• e enjte, 03 tetor 2024

Podesta: Fon der Lajen po bën gjithçka për të siguruar ekuilibrin gjinor në përbërjen e re të KE-së

Podesta: Fon der Lajen po bën gjithçka për të siguruar ekuilibrin gjinor në përbërjen e re të KE-së

Bruksel, 2 shtator 2024 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen mbetet në qëndrimin e saj për të siguruar ekuilibër gjinor në përbërjen e ardhshme të Kolegjit të komisarëve dhe po bën gjithçka që kjo të ndodhë, informoi sot zëvendësja e zëdhënëses së parë të Komisionit Evropian, Ariana Podesta.

“Ajo është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë liderët e vendeve anëtare, por nuk mund të komentoj asgjë lidhur me këtë”, theksoi Podesta duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse janë të vërteta informacionet se Fon der Lajen ka kërkuar nga disa vende anëtare zëvendësim të kandidatëve të propozuar për eurokomisarë në mënyrë që të sigurohet barazia gjinore në përbërjen e Komisionit Evropian.

Podesta ka thënë se Komisioni Evropian nuk është në gjendje të komentojë procesin e nominimit të kandidatëve për komisarë evropianë që është përgjegjësi e shteteve anëtare të BE-së.

“Është një proces i vazhdueshëm dhe u bëjmë thirrje shteteve anëtare që të na ndihmojnë në përmbushjen e afateve të përcaktuara deri në fund të mandatit aktual të Komisionit në fund të tetorit, në mënyrë që deri atëherë ta kompletojmë procesin”, deklaroi Podesta.

Zëdhënësja e KE-së konfirmoi gjithashtu se Parlamenti Evropian i ka dërguar ftesë Fon der Lajenit më 11 shtator para se kryetarët e grupeve parlamentare të prezantojnë propozimin për përbërjen e ekipit të ri të komisarëve.

Në mesin e 24 kandidatëve të propozuar deri më tani për eurokomisarë, vetëm gjashtë janë gra, që do të thotë se së bashku me Fon der Lajenin dhe përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, Komisioni i ri evropian prej 27 anëtarësh në rastin më të mirë mund të ketë tetë gra.

Foto: skrinshot

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR