• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në UT i filloi punimet Seminari i dytë i Psikologjisë

Në UT i filloi punimet Seminari i dytë i Psikologjisë

Tetovë, 10 maj 2023 (MIA) - Në Universitetin e Tetovës i filloi punimet Seminari i dytë i Psikologjisë, me temë “Sfidat e psikologëve shkollorë: Këshillimi dhe orientimi profesional dhe politikat arsimore”.

Ky seminar, siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, organizohet nga Katedra e Psikologjisë e Fakultetit Filozofik dhe ka për qëllim trajtimin e politikave arsimore për orientim profesional. Gjatë dy ditëve, ekspertët e kësaj fushe do t’i ndajnë përvojat e tyre bashkë me studentët dhe maturantët rreth kësaj tematike.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij në hapjen e punimeve të këtij seminari theksoi se, në kushte të ndryshimeve thelbësore sociale - ekonomike të shoqërive, por edhe të modernizimit të të gjitha sferave të jetës njerëzore, është e nevojshme që arsimi modern të orientohet në kërkim të masave dhe mënyrave të reja të formimit dhe zhvillimit profesional të të rinjve.

“Ky proces, është sfidues, si për institucionet dhe politikëbërësit për të ndjekur ritmin e ndryshimeve, por edhe për të rinjtë për të bërë zgjedhjen për formësimin e tyre profesional. Mbi supet e të rinjve qëndron barra e sjelljes së një prej vendimeve mjaft të rëndësishme jetësore, e cila në kombinim me presionin familjar, atë të shoqërisë dhe performancën e kaluar paraqesin burim të ankthit, dëshpërimit dhe të frikës se sa me perspektivë do të jetë vendimi i zgjedhjes së profesionit të ardhshëm. Përballja me këtë situatë të ndërlikuar nënkupton integrimin e të rinjve në veprimtarinë profesionale, ku përveç anticipimit të një pune të ardhshme që varet nga kushtet e tregut të punës projekton aspiratat personale në ato profesionale. Që të arrijnë synimin e tyre, padyshim se të rinjtë e konceptojnë vlerën sociale të profesionit – çfarë mund t’i ofrojë profesioni shoqërisë, por edhe atë personale – çfarë presin nga profesioni dhe sa kanë aftësitë e nevojshme për realizim të së njëjtës”, tha Ahmeti.

Ai më tej u shpreh se, orientimi profesional për të rinjtë e materializon planin e transformimit të ëndrrës së tyre për të ardhmen, i cili në kushte bashkëkohore duhet të synojë të ofrojë mundësi të barabarta të zhvillimit të personalitetit dhe zhvillimit profesional. Sipas tij, funksioni i orientimit profesional nuk është vetëm në përzgjedhjen e profesionit por edhe në vetëdijesimin e të rinjve për potencialin individual dhe interesat e tyre me karakter të shumanshëm, duke ua bërë me dije se janë në gjendje të arrijnë nivele të larta të profesionalizimit në fusha përkatëse.

Fillimin e punimeve të këtij seminari e përshëndeti edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë, Jeton Shaqiri.ii

Ai u shpreh se, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e RMV, është një katalizator në mes inicimit të këtyre programeve për orientim profesional dhe praktikimit të të njëjtave në shkollat e mesme në mënyrë që të zhvillojë infrastrukture të qëndrueshme dhe cilësore për shërbimet profesionale të shkollave dhe zbatimin e këtyre praktikave te nxënësit.

“Mbështetja e programeve për këshillim dhe orientim profesional është një mekanizëm që gërsheton arritjen e disa objektivave politike për një shtet më të zhvilluar, me ç’rast nëpërmjet kësaj forme strategjike arsimore, ne ofrojmë tregje pune me punëtorë ku aftësitë e tyre do të përputhen me kërkesat e punës, kjo nënkupton se do kemi rritje të cilësisë dhe produktivitetit, që do të rezultojë me rritje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe i gjithë ky rreth vicioz do të reflektoj një frymë të shëndosh sociale”, potencoi mes tjerash Shaqiri.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, në fjalën e tij tha se, ky seminar dyditor i Programit studimor të Psikologjisë, është vazhdimësi e përpjekjeve të mëdha shkencore që bënë ky fakultetet dhe Universiteti i Tetovës në përgjithësi, sidomos në dekadën e fundit.

“Edhe pse me kumtesa të ndryshme shkencore do të trajtohet tema boshte e këtij seminari, më lejoni të zhvilloj një pikëpamje për temën e këtij seminari. Orientimi në profesion është çështja kyçe e vendimmarrjes për secilin individ, profesioni determinon rrugëtimin e jetës tonë, prandaj e vlerësojmë lartë përpjekjet e shkollave të mesme, universiteteve dhe instituteve të ndryshme, për t’u dhënë kahe ambicieve dhe prirjeve tona, drejt një profesioni që përveçse do ta zhvillojë spektrin tonë personal, mëton të kontribuojë në zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror”, theksoi Kadriu.

Prof. dr. Mehmet Fatih Ajsan nga Universiteti Marmara i Stambollit mbajti një ligjëratë profesionale, me temë “E ardhmja e arsimimit dhe punësimit: Sfidat dhe rreziqet”, ndërsa prof. dr. Lulzim Murtezani nga Katedra e Psikologjisë e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës e zhvilloi ligjëratën e tij me temë “Psikologjia e këshillimit përkundrejt sfidave të kohës”.

Prodekani për Shkencë i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Musa Musai u shpreh se, gjatë ditës së nesërme në punëtoritë që do të organizohen, të rinjtë do të eksplorojnë dhe do të marrin përgjigje rreth përshtatshmërisë së aftësive dhe interesave të tyre me profesione të ndryshme. bsh/

Foto: Universiteti i Tetovës

 

QËNDRONI TË LIDHUR