• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: Vitin 2030 e kemi marrë si kornizë, nuk do të pranojmë asgjë më pak se anëtarësimi i plotë në BE

Osmani: Vitin 2030 e kemi marrë si kornizë, nuk do të pranojmë asgjë më pak se anëtarësimi i plotë në BE

Shkup, 30 gusht 2023 (MIA) - Deklarata e kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel, se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerim deri në vitin 2030, e dhënë në Forumin Strategjik të Bledit, ka peshë historike dhe e bën perspektivën evropiane të vendeve kandidate për anëtarësim në BE të besueshme. Tani me një kornizë të përcaktuar, neve na takon që të punojmë. Nuk do të pranojmë asgjë më pak se anëtarësimi i plotë në BE, tha sot shefi i diplomacisë Bujar Osmani.

“Ajo që ndodhi në Bled është pjesë e historisë. Do të jetë pjesë e historisë. Peshën që kishte Samiti i Selanikut në vitin 2003, mendoj se përafërsisht do ta ketë tani edhe Forumi Strategjik i Bledit, ku kryetari i Këshillit në pozicinin e tij zyrtar, jo në atë privat, në emër të BE-së, tha se Unioni do të jetë gati deri në vitin 2030 për të pranuar anëtarë të rinj. Dhe ky është mesazhi që ne po kërkonim. E dini sa kohë flas për 2030? Dhe mendoj se kjo që ndodhi në Bled është pjesë e lobimit tonë. Sepse kjo tani do të na japë një kornizë, do të na japë një ide se për çfarë po punojmë, për kur jemi duke punuar. Kjo nuk do të thotë që në 2030 do të hyjmë nëse nuk jemi gati. E rëndësishme është që Evropa do t'i hapë dyert deri në vitin 2030”, tha Osmani në pyetjen e gazetarëve në pres konferencën në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Duke komentuar deklaratën e presidentit francez Emanuel Makron për “Evropën me shpejtësi të shumëfishta”, sipas ministrit Osmani, në pikëpamje të parë tingëllon si një mohim i asaj të mëparshmes, por, siç tha ai, idenë e tij e ka sqaruar në Bled ministri i tij për Çështjet Evropiane,  Lorenc Bune dhe Aleksandar Adam këshilltari i tij dhe krijuesi i propozimit francez.

“Ata thanë se Makroni foli për shpejtësi në kuptimin që nuk do të hyjnë të gjitha përnjëherë, por me shpejtësi të ndryshme në varësi se kush kur është gati, dhe jo Evropa në shtresa në kuptimin të privilegjuar dhe më pak të privilegjuar sepse ne nuk do të pranojmë asgjë më pak se anëtarësimi i plotë në BE. Siç edhe ju e dini, që ne promovojmë konceptin më shumë integrim përpara anëtarësimit, që do të thotë se kur viti 2030 është fiksuar për ne, le të bëhemi pjesë e Unionit përpara anëtarësimit, domethënë, siç përmbushim një kapitull, bëhemi pjesë e asaj politike të Unionit. Ne po hyjmë në tregun unik, kemi akses në fonde. Edhe para vetë anëtarësimit ne tashmë do të jemi në Union, e vetmja gjë që nuk do të kemi deri atëherë është e drejta e votës që do ta marrim në ditën e anëtarësimit”, thotë ministri Osmani.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të kemi edhe synime vjetore që do t'i arrijmë në vend të një qëllimi afatgjatë që është pak larg, dhe prandaj, theksoi ai, na krijohen zhgënjime, zhgënjehen qytetarët ndërsa të tjerët (pale të treta) abuzojnë me këtozhgënjime.

“Mendoj se që nga dita e djeshme kemi një perspektivë vërtet të besueshme. Tani topi është në anën tonë për të punuar, kemi miq, kemi mbështetje, e shihni e gjithë bota po vjen në Shkup. Mendoj se tani thjesht duhet të bashkohemi për të bërë atë që kam kërkuar prej kohësh - një marrëveshje shtetërore ndërpartiake. Le të ulemi të gjitha partitë dhe të thonë BE 2030 është synimi ynë, këto tema i lëmë jashtë betejës ditore politike, për çdo gjë do të debatojmë”, tha shefi i diplomacisë.

Lidhur me mohimin e deklaratës së Mishel nga ana e KE-së, Osmani theksoi se bëhet fjalë për dy institucione të ndryshme – Këshilli Evropian, ku shtetet anëtare marrin vendime politike dhe Komisioni, i cili nuk ka mandat politik, por kontrollon objektivisht nëse plotësohen kriteret.

“Dhe prandaj Komisioni thotë se vendimet politike i marrin shtetet anëtare, për mua ka rëndësi kush i plotëson kriteret sepse unë jap raport. Pra, KE-ja nuk e mohon mesazhin e Sharl Mishelit, thjesht thotë për mua, ju vendosni si të doni për kohën, për mua është e rëndësishme nëse i keni përmbushur kriteret, sepse të dy institucionet shohin këndvështrime të ndryshme nga zgjerimi”, thotë Osmani.

Sipas tij, problemi me modelin aktual të integrimit është se ai është “gjithçka ose asgjë”. Pra, asgjë derisa të bëhesh anëtar, pastaj merr gjithçka kur bëhesh anëtar dhe kjo, thotë ai, na krijon zhgënjime sepse rruga është e gjatë, e paparashikueshme, me kompromise të vështira dhe nuk kemi asgjë gjatë rrugës. Koncepti për më shumë integrim para anëtarësimit, për të cilin qëndrojmë, tha Osmani, tashmë po bëhet bazë për bisedimet në Bruksel.

“Prandaj ky koncepti ynë - integrim para anëtarësimit, është që të kemi përfitime që do tÇi ndjejmë për qytetarët gjatë procesit, dje pata rastin ta ndaj konceptin dhe atë non-paper që kemi përgatitur me disa ministra që realisht reagojnë pozitivisht. Këtë po e trumbetoj tani me zë më të lartë sepse tani jam në një pozitë komode sepse tashmë kemi vitin 2030. Më parë, dikush mund të kishte menduar - aha, ata ofrojnë ndonjë zgjidhje alternative nga BE-ja. Jo, tani kemi vitin 2030, asgjë më pak se anëtarësimi i plotë, por nuk dua të presim në hava deri atëherë. Unë dua të kem akses në fondet sepse tani marrim 160 euro para për frymë nga BE-ja. Bullgarët, rumunët, grekët marrin 4700 euro për frymë. Si do t'i afrojmë standardet nëse vazhdojmë kështu – ne 160 euro, ata 4700 euro. Le të marrim edhe ne, nëse jo 4700, le të marrim 3000 euro për frymë deri në anëtarësim, do të marrim të drejtën e vetos atëherë, nuk është aq e rëndësishme për ne. Është e rëndësishme që ne të kemi akses në treg, akses në para, qasje në politikat e BE-së dhe ky është një koncept që po e nxitim si MPJ-ja dhe si Qeveri dhe ka një ndikim pozitiv, thotë Osmani. 

Ai iu përgjigj edhe një pyetjeje në lidhje me deklaratën e Makronit, nëse ai ka marrë një garanci të tillë nga përfaqësuesit francezë në takimet dypalëshe në forumin në Bled se Franca nuk do të dalë me një plan të ri për zgjerimin, apo ky ka qenë përfundimi i tij nga forumi.

“Unë pata një takim dhe i pyeta tekstualisht pse dy deklarata në dukje kontradiktore mes dy liderëve të rëndësishëm të BE-së. Përgjigja ishte se Makroni nuk nënkuptonte shtresa, por shpejtësi, fjalë për fjalë shpejtësi. Se nëse Maqedonia është gati para vitit 2030, mund të bëhet anëtare para vitit 2030, se nuk ka anblok që të hyjnë të gjitha vendet. Nëse është kështu, unë kam besim tek ministrja franceze për Evropën, nëse na mohon, kjo është çështje tjetër. Tani për tani, mendoj se duhet të jemi vërtet të kënaqur me deklaratën e Sharl Mishelit dhe kjo duhet të jetë pika jonë orientuese”, konsidron shefi i diplomacies, Bujar Osmani.
I pyetur për seancën parlamentare për amendamentet kushtetuese, Osmani theksoi se personalisht është i fokusuar në tablonë e madhe, respektivisht për të mohuar të gjitha spekulimet lidhur me procesin. Korniza negociuese, për të cilën foli edhe në një panel në Bled, tha ai bazohet në dy parime bazë - një JO e madhe për çështjet historike dhe identitare në kornizën negociuese dhe një PO e madhe për të drejtat e njeriut. Amendamentet kushtetuese në të cilat do të hyjnë bullgarët, të gjitha të drejtat për komunitetet më të vogla, siç thekson ai, është parimi bazë.

“Fatkeqësisht, nëse pyesim qytetarët, një pjesë e madhe e tyre nuk janë të bindur dhe me të drejtë, sepse prej kohësh janë të zhgënjyer. Por misioni im tani është që me argumente të bind secilin se nuk mund të kishim marrë një marrëveshje më të mirë, se kjo është më e mira që mund të kishim dhe që mund të arrijmë ndonjëherë, për të bërë një zhvendosje nga identiteti historik, te të drejtat e njeriut. Kjo është fusha jonë. Derisa topi ka arritur tek të drejtat e njeriut, askush nuk mund të na mundë sepse ne këtu jemi më të mirët”, tha Osmani.  

QËNDRONI TË LIDHUR