• e shtunë, 17 gusht 2024

Patrushev: NATO dhe Perëndimi ndihmuan Ukrainën ta sulmojë Rusinë

Patrushev: NATO dhe Perëndimi ndihmuan Ukrainën ta sulmojë Rusinë

Moskë, 16 gusht 2024 (MIA) - Përfaqësuesi i Kremlinit, Nikollaj Patrushev në një intervistë për "Izvestija" theksoi se lidhja ushtarake, e udhëhequr nga SHBA dhe Perëndimi, është e përfshirë drejtpërdrejtë në planifikimin e sulmit ukrainas ndaj rajonit rus Kursk.

Sipas tij operacioni në Kursk është planifikuar me NATO-n dhe shërbimet speciale perëndimore.

"Deklaratat e udhëheqësisë së SHBA-së se nuk janë përzier në krimet e Kievit në rajonin Kursk nuk janë të vërteta...Pa pjesëmarrjen e tyre dhe mbështetjen direkte, Kievi nuk do të hynte në territorin rus", theksoi Patrushev.

Shtëpia e Bardhë kumtoi se Ukraina nuk e informoi SHBA-në për sulmin e saj dhe se Uashingtoni nuk ishte i përfshirë në operacion.

Ministria ruse e mbrojtjes publikoi pamje ku shihen armët amerikane në territorin rus në Kursk.

Paraprakisht, deputeti rus dhe anëtar i Komisionit për mbrojtje në Parlamentin rus, Mihail Sheremet për RIA "Novosti" deklaroi se sulmi ukrainas në Kursk i mbështetur nga Perëndimi e çoi botën më afër luftës së tretë botërore.

"Duke marrë parasysh disponueshmërinë e pajisjeve perëndimore, përdorimin e municioneve dhe raketave perëndimore në sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe dëshmitë e padiskutueshme të përfshirjes së huaj në sulmin në territorin rus, mund të arrihet në përfundimin se bota është në prag të luftës së tretë botërore", vuri në dukje Sheremet.

Armata ukrainase më 6 gusht ndërmori ofensivë në rajonin rus Kursk dhe prej atëherë arriti sukses të madh, ndërsa Moska ishte detyruar të evakuojë më shumë se 200.000 civilë. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR