlefshme dhe secilit kandidat i nevojiteshin të paktën 333 vota për t'u zgjedhur. Çdo eurodeputet kishte të drejtë të votonte për maksimum 14 kandidatë.

Më pak vota se sa nevojitej për zgjedhje në rrethin e parë fituan Antonella Zberna nga Vëllezërit e Italisë (FDI)/Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) - 323, Fabris Lezheri i Asamblesë Kombëtare Franceze (RN)/Patriotët për Evropën (PFE) - 309, Roberts Zile nga Aleanca Kombëtare Letoneze (NA)ECR - 306, Junus Omarzhi nga partia e Franca Pabindur (LFI)/E majta - 272, Klara Dostalova nga Aksioni Sllovak i Qytetarëve të Pakënaqur (ANO)/PFE - 214 dhe Eva Zajoçkovska-Hernik nga partia polake Shpresa e re (NN)/Evropa e Kombeve Sovrane (ESN) - 102 vota.

Rrethi i dytë i votimit nga procedura e përzgjedhjes për tre pozitat e mbetura nënkryetare në Parlamentin Evropian mes gjashtë kandidatëve të mbetur u mbajt vonë pasdite. Në këtë rreth, eurodeputetët mund të votojnë për të paktën dy dhe maksimumi tre kandidatë.

Sipas Rregullores së Parlamentit Evropian, nënkryetarët zgjidhen në tre rrethe, ndërsa në dy rrethet e para për t'u zgjedhur kandidati duhet të marrë shumicën absolute të votave nga numri i përgjithshëm i eurodeputetëve që votuan, ndërsa në rrethin e tretë, kandidati që merr më shumë vota konsiderohet i zgjedhur, pavarësisht nga shumica.

Më herët sot, eurodeputetët rizgjodhën Roberta Mecollën nga Partia Kombëtare Konservatore Malteze (PN), e cila është pjesë e grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), si presidente të Parlamentit Evropian për mandat dyvjeçar e gjysmë.

Për Mecollën votuan 562 eurodeputetë, ndërsa kundërshtarja e saj për këtë pozicion, Irene Montero nga partia spanjolle Mundemi (Podemos), pjesë e grupit të Majtë, mori 61 vota. Gjithsej 76 fletë votimi ishin të pavlefshme. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR