• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

N1: Një skenarist nga Kosova plasoi informacion të pasaktë për "Javën e Teatrit të Kosovës" në Beograd

N1: Një skenarist nga Kosova plasoi informacion të pasaktë për

Beograd, 3 korrik 2024 (MIA) - Jeton Neziraj, skenarist dhe drejtor i Qendra Multimedia nga Prishtina, nga e-maili zyrtar i organizatës së tij kulturore ka plasuar informacion të rremë në rrjetet sociale dhe më pas e ka përcjellë në media se Teatri Kombëtar në Beograd do të organizojë "Javën e Teatrit të Kosovës në Beograd", njofton H1, i cili më herët ka raportuar lajmin e rremë.

Media thekson se dramaturgu i njohur nga Kosova shumë agjencive të lajmeve, duke përfshirë edhe N1, u ka dërguar njoftim se ky festival do të mbahet vjeshtën e ardhshme. 

Portali N1 ka bërë përpjekje që të hyjë në kontakt me Neziraj që të sqarojë pse dhe me çfarë qëllimi nga posta elektronike zyrtare e ka dërguar këtë informacion, por ai nuk u përgjigj në porositë.

Në kumtesën dërguar mediave ai thoshte se "Java e Teatrit të Kosovës" do të mbahet në Beograd më 29 nëntor. Madje edhe bëri të ditur se dje, ai personalisht edhe drejtori i Teatrit Kombëtar në Beograd, Svetisllav Gonciq nënshkruan memorandum.

"Kjo ngjarje është e jashtëzakonshme dhe historike, që shënon një avancim të raporteve kulturore mes Kosovës e Serbisë. Arritja e këtij memorandumi nuk ka qenë proces i lehtë. Negociatat janë zhvilluar për rreth dy muaj rresht, në Prishtinë dhe në Beograd. Në këta dy muaj negociata, u janë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve administrative e politike, të cilat shpesh nuk kanë qenë edhe aq të lehta. Mes këtyre çështjeve problematike ka qenë edhe çështja e pagesave dhe transaksioneve bankare për artistët e përfshirë”, thuhet më tej.

Në njoftimin shprehet keqardhje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, pas mbajtjes së tij për një dekadë.

Drejtori Gonçiq theksoi se është i vetëdijshëm për peshën kulturore e politike që ka një veprim i tillë, por është i gatshëm t’i bart mbi supe pasojat.

"Nga Ministria e Kulturës në Beograd më thanë që shqiptarët nuk kanë teatër. Por ata e kanë gabim. Shfaqjet e tyre mund të mos jenë të cilësisë së lartë artistike, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ne po ua japim dorën e pajtimit, po ua ofrojmë skenën tonë që ata të prezantojnë vallet e tyre, traditën. E di që shqiptarët kanë folklor të mahnitshëm", tha Gonçiq.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Multimedia, Neziraj, tha se është i emocionuar për këtë arritje, të cilën e konsideroi si historike.

"Për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar në Beograd do të prezantohen shfaqje nga Kosova. Për tri ditë me radhë, Beogradi do të frymojë shqip. Kemi pasur shumë mosmarrëveshje dhe mospajtime, por të gjitha janë tejkaluar falë vullnetit tonë për kompromis. Ky është teatri, kjo është forca e teatrit", shtoi Neziraj. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR