• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Procedura dhe përgatitjet para fillimit të mbledhjes së Komisionit kuvendor për Çështje kushtetuese

Procedura dhe përgatitjet para fillimit të mbledhjes së Komisionit kuvendor për Çështje kushtetuese

Shkup, 21 korrik 2023 (MIA) - Komisioni kuvendor për çështje kushtetuese të martën do ta fillojë mbledhjen e parë me pikën e vetme të rendit të ditës - Propozimi për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshim dhe plotësim të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili me funksion është kryetar i këtij Komisioni, do ta hapë mbledhjen, ndërsa pas miratimit të rendit të ditës Propozimi duhet të arsyetohet nga ana e propozuesit, pas çka pritet të hapet debat nga ana e deputetëve.

Grupet e deputetëve paralajmërojnë se do ta paraqesin qëndrimin e vet lidhur me ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht Preambulës, përfshirë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Për MIA-n, nga VMRO-DPMNE informojnë se deputetët do të marrin pjesë në debat, ku qartë do t'i thonë argumentet kundër ndryshimeve kushtetuese dhe së shpejti do të bëhet e qartë se për to pushteti nuk e ka shumicën.

Neni 196, paragrafi 2 nga Rregullorja për punë të Kuvendit parasheh debati rreth propozimit për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës në Komisionin për çështje kushtetuee të zgjasë më së shumti dhjetë ditë pune. Anëtari i Komisionit për çështje kushtetuese dhe deputeti, gjatë debatit mund të flasë disa herë në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minutave, ndërsa koordinuesi i grupit të deputetëve gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në debat mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta gjithsej. 

Sipas kumtesës së Kuvendit, duke pasur parasysh se 2 gushti është ditë jopune, ndërsa seanca për pyetje të deputetëve tashmë është caktuar për më 27 korrik, puna e Komisionit për Çështje Kushtetuese pritet të përfundojë në periudhën 7-9 gusht. Pas së cilës, siç thuhet në nenin 196, paragrafi 1 i Rregullores, për propozimin për qasje në ndryshimin e Kushtetutës, në seancën e Kuvendit në tërësi bëhet debat, i cili mund të zgjasë më së shumti dhjetë ditë pune. Një deputet gjatë debatit mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, dhe një koordinator i grupit parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në debat mund të flasë disa herë por jo më shumë se 30 minuta në total.

Vendimin për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës, Kuvendi e sjellë me shumicë prej dy të tretash nga numri i përgjithshëm i deputetëve gjegjësisht me 80 vota. Nëse nuk e ka shumicën e nevojshme, procedura nuk mund të vazhdojë.

Nëse me dy të tretat, miratohet nevoja për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi miraton konkluzion dhe ia dërgon materialin Qeverisë. Kuvendi, me konkluzionin përcakton afat në të cilin shtruesi gjegjësisht Qeveria, përgatit tekst të projekt-amendamenteve të Kushtetutës, të cilin ia dorëzon kryetarit të Kuvendit, pas çka Kuvendi në procedurë të njëjtë në kuptim të afateve do të debatojë mbi to, kumtoi shërbimi për shtyp i Kuvendit.

Kjo tashmë është faza e dytë e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës që përfshin përgatitjen dhe përcaktimin e projekt-amendamenteve.

Afatet e Rregullores përcaktojnë se që nga momenti i paraqitjes së projekt-amendamenteve në Kuvend deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë të paktën 30 ditë. Në këtë fazë, shqyrtimi i secilit projekt-amendament individualisht mund të zgjasë maksimumi tre ditë si në Komisionin ashtu edhe në seancë plenare, por përsëri - duke qenë se çdo deputet mund të flasë gjithsej jo më shumë se 20 minuta, kjo fazë teorikisht mund të përfundojë më shpejt se afatet maksimale të lejuara.

Pasi Kuvendi me të paktën 61 vota përcakton projekt-amendamentet, ato kalojnë në diskutim publik, që është një fazë e ndërmjetme përpara fazës së tretë përfundimtare të procedurës për ndryshimin e Kushtetutës. Pas diskutimit publik, kohëzgjatjen e të cilit e cakton Kuvendi me miratimin e projekt-amendamenteve, Qeveria do të duhet të përgatisë amendamentet e propozuara. Dhe sërish duhet të kalojnë të paktën 30 ditë nga momenti i dorëzimit në Kuvend të amendamenteve të propozuara deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre.

Rregullorja parasheh afate të sakta në Komisionin Legjislativo-juridik dhe Komisionin për Çështje Kushtetuese si edhe në seancën plenare.

Vendimi përfundimtar për miratimin e amendamenteve merret me së paku 80 vota, kurse për ndryshimin e amendamentit të Preambulës, përveç shumicës prej dy të tretash, kërkohet edhe shumica e Badenterit.

Nëse procedura zhvillohet sipas afateve më të shkurtra të mundshme, do të duhen të paktën tre muaj e gjysmë për të finalizuar tre fazat. ab/shk/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR