• e enjte, 26 dhjetor 2024

Përdorimi i Maqedonisë së (Veriut) – çfarë parashikon Marrëveshja e Prespës

Përdorimi i Maqedonisë së (Veriut) – çfarë parashikon Marrëveshja e Prespës

Shkup, 14 maj 2024 (MIA) – Inaugurimi i presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska Davkova në Kuvend më 12 maj shkaktoi bujë rreth përdorimit të emrit kushtetues të vendit sipas Marrëveshjes së Prespës.

Nëse marrim parasysh reagimet nga Greqia fqinje, komuniteti ndërkombëtar, si dhe qëndrimi i kabinetit të Siljanovska Davkovës, të gjithë bien dakord për aplikimin zyrtar të emrit kushtetues, dhe më pak bien dakord për përdorime të tjera të mbiemrit, duke përfshirë përdorimin e mbiemrit në lidhje me subjektet dhe aktorët privatë

Pas indikacioneve nga BE-ja dhe Greqia se „ Rruga evropiane dhe marrëdhëniet me Greqinë varen nga zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe përdorimi i emrit kushtetues” Kabineti i Gordana Siljanovska Davkovës ka dale me një qëndrim se “Presidentja do të respektojë përdorimin zyrtar të emrit kushtetues” por se “në daljet publike ekziston e drejta personale për vetëvendosje”.

“Presidentja e Maqedonisë në paraqitjet e saj publike ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t'i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues. Sipas Kushtetutës, siç është përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues”, citohet në njoftimin e kabinetit të Presidentes Siljanovska Davkova.

Përgjigje lidhur me qëndrimin e presidentes ka arritur edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Gerapetriti, i cili thotë se „nuk bëhet fjalë për vetëvendosje të zyrtarëve, politikanëve, këtë e kuptojmë të gjithë, por kjo lidhet me respektimin e asaj që është rënë dakord “.

“Emri Republika e Maqedonisë së Veriut në Marrëveshjen e Prespës, sipas nenit 20, nuk mund të ndryshohet në asnjë rrethanë. Çështja e emrit nuk është një çështje që mund të ndryshohet, qoftë edhe me pëlqim reciprok. Pra, nuk ngrihet askund asnjë çështje ndryshimi. Siç është rënë dakord dhe ratifikuar nga të dyja palët, ai lidh rendin e sotëm politik grek dhe rendin politik të Maqedonisë së Veriut”, sqaroi Gerapetritis, në një intervistë për televizionin grek ERT, informoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Dallimet në lidhje me emrin janë përcaktuar në pjesën e parë të Marrëveshjes së Prespës, ku neni 1, paragrafi 3 a) i Marrëveshjes thotë se "Emri zyrtar i Palës së Dytë do të jetë "Republika e Maqedonisë së Veriut", që do të jetë emri kushtetues i Palës së Dytë dhe do të përdoret erga omnes, siç parashikohet në këtë marrëveshje. Emri i shkurtuar i Palës së Dytë do të jetë "Maqedonia e Veriut", ndërsa në të njëjtin nen 1, paragrafi 3 dh) thuhet "Mbiemri në raport me shtetin, organet e tij zyrtare dhe institucionet e tjera publike do të jetë në përputhje me emrin zyrtartë Palës së Dytë ose me emrin e saj të shkurtuar, d.m.th. "e Republikës së Maqedonisë së Veriut" ose "e Maqedonisë së Veriut". Përdorime të tjera të mbiemrit, duke përfshirë përdorimin e mbiemrit në lidhje me subjektet dhe aktorët privatë, të cilët nuk janë të lidhur me shtetin dhe subjektet publike, të cilat nuk janë krijuar me ligj dhe nuk marrin mbështetje financiare nga shteti për veprimtari jashtë shtetit, mund të jetë në përputhje me nenin 7, paragrafi (3) dhe paragrafi (4). Përdorimi i mbiemrit për aktivitete mund të jetë në përputhje me nenin 7, paragrafi (3) dhe paragrafi (4). Kjo nuk ndikon në procesin e vendosur sipas nenit 1, paragrafi 3 (ë) dhe emrat kompleks ekzistues të qyteteve në datën e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje."

Termat "maqedonia" dhe "maqedonas" përcaktohen në nenin 7 të kësaj marrëveshjeje, sipas të cilit palët pranojnë se kuptimi i tyre përkatës i termave "Maqedoni" dhe "maqedonas" i referohet një konteksti të ndryshëm historik dhe trashëgimisë kulturore - ku paragrafi 2 i referohet Greqisë, dhe paragrafi 3 na referohet ne.

Neni 7, paragrafi 2 thotë: “Në lidhje me Palën e Parë, këto terma tregojnë jo vetëm zonën dhe popullin në rajonin verior të Palës së Parë, por edhe karakteristikat e tyre, si dhe qytetërimin, historinë, kulturën dhe trashëgiminë helene të atij rajoni nga lashtësia e deri më sot", ndërsa neni 7, paragrafi 3 thotë "Në lidhje me Palën e Dytë, këto terma nënkuptojnë territorin e saj, gjuhën, popullin dhe karakteristikat e tyre, me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e tyre të cilat janë veçanërisht të ndryshme nga ato të përcaktuara në nenin 7, paragrafi (2)."

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve të mundshme rregullohet në pjesën e tretë të Marrëveshjes, ku neni 19, paragrafi 1 thotë "Palët do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ekskluzivisht me mjete paqësore, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara".

“Në rast se njëra nga Palët konsideron se pala tjetër nuk vepron në përputhje me dispozitat e kësaj marrëveshjeje, ajo Palë do të njoftojë fillimisht palën tjetër për shqetësimin e saj dhe zgjidhja do të kërkohet përmes negociatave. Nëse Palët nuk mund ta zgjidhin çështjen në mënyrë dypalëshe, Palët mund të bien dakord t'i kërkojnë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të përdorë shërbimet e tij për të zgjidhur çështjen”, citohet në paragrafin 2 të këtij neni.

Çdo mosmarrëveshje që mund të lindë midis Palëve në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe që nuk zgjidhet në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 19, paragrafi (2), mund të paraqitet përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Marrëveshja e Prespës u nënshkrua më 17 qershor të vitit 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e liqenit të Prespës në anën greke. Marrëveshja që mbylli mosmarrëveshjen e gjatë për emrin midis Shkupit dhe Athinës u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të punëve të jashtme të dy vendeve, Nikola Dimitrov dhe Nikos Koxias, në prani të kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ndërmjetësuesi në negociata Metju Nimic, ish-komisioneri evropian për zgjerim Johanes Han, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë.

Marrëveshja hyri zyrtarisht në fuqi, tetë muaj pas nënshkrimit dhe pas ratifikimit të saj në Kuvendin tonë dhe në Parlamentin grek, respektivisht më 12 shkurt të vitit 2019. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR