Pompeo: Trampi të mos lejojë që Putini të "kalojë" përmes Ukrainës
- Ish sekretari shtetëror amerikan Majk Pompeo sot tha se presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Tramp pas marrjes së funksionit do të marrë një qëndrim më të ashpër për luftën ruse në Ukrainë nga ai që e kishte thënë gjatë fushatës zgjedhore dhe se nuk do të lejojë që presidenti rus Vladimir Putin të "kalojë" përmes Ukrainës.
- Post By Sara Ademi
- 15:45, 12 nëntor, 2024
Nju-Jork, 12 nëntor 2024 (MIA) - Ish sekretari shtetëror amerikan Majk Pompeo sot tha se presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Tramp pas marrjes së funksionit do të marrë një qëndrim më të ashpër për luftën ruse në Ukrainë nga ai që e kishte thënë gjatë fushatës zgjedhore dhe se nuk do të lejojë që presidenti rus Vladimir Putin të "kalojë" përmes Ukrainës.
"Presidenti Tramp nuk do të lejojë që Vladimir Putin të kalojë përmes Ukrainës. Tërheqja e fondeve për ukrainasit do të rezultonte në këtë dhe i gjithë ekipi i tij do t'i tregojë atij", tha Pompeo në Forumin Global në Nju Jork gjatë një paneli me ish drejtorin e CIA-s dhe sekretarin e mbrojtjes Leon Paneta, raporton revista amerikane "Forçën".
Ish sekretari shtetëror amerikan gjatë administratës paraprake të Trampit nga viti 2017 deri në 2021, Pompeo shprehu shpresë se Trampi do ta njohë nevojën për një qëndrim më të fortë të Perëndimit për "agresionin rus kundër Ukrainës".
"Presidenti kinez Si Xhinping dhe ajatollahu iranian Ali Hamnei presin të shohin nëse Perëndimi do të fitojë ose do t'i dorëzohet Putinit", theksoi Pompeo.
Këtë qëndrim e konfirmoi edhe Paneta dhe theksoi se Ukraina në shumë mënyra lufton edhe për demokratët tjerë.
"Mesazhi që po i dërgohet Putinit është një mesazh shumë i rëndësishëm që duhet t'i dërgohet Si Xhinping, duhet t'i dërgohet liderit suprem të Iranit, duhet t'i dërgohet Kim Jong Un - se ata nuk mund të qëndrojnë thjesht në rrugën e demokracive sovrane", tha Paneta.
Trampi në rrjetin e tij social "Truth Social" të shtunën publikoi se Pompeo dhe ish ambasadorja e Kombeve të Bashkuara Niki Hejli nuk do të ribashkohen në administratën e tij të re. Edhe Hejli edhe Pompeo e mbështesin Ukrainën që nga fillimi i luftës. sa/
Foto: EPA