• e enjte, 04 korrik 2024

Osmani: Njëzet e pesë vite pas çlirimit, Kosova meriton anëtarësim në NATO

Osmani: Njëzet e pesë vite pas çlirimit, Kosova meriton anëtarësim në NATO

Prishtinë, 12 qershor 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova meriton anëtarësim në NATO, 25 vite pas çlirimit me ndihmën e kësaj aleance ushtarake, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e saj në Kuvend në seancën solemne me rastin e Ditës së çlirimit, Osmani tha se çlirimi i Kosovës në vitin 1999 nuk ishte thjeshtë fitore ushtarake dhe kapitullim i Serbisë millosheviqiane, por ishte triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe të mirës kundër së keqes.

Ajo tha se pjesëtarët e Aleancës veriatlantike nuk ishin vetëm ushtarë, por edhe shpëtimtarë.

"Ata me vete  e sollën premtimin për liri, sigurinë se bota  nuk e ka harruar popullin e Kosovës dhe vendosmërinë që t'i jepet fund krimeve të kryera ndaj popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se një fjalë, është vetë thelbi i qenies sonë. Është ajri që thithim, është ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë, është e ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan dhe dhanë jetën çlirimtarët tanë", tha presidnetja e Kosovës në fjalimin e saj para deputetëve, anëtarëve të Qeverisë dhe mysafirët tël cilët marrin pjesë në seancën solemne të Kuvendit.

Osmani porositi se Kosova çdoherë do të kujton ushtarët e NATO-s dhe e mbi të gjitha stoicizmin e popullit tonë dhe Ushtrinë tonë Çlirimtare.

"Liria nuk është dhuratë, por për të u pagua çmimi më i lartë. Liria është trashëgimi që duhet të mbrojmë dhe premtim që duhet të përmbushim për çdo gjeneratë që vie.NATO na dha mbështetjen përfundimtare për lirinë tonë ndaj sot ne synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin ën këtë organizatë ushtarake me ushtrinë tonë që është e gatshme të kontribuojë për paqe kudo në botë”, theksoi Osmani.

Ajo i ka përmendur të rënët për liri, si dhe rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur. Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë.

"Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës", tha Osmani. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR