• e shtunë, 17 gusht 2024

Në Doha do të mbahen negociata paqësore pa përfaqësuesit e Hamasit

Në Doha do të mbahen negociata paqësore pa përfaqësuesit e Hamasit

Doha, 15 gusht 2024 (MIA) - SHBA dhe Katari u bënë thirrje të gjitha palëve të mos i minojnë negociatat për armëpushim në Rripin e Gazës. Apeli i tyre është para takimit të sotëm në Doha, në të cilin nuk do të marrin pjesë përfaqësuesit e Hamasit.

"Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken dhe kryeministri i Katarit sheiku Mohamed bin Abdulrahman Al Tani në një bisedë telefonike theksuan se asnjë lojtar në rajon nuk duhet të ndërmarrë hapa për t'i minuar përpjekjet e arritjes së marrëveshjes", deklaroi mbrëmë zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Vedant Patel.

Blinken i cili e anuloi vizitën në Lindjen e Mesme, bisedoi edhe me ministrat e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Arabisë Saudite, Jordanit, Turqisë dhe Izraelit me qëllim që të shmanget përshkallëzimi i tensioneve në rajon.

Hamasi dje kumtoi se nuk do të marrë pjesë në raundin e ri të negociatave paqësore që sot duhet të mbahen në Doha.

"Shkuarja në negociata të reja i mundëson pushtuesit të vendosë kushte të reja dhe t'i shfrytëzojë labirinthet e tyre për të kryer më shumë masakra", deklaroi përfaqësuesi i Hamasit, Sami Abu Zuhri.

Ai shtoi se Hamasi është i përkushtuar ndaj propozimit të paraqitur më 2 korrik, në bazë të rezolutës së Këshillit për Siguri të KB-së dhe fjalimit të presidentit amerikan Xho Bajden.

Zuhri tha se Hamasi është i gatshëm të fillojë të diskutojë për mekanizmin për implementimin e arritjes së armëpushimit gjithpërfshirës, tërheqjen e plotë të forcave izraelite, ndërprerjen e rrethimit, hapjen e pikave kufitare dhe rindërtimin e Rripit të Gazës, si dhe arritjen e një marrëveshje serioze për pengjet dhe të burgosurit. Hamasi nuk dëshiron kurrfarë roli të SHBA-së dhe Izraelit në Rripin e Gazës pas luftës.

Mosprania e përfaqësuesve të Hamasit në Doha nuk e përjashton mundësinë për përparim sepse kryenegociatori Halil al Haja jeton në Doha, ndërsa grupi islamik nuk i ndërpreu kontaktet me Egjiptin dhe Katarin.

Qeveria izraelite deklaroi se do të dërgojë delegacionin e tij në negociatat në Katar.

Më herët, tre zyrtarë të lartë iranianë të paidentifikuar thanë se vetëm një armëpushim në Rripin e Gazës do ta pengonte Iranin të hakmerrej drejtpërdrejt kundër Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Hanije. sa/

foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR