• e shtunë, 17 gusht 2024

Qendra evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngrit nivelin e kërcënimit nga lija e majmunëve

Qendra evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngrit nivelin e kërcënimit nga lija e majmunëve

Bruksel, 16 gusht 2024 (MIA) - Qendra evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (ECDC) sot ngriti nivelin e kërcënimit nga virusi mpoks i njohur si lija e majmunëve dhe u bëri thirrje vendeve që të mbajnë një nivel të lartë vigjilence për ardhjet nga zonat e prekura nga sëmundja.

Nga kjo Qendër shtojnë se probabiliteti i transmetimit të vazhdueshëm të infeksionit në Evropë mbetet shumë i ulët, pasi rastet që vijnë nga zonat e prekura diagnostikohen shpejt dhe merren masa për të kufizuar përhapjen e sëmundjes.

Epidemia në Republikën Demokratike të Kongos e shkaktuar nga një lloj virusi i njohur si Tipi I, filloi të përhapet endemikisht. Por, varianti i ri tipi Ib, duket se ka filluar të përhapet më lehtë përmes kontaktit të ngushtë, duke përfshirë kontaktin seksual.

"Për shkak të lidhjeve të ngushta mes Evropës dhe Afrikës, duhet të jemi të gatshëm për më shumë raste të ardhjeve të infektuar me tip I”, tha drejtoresha e Qendrës evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, Pamela Rendi Vagner. 

Në fillim të kësaj jave, OBSH shpalli në Afrikë gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik pasi tipi Ib filloi të përhapet në vendet fqinje RD Kongo. Dje është regjistruar një rast i infektimit në Suedi.

Lija e majmunit është një sëmundje infektive që shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe flluska të lëkurës. Sëmundja zakonisht është e lehtë, por në raste të rralla mund të çojë në vdekje. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR