• e enjte, 03 tetor 2024
MIA Flesh

15:00/2 nëtor/2024

Shkup - Kuvendi në seancën e sotme të 16-të miratoi vendim për harmonizimin e përbërjes së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) pas ndryshimit të pushtetit në vend ndërsa në përputhje me legjislacionin zgjedhor me të cilin, ndër të tjera, parashikohet që kryetari i këtij organi të jetë nga opozita. Me harmonizimin, kryetar i KSHZ-së është anëtari aktual Boris Kondarko, i cili vjen me propozim të LSDM-së, ndërsa nënkryetar Abdush Demiri, me propozim të Besës. Anëtarë janë kryetari aktual Aleksandar Dashtevski (VMRO-DPMNE) dhe nënkryetarja Ditmire Shehu (BDI) dhe Oliver Ristevski (LSDM), i cili ishte edhe anëtar i këtij organi më të lartë zgjedhor.

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, realizoi takim me Ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Mejdani, në të cilin u shqyrtuan çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë integrimin evropian, bashkëpunimin bilateral, Planin e Rritjes së KE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e IPA projekteve për të dyja vendet, informojnë nga kabineti i ministrit. Ministri Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë partnerë dhe aleatë jashtëzakonisht të afërt me qëllime strategjike të përbashkëta, në kontekstin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Tetovë – Arben Taravari ministër i Shëndetësisë dhe kryetar i Aleancës për Shqiptarët, gjatë vizitës së sotme në Spitalin Klinik në Tetovë shfaqi shpresë se për gjashtë muaj mund të fillojnë bisedimet me BE-në. Tha se shpresën e bazon për shkak të qëndrimit të tillë të përbashkët në Qeveri."VLEN përsëri insiston se Maqedonia duhet të fillojë bisedimet, Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së. Thamë një afat prej gjashtë muajve, që VLEN do të bëjë gjithçka për të nisur negociatat. Është mirë që filloi Shqipëria, por është keq që u ndamë. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë gjithashtu se në anën bullgare nuk ka Qeveri, presim të ketë zgjedhje atje. Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje dhe VLEN do të jetë përshpejtues dhe shkas që Maqedonia të fillojë sa më shpejt bisedimet me BE-në. Kryeministri me sa di unë është për fillimin sa më të shpejtë dhe është për BE, siç jemi të gjithë ne në qeveri”, deklaroi Taravari.

Shkup - Klika kriminale e BDI-së dhe satelitët e saj, Ziadin Sela dhe Menduh Thaçi sot do të bëjnë shfaqje për të fshehur tmerrin e tyre nga përballja me drejtësinë. Nuk do të lejojmë që ta nënçmojnë popullin shqiptar!, tha sot në konferencën për shtyp deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri. “Ahmeti, nga komandant Abaz Gjuka, është kthyer ortak me mbretërit e striptizeve dhe bixhozit. Nipi i Ahmetit, Drini, u bë i njohur për opinionin në qershor të vitit 2023 pas aferës "Soravia", kur si një 24-vjeçarë bleu qendrën tregtare prej 13,000 m² në qendër të Shkupit për një shumë marramendëse prej 20 milionë eurosh. Bëhet fjalë për një skemë transaksionesh financiare të dyshimta që po hetohet nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar, e cila, ndër të tjera, ka kërkuar ndihmë juridike ndërkombëtare madje edhe nga autoritetet amerikane”, ka thënë Imeri.

Shkup - Në llogaridhënien për punën e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale në njëqind ditët e kaluara, ministri Zllatko Perinski theksoi se këto 100 ditë nuk ishin të lehta, por janë fillimi i një rruge afatgjate dhe siç tha, epokë e re e gjithëpërfshirjes ndaj të gjithë qytetarëve drejt të gjitha komunave pa qasje selektive. "Në 100 ditët e kaluara i jemi përkushtuar secilit qytetar dhe secilës komunë ku mbi 1 miliard denarë janë investuar në gati 200 projekte të ndryshme infrastrukturore në të tetë rajonet planore në të gjithë vendin. Rikonstruksioni dhe ndërtimi i rrugëve, përshtatja dhe rikonstruksioni i objekteve në ndërtesa me efikasitet energjetik, rindërtimi i objekteve në fushën e arsimit dhe të kujdesit social dhe shëndetësor, përmirësimi i infrastrukturës së vendeve turistike-vende turstike, janë vetëm një pjesë e strategjive të projektit që kemi zbatuar për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve", tha Perinski në prezantimin e aktiviteteve dhe projekteve të dikasterit të tij në 100 ditët e qeverisë së re. 

Shkup - Kemi trashëguar një ministri krejtësisht të rrënuar, me borxhe, paga të papaguara, subvencione të mbetura, projekte krejtësisht të bllokuara dhe dyshime serioze për krim të udhëheqjes së mëparshme. Ne kemi trashëguar kaos dhe çrregullim total, por nuk duhet të ketë justifikime. Është përgjegjësia jonë t'i përmirësojmë gjërat. Kjo është Qeveria e bujqve, do të dëshmojmë se janë partnerë tanë dhe së bashku do të krijojmë politika bujqësore, tha sot ministri i këtij dikasteri Cvetan Tripunovski në konferencë për media me rastin e punës së bërë në 100 ditët e kaluara. Sipas tij, një qind ditë është periudhë e vogël që Qeveria të tregojë se është e drejtuar drejt zgjidhjes së problemeve të bujqve. 

Shkup – Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov paralajmëroi se më 10 tetor do të ketë llogaridhënie komplete për punën e bërë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ndërsa disa ditë më vonë, në një konferencë të veçantë për media  do t’i zbardh hapat e ardhshëm për rivendosje në funksion të Sallës Universale. Ai sot gjatë vizitës së tij në IK Opera dhe Baleti Kombëtar, në pyetjen e gazetarëve kur do të vihet në funksion Salla Universale, theksoi se e njëjta është marrë jashtëligjshëm, ndërsa sqarim më të hollësishëm paralajmëroi menjëherë pas 10 tetorit. 

Shkup – Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov sot potencoi se ende nuk ka lajme nga Prokuroria Publike lidhur me gjoja keqpërdorimin e parave të buxhetit nga ish ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska. “Jo, ende nuk kemi lajme nga Prokuroria Publike. I gjithë dokumentacioni është dërguar. Kur do të na njoftojnë, sipas gjitha gjasave do ta dini edhe ju”, deklaroi Lutkov gjatë vizitës së tij në IK Opera dhe Baleti Kombëtar, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve. 

Shkup - Deri në fund të kësaj jave pritet gjashtë ministri të dorëzojnë raportet nga komisionet që bëjnë vlerësimin e propozim-projekteve me të cilat komunat iu përgjigjën thirrjes për realizimin e projekteve kapitale dhe infrastrukturore që do të financoheshin nga buxheti qendror. Më së shumti propozime janë marrë për rindërtimin e rrugëve dhe rrugicave edhe për projekte nga fusha e mjedisit jetësor. Thirrja e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale është publikuar më 5 shtator dhe deri në fund të afatit kanë mbërritur 358 formularë për aplikim nga 80 komuna. Me thirrjen, deri në fund të vitit komunat do të kenë në dispozicion gjashtë miliardë denarë dhe kjo është faza e parë prej gjithsej 15 miliardë denarë ose 250 milionë euro për projekte kapitale.

Shkup - Forcim të gatishmërisë dhe kapaciteteve digjitale në bizneset dhe organizatat publike do të mundësojë DigitMak - Qendra digjitale për inovacione, e cila u promovua sot në simpoziumin "E ardhmja e inovacioneve digjitale - një simpozium për bashkëpunim me akademinë dhe industrisë” në Fakultetin e shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike në Shkup. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në deklaratë për media pas fjalimi hyrës në ngjarje theksoi se kjo qendër digjitale e inovacionit ka potencial për të rritur bashkëpunimin ndërmjet sektorit të biznesit dhe akademisë dhe në të njëjtën kohë t'ua ofroj mjetet, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme sektorit privat që të digjitalizohet dhe për ta përfshirë në projektin e madh të Qeverisë "Smart Maqedonia". I gjithë ky kompleks aktivitetesh me digjitalizimin e sektorit privat dhe në sektorin publik me digjitalizimin e shërbimeve, për infrastrukturën dhe për institucionet është i një rëndësie të veçantë.

Shkup - Stereotipet, tradita, kultura dhe besimi janë vetëm disa nga sfidat, me të cilat përballen gratë në vend. Sipas statistikave, edhe pse në pozita të njëjta me meshkujt për sa i përket punës, ato marrin paga më të ulëta, gjegjësisht kur bëhet fjalë për funksionet drejtuese, u tha para fillimit të Forumit Ekonomik të Grave (VEF) - Ballkan 2024 që po mbahet sot dhe nesër në Shkup. Të pranishmit dërguan mesazh se dukshmëria e grave duhet të rritet, duke marrë parasysh rolin e saj jashtëzakonisht të rëndësishëm në shoqëri. Gjithashtu u theksua edhe nevoja për ndërmarrjen e masave sistematike për vendosjen e më shumë grave në pozita drejtuese.

Shkup - Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në mëngjes në një ndërtesë në lagjen Çair të Shkupit. Sipas informacioneve të QMK-së, një zjarrfikës është dërguar në Toksikologji për shkak të asfiksimit nga tymi. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), thonë se sipas informacioneve të Brigadës territoriale kundër zjarreve të Qytetit të Shkupit në periudhën prej orës 01:50 kanë shuar zjarrin në një depo në rrugën "Prohor Pçinski" në Shkup. "Intervenimi është kryer me 7 automjete dhe 20 zjarrfikës. Në vendin e ngjarjes përveç njësive të BTKZ-së të cilët janë duke e shuar zjarrin ka qenë edhe policia dhe Ndihma e shpejtë. Sipas raportit zyrtar nga BTKZ, një zjarrfikës është dërguar në toksikologji për shkak të sasisë së madhe të thithjes së tymit", thuhet në njoftimin e QMK-së. 

Shkup - Për shkak të thithjes së tymit nga zjarri në Çair deri në orën 06:30 në Kompleksin klinik "Nënë Tereza" në Shkup kanë kërkuar ndihmë mjekësore disa persona, në mesin e të cilëve edhe një zjarrëfikës dhe një pjesëtar i policisë, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.  Prej aty shtojnë se në orën 06:30 nga çatia e ndërtesës janë nxjerrë shumë banorë dhe asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime. "Më 02.10.2024 në orën 01:55 në SPB Shkup është raportuar se një zjarr ka shpërthyer në bodrumin e një ndërtese në rrugën 'Seravë' në Shkup. Në vendin e ngjarjes ka arritur ekipi i Brigadës së zjarrëfikësve Shkup dhe pjesëtarët e SPB Shkup. Po ndërmerren masa për zbadhjen e plotë të rastit", thuhet në njoftimin e MPB-së. 

Shkup - Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” - Tetovë e ka botuar numrin e radhës të revistës për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”. Në këtë numër të revistës janë botuar biografitë e dhjetë  laureatëve të Çmimit kombëtar “Ali Vishko”, nga viti 2015 deri në vitin 2024. Sivjet redaksia e revistës me në krye Mr. Selam Sulejmanin vendosi t’i publikojë biografitë e laureatëve të çmimit të sipërthënë. 

Prishtinë - I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin deklaroi se ekonomikisht dhe politikisht Gjermania është në mesin e partnerëve kryesorë të Kosovës, sepse, siç thotë, shteti gjerman beson në të ardhmen dhe potencialin të cilin e ka vendi, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në hapjen e Forumit të Dytë Ekonomik Gjermano – Kosovar të cilin e organizon Oda e Biznesit Gjermano – Kosovar, Saracin tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të veprojnë bashkë në tregun e BE-së. “Atë që dua ta them është se, nëse i shohim mundësitë për rritje ekonomike, jam i sigurt se Kosova ka potencial për inovacione dhe zhvillim. Ekonomikisht dhe politikisht Gjermania është në mesin e partnerëve kryesorë të Kosovës, sepse besojmë në të ardhmen dhe potencialin tuaj”, tha Saracin.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani ka takuar presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmaer. Diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.

Romë - Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni sot deklaroi se vendi i saj do të jetë nikoqir i takimit të G7-të ku temë do të jetë kriza në Lindjen e Mesme. Meloni sot i tha kabinetit të saj se është "thellësisht e shqetësuar" për shkak zhvillimeve të fundit, duke përfshirë sulmin raketor të Iranit ndaj Izraelit dhe paqëndrueshmërinë në rritje në Liban, kumtoi kabineti i saj, transmeton agjencia e lajmeve Ansa e Italisë. Takimi i G7-ës do të zhvillohet siç është paralajmëruar, pasdite përmes video lidhjes.

Stokholm - Të shtëna janë dëgjuar në Ambasadën izraelite në Stokholm, konfirmuan forcat policore në kryeqytetin suedez për agjencinë e lajmeve TT. Siç njofton DPA-ja, nuk ka informata për të lënduar, ndërsa ende askush nuk u arrestua. Përafërsisht në të njëjtën kohë, me thirrjet e para për të shtëna në ambasadë, kanë ardhur edhe informatat e para se Irani ka kryer sulm të madh raketor ndaj Izraelit. Policia suedeze kumtoi se i ka rritur masat e sigurisë rreth lokacioneve hebraike dhe izraelite në vend pas incidenteve paraprake në ambasadë.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski sot deklaroi se vendi mund të prodhojë katër milionë dronë në vit dhe të rrisë me shpejtësi prodhimin e armëve të tjera. Duke iu drejtuar shefave të dhjetëra prodhuesve të huaj të armëve në Kiev, Zelenski tha se Ukraina tashmë ka dakorduar prodhimin e 1.5 milionë dronëve këtë vit. "Në kushte jashtëzakonisht ekstreme të luftës nën sulmet e vazhdueshme ruse, ukrainasit arritën të ndërtojnë praktikisht një industri të re të mbrojtjes", ka thënë Zelenski.

Moskë - Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov sot informoi se gjendja në Lindjen e Mesme po shkon në drejtim alarmues dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për përmbajtje.  Peskov theksoi se Rusia ka kontakt me të gjitha palët në konflikt dhe e dënoi çdo aksion që shkakton viktima në civil. Garda revolucionare e Iranit mbrëmë njoftoi se ka hedhur më shumë se 180 raketa drejt Izraelit në përgjigje të vrasjeve të fundit të liderit politik të Hamasit, Ismail Hanija, liderit të Hezbollahut, Hasan Nasralla dhe zëvendëskomandantit operativ të Gardës revolucionare të Iranit, Abas Nilforushan, njoftuan mediat britanike. 

Gazë - Të paktën 51 palestinezë kanë vdekur, ndërsa 82 janë plagosur në një sulm ajror dhe tokësor izraelit në qytetin jugor Kan Junis, kumtoi sot Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Siç u kumtua më parë sot, në sulmet izraelite gjatë natës së kaluar kanë vdekur të paktën 31 persona në pjesën jugore të Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa armata filloi operacione tokësore në Kan Junis. 

Tel-Aviv - Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Izrael Kac deklaroi se sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh i është ndaluar hyrja në vend për shkak të, siç konsideron ai, animit të tij kundërizraelit. Kac tha se e ka shpallur Gutereshin "persona non grata" në Izrael. "Secili që nuk mundet pa hezitim ta dënojë sulmin e shëmtuar të Iranit ndaj Izraelit, siç e bëri këtë pothuajse secili vend i botës, nuk meriton të shkelë në tokën izraelite", shkroi ai në rrjetin X.

Teheran - Lideri iranian, ajatollah Ali Hamnei, sot është takuar me grupin e përfaqësuesve të lartë shtetëror në Teheran dhe më pas për tensionet dhe luftërat rajonale në Lindjen e Mesme ka akuzuar "SHBA-në dhe disa vende evropiane" të cilët "rrejshëm konfirmuan se do të sjellin paqe dhe qetësi në rajon". Ai porositi "që të largohen nga rajoni" që vendet e rajonit të jetojnë në paqe. Ajatollahu i cili për disa ditë ndodhet në një vend të fshehtë dhe të sigurt, deklaroi se është "i mërzitur" për shkak të vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hasan Nasralla, por nuk e anuloi mbledhjen me përfaqësuesit e lartë sepse, siç tha "dhimbja e Iranit është forcë gjallëruese dhe shtytëse”.

Bejrut - Armata e Libanit bëri të ditur se forcat izraelite kanë hyrë 400 metra në territorin libanez dhe janë tërhequr. "Forcat armike izraelite e depërtuan vijën e kaltër për rreth 400 metra në territorin libanez në zonën e Kirbet Jarun dhe Adejseh, dhe më pas u tërhoqën pas një periudhe të shkurtër kohore", bëri të ditur armata. Vija e kaltër është një referencë për zonën kufitare të demarkacionit që ndan Izraelin dhe Libanin.

Dubai - Arabia Saudite shfaqi shpresë për ulje të tensioneve dhe për dialog në Lindjen e Afërt, deklaroi ministri saudit i Ekonomisë dhe Planifikimit, Faisal bin Fadel al-Ibrahim në konferencën në Berlin për situatën në Lindjen e Afërt pas sulmit raketor të Iranit ndaj Izraelit. "Shpresojmë se do të mbisundojë maturia, se do të ketë ulje të tensioneve dhe dialog dhe se do të vërehet bashkëpunim më i madh edhe në nivel global edhe në atë rajonal, në mënyrë që të përballem me këto sfida", tha Al Ibrahim.

Seul - Policia e Koresë së Jugut ka arrestuar një dezertor nga i cili u përpoq që të kthehet në Korenë e Veriut  me një autobus të vjedhur, njofton Bi-Bi-Si. Ai u kap dje në "Urën e bashkimit" që ndan dy Koretë, pasi që ai injoroi ushtarët të cilët i kërkuan atij të ndalet, ndërsa pastaj përplasi autobusin në një barrikadë. Ai i tha policisë se donte të kthehet në Korenë e Veriut pasi kishte përjetuar vështirësi në jug, njoftuan mediat koreanojugore. Ai, gjoja, ka lëshuar Korenë e Veriut dhjetë vite më parë.

Shkup - Trajneri i reprezentacionit të Maqedonisë në futboll, Bllagoja Milevski sot ka bërë të ditur listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet kundër Letonisë në Riga (10 tetor) dhe Armenisë në Jerevan (13 tetor) të Ligës së kombeve. Në listën e trajnerit Milevski për dy ndeshjet janë 25 lojtarët si më poshtë: portierë: Stole Dimitrievski, Damjan Shishkovski dhe Igor Aleksovski; mbrojtje: Visar Musliu, Nikolla Serafimov, Jovan Manev, Ezxhan Alioski, Bojan Dimovski, Ahmed Iljazovski, Stefan Ashkovski, Gjoko Zajkov dhe Andrej Stojçevski;

QËNDRONI TË LIDHUR